Kryeprokurori i ri/ Opozita vendos të përballet në rrugë, ja dy skenarët e PD

Dec 17, 2017 | 8:13
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Partia Demokratike do të protestojë brenda dhe jashtë Parlamentit, ditën e hënë, kundër vendimit të maxhorancës për të zgjedhur një Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, mblodhi në një mbledhje të jashtëzakonshme pasditen e së shtunës, fillimisht krerët e degëve të PD-së në rrethe dhe grupin parlamentar.

bashaffff

Burime nga takimet e zhvilluara në selinë blu bëjnë me dije se, Basha ka kërkuar një mobilizim maksimal nga strukturat, anëtarë- sia dhe deputetët e Grupit Parlamentar për protestën që do të zhvillohet në orën 09:30 përpara Parlamentit, ditën e hënë. Sipas të njëjtave burime, mësohet që Basha të ketë theksuar se është momenti që Edi Rama të kuptojë se përballë nuk ka një opozitë fasadë siç pretendon, por një opozitë të vërtetë.

Për kreun e PD-së, me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, Rama po bën një harakiri dhe po i shpall luftë demokracisë për hesap të krimit të organizuar. Në mbledhjen me grupin parlamentar, Basha ka kërkuar një angazhim maksimal të deputetëve ditën e hënë brenda dhe jashtë Parlamentit. Fillimisht, deputetët demokratë do t’u bashkohen protestuesve në hyrje të Parlamentit dhe më pas do të hyjnë në seancë ku do të shprehin qëndrimin e tyre për emërimin e Prokurorit të ri nga maxhoranca dhe Kryeministri Rama.

DEKLARATA E BASHËS

Pas tre vjetësh përpjekje për Reformën në Drejtësi, rezultati është ky: Të hënën do të emërohet një Prokuror i Përgjithshëm politik, pa veting, nga politikanë të korruptuar dhe të inkriminuar. Ky është fundi i Kushtetutës dhe i shtetit të së drejtës në Shqipëri. Për ta kuptuar këtë qëllim, duhet të shikojmë gjendjen ku ndodhet Edi Rama dhe njerëzit e tij më të afërt. Saimir Tahiri është nën hetim në Shqipëri dhe Itali si një nga drejtuesit kryesorë të trafikut të drogës nga Shqipëria në Sicili, gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm, krahu i djathtë dhe nën mbrojtjen e Edi Ramës. Po ashtu, dhjetëra drejtues të lartë policie janë në hetim për trafik droge, për të cilët Edi Rama ka qenë i mirinformuar. Vangjush Dako është nën hetim si bashkëpunëtor me krimin e organizuar, përfshi përdorimin e kriminelëve për të siguruar vota për Edi Ramën. Kompania e Qazim Sejdinit është në hetim për trafik droge dhe ai vetë është i dyshuar për aktivitet kriminal. Dhjetëra ish-deputetë, deputetë dhe drejtues të PS-së kanë lidhje me drogën dhe i pret hetimi. Nga ana tjetër, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Ilir Beqaj dhe dhjetëra qeveritarë të tjerë janë të përshirë në skema masive korrupsioni dhe zhvatje të pasurive të vendit, duke paralizuar krejtësisht ekonominë dhe investimet në vend. Pikërisht, tani që laku i drejtësisë filloi të shtrëngohet në qafën e Edi Ramës, ai vendosi që të dhunojë Kushtetutën për të zgjedhur një Prokuror politik, që do të ketë vetëm një mision: të zhdukë të gjitha faktet që lidhin Edi Rama me drogën dhe krimin dhe të shpëtojë të gjithë kriminelët dhe qeveritarët e korruptuar që ekspozojnë Edi Ramën. Kapja e Prokurorit është një akt që do të shkatërrojë drejtësinë në vend, do të shkatërrojë procesin politik demokratik dhe do të destabilizojë vendin.

Shqipëria po sakrifikohet për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e Edi Ramës dhe njerëzve të tij, dhe për të kënaqur etjen për pushtet dhe karrierë të patericave që e mbajnë Edi Ramën ende në këmbë. Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të kuptojnë se ajo që po ndodh në Shqipëri, është mënyra se si shkatërrohet një vend: duke toleruar të keqen për ditë e nga pak. Është detyra e të gjithë qytetarëve t’i dalin përballë krimit në politikë. Është detyra jonë të ndalim politikanët e papërgjegjshëm, që janë gati të sakrifikojnë vendin për pushtet. Unë sot shpresoj se edhe partnerët tanë të kuptojnë shpejt një të vërtetë të madhe. Arsyeja e rritjes së emigracionit të paligjshëm shqiptar dhe e krimit shqiptar në vendet e BE është politike: tolerimi dhe mbështetja që Edi Rama i ka bërë drogës dhe krimit, e cila ka forcuar krimin dhe i ka çuar shqiptarët në dëshpërimin për ta kërkuar të ardhmen diku tjetër.

Emigracioni i paligjshëm dhe krimi nuk ndalen me masa teknike, por me zgjidhje politike: pastrimi i politikës nga krimi, që shqiptarëve t’u kthehet besimi te vendi i tyre. Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj nuk do luftojnë kurrë krimin sepse janë të kapur prej tij. Nëse doni që të mos ketë emigrantë të paligjshëm dhe grupe kriminale shqiptare në Francë, Britani, Holandë e kudo në BE, ka vetëm një rrugë: nxjerrja para drejtësisë e Saimir Tahirit, Vangjush Dako, Qazim Sejdninit, Habilajve dhe Balilajve dhe largimi i Edi Ramës nga pushteti. Të hënën është detyrë e çdo qytetari që beson te demokracia, që do të ndërtojë jetën në këtë vend dhe të mos shkojë refugjat, që do të jetojë me dinjitet dhe jo me lëmoshën e narkoqeverisë, të bashkohet me protestën tonë para Parlamentit.

Të hënën, opozita parlamentare nuk do të lejojë të kthehet në fasadën e pushtetit të krimit, ndaj, ftoj çdo qytetar që të mos qëndrojë spektator, por t’i bashkohet protestës sonë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura