Kryeprokurori i pakohë

Dec 14, 2017 | 13:39
SHPËRNDAJE

LUÇIANO BOÇI

luciano-boci-c1200x600I gjithë investimi që Rama po bën për një kryeprokuror të ri lë një shije të hidhur. Përpjekja e tij për t’u bërë “vetë vali e vetë kadi” është sa revoltuese, aq edhe qesharake. Mënyra e shfaqjes së Kryeministrit për të luajtur “gjithçka për gjithçka”, për një “dava” Kryeprokuror të Përkohshëm, siç përpiqet ta paraqesë ai, e nxjerr atë jo thjesht të zbuluar, më shumë sesa të frikë- suar nga ajo që fshihet pas asaj dere të rëndë.

Të kalkulosh pasojat reaguese që ngjall ky akt tek opozita dhe ta vendosësh në kandar me “faktin” që ai do të jetë vetëm një muaj në detyrë, sipas llafeve lart e poshtë të hapura nga zyra e propagandës, duket qartë që investimi e zhurma e Ramës nuk bëjnë sens.

Për kaq pak kohë, në pamje të parë, duket që nuk vlen as të shkelësh Kushtetutën e as të acarosh situatën politike në vend dhe jashtë vendit.

Nën këtë logjikë, më pak i kushtueshëm për Ramën dhe më quasi-ligjori do të ishte vazhdimi i përkohshëm i Adriatik Llallës, një muaj më shumë, deri në momentin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri.

Ky do të ishte dhe motiv për të nxitur vetë maxhorancën për të avancuar me shpejtësi reformën në drejtësi, e stopuar me një artificë krejtësisht absurde, të nxitur nga ajo vetë.

Por, sipas parimit “truku është, por nuk tregohet”, Rama vazhdon me të tijën.

Natyrshëm pyetja që lind është: Pse Rama insiston me doemos në zgjedhjen e një Prokurori njëanshmërisht nga ai vetë?

Në këtë pikë duket se ka dy gjëra që po e shtyjnë Ramën dhe përkrahësit e kudondodhur të tij për të iniciuar një shkelje flagrante të dokumentit themeltar ligjor të një shteti dhe të kapërcimit të asaj për të cilin deri tani ka bërë sikur është “shqyer”, vetingut. Rama nuk është aq “budalla” sa mos ta dijë që i lexohet në ballë përballë opinionit e ndërkombëtarëve se ai kërkon me domosdo marrjen në kontroll të prokurorisë, para se t’i pëlcasë ndonjë bombë tjetër.

E para, ose është një hakmarrje e sinkronizuar sipas parimit ”çdo hakmarrje është e ëmbël”, pavarësisht kostos dhe momentit.

E dyta, ose është një investim politik me benefite të afërta dhe të largëta.

Krahasimisht, kjo e dyta është më e mundshmja. Madje ajo përfshin dhe të parën brenda, sepse kënaq njëkohësisht shijet e kërkuara nga ai vetë për shkak të Tahirit, por dhe nga “të tjerë”.

Kryeprokurori i ri, tërësisht i emëruar me votë të thjeshtë, emërtohet si “i përkohshëm”. Dhe “i zgjedhur” dhe “i përkohshëm pa afat” janë dy identitete të papërputhshme, madje kundërshtuese me njëra-tjetrën.

I përkohshëm është realisht një identitet i pakohë, që ka një pikë fillimi si një gjysmëdrejtëz, e që nuk dihet se kur mbaron si afat. Termi i përdorur në këtë rast shërben për të mikluar opinion publik dhe si gjetje pafajësie për Ramën.

Por, me këtë “pafajësi” termash, Rama kërkon t’i krijojë vetës një pakohësi komode brenda një fajësie tërësisht të kërkuar, fillin e së cilës e komandon vetë. Përgjatë kësaj pakohësie ai do të mund të shuajë më pas çdo hetim të nisur, apo që është në inkubacion, ndaj tij, të përgatitur në zyrat e organit që zyrtarizon çdo opinion akuzues që sot, për hir të së vërtetës gëlon dhe pret vetëm të deklarohet. Askush nuk beson se kjo lëvizje bëhet për të nxitur reformën në drejtësi. Përkundrazi. Ajo vonon dhe i shton dozat e kontrollit qelizor politik.

“Pangopësia” e Ramës në këtë rast shkëlqen. Këtu asgjë nuk duket e rastit. Organi i akuzës ka kohë që ka qenë shënjestra e radhës, sikurse ishte dhe SHISH-i. Ndërsa këtë të fundit “e hoqi qafe” me kulaç, “me rritje në detyrë për punë të mirë”, të parin kërkon “ta shtijë në dorë” me një veprim ekstra-kërbaç antikushtetues, sipas dhe një opinioni a priori nga një mision ndërkombëtar. Ky certifikim a priori që Rama e trumbeton me të madhe, është si një vulë false me të cilin ai kërkon t’i japë legjitimitet veprimit të tij. Por, kronologjia e fakteve e rrëzon kollaj këtë “legjitimitet” fals.

Sulmet e Ramës ndaj Prokurorisë kanë qenë permanente. Sot ai thjesht po kurorë- zon përpjekjen e tij disavjeçare. Vazhdimisht Prokuroria ka qenë e shenjëstruara politike e deklaratave të dala nga kjo maxhorancë dhe kreut të saj, gjoja në emër të reformës në drejtësi. Tulatja e këtij organi ishte pjesë e zbatimit të projektit të stimulimit të botës së krimit për të prodhuar para të qeta e të pista njëherësh, për të bërë bis-in e pushtetit të Ramës. Kësisoj, ky “I palumturi” i djeshëm nga Kryeprokurori dhe nga drejtori i SHISH, siç vetëdeklarohej, nuk pranon sot më të jetë pjesërisht i lumtur. Aq më tepër që dimensionit të lumturisë tek ai tani i është shtuar dimensioni dominant i tmerrit të zbulimit të së vërtetës nga hetimi i fakteve të dala.

Është ky tmerr që po e turr Ramën drejt një veprimi asimetrik kohor. Pakohësia e nxituar e Kryeprokurorit në këtë rast ka gjasa të jetë jo zgjatje kohësie pushteti të Ramës, por shkurtim kohor i distancës nga rënia që po i afrohet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura