“Kryeneçja” e aktualizuar, rikthehet pas 27 vitesh në Teatrin Kombëtar

Mar 8, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Qellimi i saj eshte i qartë dhe i vendosur që në fillim, do të zbuste kryeneçen. Regjisorja Elma Doresi vjen për herë të parë në Teatrin Kombëtar, me Shekspirin. Përvojat e saj të mëparshme, të paktën në katër herët e shkuara, kanë qenë me pjesë shqiptare, siç mund të kujtoni “Karnavalet e Korçës” apo “14 vjeç dhëndër”, megjithatë këto nuk janë punët e saj të vetme. “Sfidën” me Teatrin Kombëtar do ta kishte tjetër…

 Helidon Fino
Helidon Fino

Mbrëmë ishte premiera e shfaqjes “Zbutja e kryeneçes”, një shfaqje që, duhet thënë, nuk se ishte shumë me fat sepse vinte menjëherë pas një pjese mjaft të suksesshme si “Tri motrat” dhe efektin e kësaj të fundit, ti e ndieje me të hyrë në sallë kur nuk shihje më platformën e ndriçuar të skenës që kishte ardhur deri në mesin e sallës. Në vend të bezhës së hapët e me dritë të parketit të shtëpisë së Prozorovëve, skena e Teatrit kishte rimarrë atmosferën e ngrysur që, pavarësisht shfaqjeve, duhet ndërhyrë. Por, këtë do ta kishe ndjerë cilado të ishte pjesa që po vihej në skenë.

 

Lulzim Zeqja
Lulzim Zeqja

Kryeneçja e Elmës niste gëzueshëm e me ritëm, për t’u mbyllur po njësoj, vetëm se, me një Gladiolë Harizaj ndryshe. Nga kryeneçja agresive, ajo shndërrohet në gruan që Petruçio donte, në gruan që Petruçio, me po të njëjtin agresivitet, vetëm se më të kamufluar, krijoi. Në fakt, është e gjitha një lojë gazmore që i përfshin të gjithë aktorët, që nuk janë të pakët në numër.

Nga Gladiola Harizaj e Helidon Fino, trupa e aktorëve vijonte me Sokol Angjelin, Lulzim Zeqjan, Devis Mukën, Klea Hutën, Neritan Liçajn, Klodian Hoxhën, Mehdi Malkajn, Mërkur Bozgon, Genti Deçken, Vangjel Toçen, Erjona Kakelin dhe Ermela Rurin. Tre nga aktorët e trupës, Bozgo, Toçe dhe Angjeli, kanë rastin të luajnë tek e njëjta pjesë, pas 27 vitesh.

Neritan Liçaj
Neritan Liçaj

Ata kanë qenë në po atë skenë, kur kryeneçja ishte Yllka Mujo. “Pjesët shihen krejt ndryshe njëra nga tjetra, sepse edhe vitet që kanë kaluar janë të shumtë, e kështu, nuk mund të trajtohet njësoj si sot. 27 vite më parë, ishte dashuria ajo për të cilën flitej më shumë, ndërsa sot janë paratë. Gërshërët që ndërhynin dikur gjithandej, sot nuk janë të nevojshme të përdoren”, thotë Vangjel Toçe. Por, në fund, loja dhe trajtimi janë të regjisores Doresi që, këtë herë, iu largua pjesëve shqiptare për të sjellë Shekspirin.

“Vij pas katër veprave shqiptare. Mendova të shkëputem për pak kohë nga dramaturgjia shqiptare, për të provuar një tjetër sfidë me veten. Ku ka më mirë se nga dramaturgjia botërore, apo nga Shekspiri, ku jam e bindur se edhe njerëzit që s’i kanë lexuar kurrë një vepër, apo që nuk kanë parë kurrë një film, apo një teatër, emrin e tij e njohin. Iu riktheva pas kaq kohësh veprave të tij, rilexova dhe një herë komeditë e tij, dhe e vetmja që më ngacmoi dhe më ofroi menjëherë një imazh ishte “Kryeneçja”.

Gladiola Harizaj
Gladiola Harizaj

Karakteret e saj, sinopsi i saj, tema dhe problematika e saj, të gjitha këto më çuan në një qëllim; unë do ta zbus kryeneçen”. Por, me ç’kusht?! “I kam qëndruar besnike linjës së Shekspirit, asaj që ai ka dashur të përcjellë sepse, mendoj se problematika ngelet ende aktuale dhe do të jetë njësoj aktuale edhe vite të tjera më vonë. Thirrja do të jetë gjithmonë po ajo, zbuteni zemërimin, nuk ka ç’ju duhet!”- vijon Doresi.

Me skenografi të Genc Shkodranit, kostumet e Berina Kokonës, që duhet thënë se janë kthyer në një motiv më vete për të parë një shfaqje, “Kryeneçja” ju pret në Teatrin Kombëtar. SHEKSPIRI I TË GJITHA KOHËRAVE “Zbutja e Kryeneçes” është një komedi nga William Shakespeare dhe mendohet të jetë shkruar diku rreth 1590 – 1592. Një komedi e ndërtuar me pesë akte dhe dymbëdhjetë skena. E vendosur dhe e trajtuar në forma nga më të ndryshmet, si në film dhe në teatër, nga klasikja e deri tek ajo që ne e quajmë Teatri Modern.

Shekspiri në këtë vepër vë në pah vlerat e dashurisë së vërtetë, rëndësinë e komunikimit, krenarinë e tepruar duke i vendosur ato përballë martesave dhe kompromiseve të tyre. A duhet të jemi krenarë? Sa e rëndësishme është mirëqenia në një çift përballë dashurisë?

A duhet të dëgjojmë më shumë e më pas të kërkojmë të na dëgjojnë? Këto e një mori pyetjesh do të na lindin gjatë shfaqjes, përgjigjet e të cilave do të fillojmë t’i kuptojmë pas aktit të katërt. Një komedi me identitete të gabuara. Një baba që kërkon të martojë vajzat e tij me kandidatët që do të sjellin më shumë fitim për të pas martesave.

Një dashuri me shikim të parë, e cila ndalohet për shkak të një kushti: Duke parë kërkesat e mëdha për vajzën e vogël, Batista vendos: Të martojë vajzën e madhe, Katerinën, në fillim e më pas të voglën, Biankën. Nga ky kusht dalin në pah “Gjuetarët e Pasurisë” dhe një mori kompromisesh, komplotesh, karakteresh, martesa të cilat ngjasojnë më shumë me marrëveshje biznesi sesa të lidhjes përjetë me njeriun e zemrës.

Shekspiri nuk humb aspak kohë dhe në këtë moment na prezanton me personazhin e Petruçios, i cili vendos të martohet me Katerinën (vajzën e madhe) për shkak të pasurisë. Por, sapo prezantohet me të, diçka ndodh. Pyetjes se çfarë ndodh me Petruçion pasi njihet me Katerinën dhe nëse duhet të “zbutet” apo jo Katerina, do ta zbuloni në teatër!

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura