Rrjedhja e pagave, Rama e kthen në nismë: Do i publikojmë vit për vit! Do pyesim shqiptarët nëse…

May 16, 2022 | 11:14
SHPËRNDAJE

Në Këshillimin e ardhshëm Kombëtar qeveria do të pyesë qytetarët nëse duhet publikuar lista e pagave të qytetarëve. Kështu ajo që u përkthye në një skandal me publikimin e të dhënave personale do të marrë formën e një nisme duke bërë që njëherë në vit listat e pagave të bëhen publike.

Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se kjo ka pasur anë pozitive sa i takon deklarimit të pagesave për qytetarët duke bërë sipas tij që shumica e atyre që merrnin pagë minimale të ngrihen në një nivel më lart.

“Ajo që është më e rëndësishme, ajo që dua të ndaj me ju si reflektim konkret për ne është që punën kryesore e bëri komunikimi intensiv i agjencisë përkatëse të tatimeve me bizneset. Dhe faktikisht kërkesa e përsëritur që bizneset të shikojnë situatën me pjesën informale të pagave ka dhënë rezultate domethënëse. Nga njëra anë ato tregojnë se pasqyra formale zyrtare e shifrave të pagave që u bënë edhe publike nuk është pasqyra reale.

Dhe se vetëm nga ky korrektim i bërë nën presionin e opinionit publik mbi të gjitha bizneset dhe si rezultat i një shtyse që i dhamë biznesit kemi një rritje të pagës mesatare në Shqipëri. Dhe kemi mbi 25% të punësuarve që kanë kapërcyer nga niveli i pagës minimale në një nivel më të lartë. Ata nuk merrnin pagën minimale të deklaruar por merrnin më shumë.

Perceptimi negativ mbi ekonominë dhe biznesin për shkak të këtyre deformimeve ishte prezent më tepër se sa duhej. Unë nuk dua të zgjatem më shumë se këtu jam me ministren. Së pari ne duke parë këtë eksperiencë e cila erdhi si rezultat i një ngjarje aspak të dëshiruar. Dalja e pagave në publik. Mendojmë që është e udhës që në këshillimin e ardhshëm kombëtar do i pyesim shqiptar nëse është më mirë që njëherë në vit ti’i bëjmë të gjitha pagat publike”, tha Rama.

Megjithatë ai theksoi se kjo nuk është një ide që mund të aplikohet me të thënë e me të bërë por për të cilën ia vlen të konsultohet opinioni publik.

“Ata që thonë që kjo ka efektin më të madh vetërregullues se krijon përmes transparencës presionin pozitiv të nevojshëm mbi gjithë komunitetin e biznesit ne mendojmë që kjo është shumë e vërtetë se e shohim që impakti i kësaj ngjarje e gjithë punës së bërë pas kësaj ngjarje, dhe i pranueshmërisë së lartë që gjeti komunikimi me biznesin që i kërkuam të rishikonim e korrektonin pagat, rezultoi shumë i suksesshëm në këtë fazë.

Kështu që ideja që pagat mund të bëhen publike çdo vit, një herë në vit është një ide që natyrisht nuk mendoj se ne duhet ta aplikojmë me të thënë e me të bërë por për të cilën ia vlen të konsultohet opinioni publik”, u shpreh ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura