Kryeministri Rama dhe Lubonja replikojnë në gazetën italiane

Dec 11, 2015 | 9:10
SHPËRNDAJE

Gazeta italiane “Il Foglio” si pjesë të një reportazhi të saj me titull “Rruga e luftëtarëve të huaj italian kalon nga Shqipëria”, ka intervistuar kryeministrin Edi Rama si dhe analistin Fatos Lubonja për problemet që po çojnë Shqipërinë drejtë përqafimit të islamit radikal.

Lubonja1

“Nëse këto ide radikale kanë gjetur vend në mendjet e njerëzve që jetojnë në Suedi dhe Norvegji, nuk mendoj se duhet të befasohemi nëse gjejnë hapësirë dhe në një vend të vogël dhe të prapambetur”, shprehet kryeministri, Edi Rama ndërsa mban në dorë një laps me të cilin sapo ka vizatuar një gjë abstrakte mbi letër.

“Përgjigja për radikalizmin islamik është zhvillimi ekonomik, por edhe ai kulturor”.

Pavarësisht se janë rritur masat antiterror, Rama beson se terrorizmi luftohet vërtetë vetëm duke vepruar mbi shkaqet sociale dhe ekonomike që e shkaktojnë atë.

Për këtë Rama flet shpesh për progresin që ka bërë vendi i tij në këto fronte.

Sot thotë ai, vendi ka një demokraci të qëndrueshme me rritje ekonomike dhe një popullsi të re dhe të edukuar.

Fjala kyçe thotë Rama mbetet “modernizimi”.

“Por si e matim progresin e vendit tonë?”, pyet Fatos Lubonja nga një lokal në Firence, qytet ku kalon pjesën më të madhe të vitit.

“Të rinjtë vazhdojnë të largohen nga vendi dhe oligarkët në pushtet janë zgjatimi natyral i regjimit komunist”, thotë ai.

Këtë regjim Lubonja e njeh mirë, ai u dënua bashkë me babën e tij dhe kaloi 17 vite në burgjet e diktatorit Enver Hoxha.

Sipas Lubonjës, Rama dështoi të mundte oligarkinë në pushtet dhe çdo ditë e më shumë vendi po i afrohet Kosovës dhe jo Evropës.

“Mes dy alternativave të lindjes së një lëvizjeje për të protestuar ndaj oligarkisë si Syriza dhe lindjes së një lëvizjeje fetare si AKP, unë shoh më të mundshme këtë të fundit”, shprehet Lubonja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura