“Kryeministri mund ta përdorë maskën, por nuk i vlen sepse është e skaduar!”- Luan Rama: Këto janë faktet që duhet të hetojë prokuroria

Mar 11, 2020 | 18:36
SHPËRNDAJE

 

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama thotë se lufta ndaj koronavirusit nuk bëhet me politikë dhe as me retorikë bajate.

luan-rama-753x450

Sipas tij, denoncimi nga kreu i PD-së Basha mbi maskat, është fakt dhe jo koment dhe se as vetë kryeministri nuk e mohoi.

Ai thotë se për këto raste, detyra dhe përgjegjësia është e prokurorisë për ta zbardhur.

Reagimi i plotë i Luan Ramës:

Gjëja e parë Koronavirusi; fakti, maskat dhe kryeministri.

Kryeministri ka të drejtë kur thotë se është koha për të qenë të gjithë bashkë, më së pari në zbatimin me rigorozitet të të gjitha masave që do të na mundësonin përballimin e epidemisë së koronavirusit me sa më pak efekte dhe dëme!

Shqipëria, nga soditëse e lajmeve që vinin prej vende të tjera ku u përhap më parë virusi monstër, tani është bërë edhe vetë lajm; lajm për vete e për të tjerët.

Është bërë edhe vetë teatri i luftës me epideminë, ku aktorë jemi të gjithë e ku potencialisht jashtë rrezikut të infektimit nuk është askush.

Është një realitet që duhet përballuar. Duhet përballuar me përgjegjësinë e të gjithëve. Dhe me angazhimin e të gjithëve. Duhet përballuar me kujdes maksimal dhe duke respektuar pikë për pikë të gjitha rekomandimet e mjekëve, por edhe të gjitha vendimet shtetërore.

Është një realitet që duhet mundur e që për ta mundur, duhet të jemi të gjithë në një front e përkrah njëri-tjetrit. Pa panik, por me seriozitet, me rregull, me disiplinë. Duke u bërë vetë secili prej nesh shembull i respektimit të masave dhe rregullave e, edhe duke mos lejuar të tjerët t’i shkelin ato.

Lufta ndaj koronavirusit nuk bëhet me politikë. Nuk bëhet as me akuza, as me shfryrje mlleftare e retorikë bajate nga “foltorja” e ngritur mbi një arrogancë dhe delirancë idiote e të pavlerë.

FAKTI

Kryetari i Partisë Demokratike zoti Lulzim Basha denoncoi publikisht një fakt: maskat profesionale, një sasi prej 1.2 milionë të tilla, të shpërndara për punonjësit e sistemit të shëndetësisë, rezultojnë të skaduara që prej vitit 2011!

Zoti Basha në këtë rast, as sajoi dhe as trukoi ndonjë gjë. Ai vetëm zbuloi dhe lexoi atë që zbuloi dhe që është e shkruar e zezë mbi të bardhë mbi kutitë e maskave nga prodhuesi i tyre, edhe pse e mbuluar “çuditërisht” në të gjitha kutitë njësoj, në të njejtën mënyrë, me një letër të ngjitur enkas mu mbi datën e skadencës!

Ky është fakti. Pas asnjë koment.

Dhe i pambuluar. Në sytë e të gjithëve.

Askush, madje asnjë njeri me sado pak aftësi për të kuptuar, nuk ka dilema e nuk dyshon se një produkt i skaduar nuk duhet përdorur! E më tej se kaq, shpërndarja e një produkti të skaduar, i çdo lloji qoftë ai, është vepër e dënueshme!

Në kësi rastesh, detyra dhe përgjegjësia është e prokurorisë. Prokuroria duhej që menjëherë pas denoncimit publik nga ana e kryetarit të Partisë Demokratike, të fillonte hetimin e faktit dhe referuar situatës alarmante në të cilën gjendet vendi, edhe të informonte me transparencë qytetarët për fillimin e hetimit.

Këtë do të bënte prokuroria në çdo vend normal, me njerëz normalë e të përgjegjshëm për detyrat që kryejnë.

Këtë duhej ta bënte prokuroria edhe në Shqipëri.

Do të duhej t’a bënte pa folur kryeministri e madje t’a urdhëronte kryeministrin që të mos fliste pa u shprehur zyrtarisht prokuroria!

Por kryeministri foli. Si zakonisht e sipas një modeli të vjetër, ai foli i pari, duke përcaktuar edhe vijë sjelljen e të tjerëve, në këtë rast jo vetëm të ministrave të tij që e dëgjonin si guakë të matufepsur e gojëmbyllur, por përcaktoi edhe vijësjelljen e prokurorisë.

Foli dhe u hakërrua duke dëshmuar qoftë edhe me nervozizmin e tij të shpërfaqur rëndom kohëve të fundit, më së paku paaftësi dhe frikë, jo prej mbulimit të datës së skandencës në maskat e shpërndara, po prej maskës së pavlerë për të mbuluar fytyrën e paaftësisë qeverisëse.

MASKAT…

Maskat janë të skaduara. Ketë fakt as kryeminstri vetë nuk e mohoi. Por ai shtoi se ato, pra maskat, nuk janë të dëmshme për përdoruesit e tyre!

Një spekullim me termat. Sepse, mund të thuash që nuk janë të dëmshme në kuptimin që ato, maskat, nuk e dëmtojnë përdoruesin e tyre, por a e evitojnë, a e parandalojnë ato duke qenë të skaduara dëmin eventual mbi përdoruesin?!

Ndërkaq mjekët thonë të kundërtën.

Mjekët thonë që një produkt i skaduar nuk duhet përdorur.

Dhe kanë të drejtë.

Mjekët tanë e të gjithë punonjësit e shëndetësisë që janë në ballë të luftës me të keqen e virusit monstër, nuk mund të përdoren si kavie. Me ta nuk mund të eksperimentohet deri në caqet e ligësisë!

Maskat kanë skaduar që në vitin 2011! Shto këtu edhe kohën e gjatë të magazinimit e për më tepër kushtet e dyshimta të magazinimit në Shqipëri, për të marrë me mend se deri ku shkon skadenca e tyre.

Përballë këtij fakti cilido me të drejtë pyet:Çfarë kuptimi ka data e skandencës mbi kutitë e maskave?

Përse prodhuesi ka vënë kohën e përdorimit dhe ka shënuar afatin e skandencës?

Dhe pyetja tjetër; përse është mbuluar data e skandencës?!

Këto e shumë pyetje të tjera duan përgjigje, nga PROKURIA dhe jo nga KRYEMINISTRI!

Të kërkosh zbardhjen e të vërtetës nuk është politikë, ashtu sikundër nuk është politikë denoncimi i të vërtetës, edhe kur këtë e bën një qytetar me atribute të përfaqësimit politik.

Solidaritet për t’i bërë ballë të keqes që na kanoset të gjithëve, nuk do të thotë të heshtësh e të mos e denoncosh të vërtetën, për të parandaluar përshkallëzimin e të keqes.

KRYEMINISTRI

Kryeministri mund ta përdorë maskën, por maska nuk i vlen as atij vetë. Sepse ajo është e skaduar!

Një kryeministër normal dhe i përgjegjshëm, menjëherë pasi merr dijeni për një fakt, gjëja e parë që bën kërkon informacion mbi faktin; është i vërtetë apo jo.

Dhe pasi mëson që fakti është i vërtetë, e administron me përgjegjësi shtetërore të vërtetën dhe krijon kushte që e vërteta të hetohet ligjërisht dhe në paanësi.

Një kryeminstër i përgjegjshëm thërret dhe konsultohet specialistët e fushës dhe më parë se të thotë që “maskat nuk janë të dëmshme”, duhet të na thotë se pse nuk janë marrë maska të paskaduara, ndërkohë qe po bëhen afro tre muaj që u paralajmëruam për koronavirusit, qysh prej kohës kur Kina u përballua me këtë realitet.

Nuk kam arsye të paragjykoj kryeministrin, edhe pse pa qenë specialist merr përsipër të bëjë specialistin. Por kam të gjitha arsyet e botës të besoj mjekët.

Dhe mjekët thonë një produkt i skaduar nuk duhet përdorur! Dhe që ta kuptojë edhe kryeministri, dëm nuk është vetëm kur një produkt i prodhuar për të mbrojtur bën dëm drejtpërdrejt mbi përdoruesin, por edhe prej faktit që duke qenë i skaduar, nuk parandalon dot dëmet eventuale!

Unë e gjej veten në silidaritet të plotë me kryeministrin dhe qeverinë e tij dhe e mbështes maksimalisht në të gjitha vendimet e marra për përballimin e situatës emergjente të shkatuar prej epidmisë, por kjo nuk i jep atij të drejtë t’a përdorë epideminë dhe as solidaritetin tim e të të gjithë qytetarëve për të na e mbuluar të vërtetën me maskat e tij të skaduara.

Kryeminstri vetë është rasti ekselent kur maska nuk i bën më punë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura