Kreu i LSI: Berisha ka bërë më të mirën, por u bë pengesë për vendin.
“Në opozitë edhe nëse koalicioni i majtë humbet”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha dje se e vetmja marrëveshje me PS-në është ajo e Shkodrës, duke lënë të nënkuptohet se nuk ka asnjë pikë që të flitet për Kryeministrin e ri pas 23 qershorit. Në një intervistë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan, ku u prezantua edhe programi i LSI-së, Meta tha se çështjen e kreut të qeverisë do ta zgjidhë vota e qytetarëve. “Kur të vijë zoti Naço këtu, mund ta pyesni. Në gjithë programin tonë nuk kemi çështje të tillë. Kjo është një çështje që do të zgjidhet në respekt të votës së qytetarëve, në respekt të rregullave të demokracisë. Qytetarët do votojnë më 23 qershor, ne do të respektojmë votën e tyre. Për mua dhe për qytetarët nuk është kjo e rëndësishme. Për qytetarët është e rëndësishme t’u jepet zgjidhje për problemet e tyre. Ky është përqendrimi ynë dhe ne jemi në funksion të kësaj gjëje. Ne për këtë çështje respektojmë votën e qytetarëve shqiptarë dhe rregullat e demokracisë. Në rast se PD-ja del parti e parë si numër mandatesh kjo nuk ka asnjë vlerë, sepse rëndësi kanë koalicionet”, u shpreh Meta. I pyetur nga gazetarët e ftuar nëse ka një marrëveshje me PS-në se kush do të jetë kryeministër pas zgjedhjeve, lideri i LSI-së tha se “Kjo nuk ka asnjë rëndësi. Ne kemi një program shumë të qartë për qytetarët shqiptarë. Çështejn e kryeministrit e zgjidhin qytetarët në bazë të votës së tyre. Koalicioni ka vetëm marrëveshjen e Shkodrës, është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Për ne, është i rëndësishëm programi i qeverisë, ku do të marrim pjesë dhe do të marrim përgjegjësi. Rëndësi ka të hapim vende të reja të punës, ç’rëndësi ka se kush do jetë kryeministër”. Në të njëjtën kohë Meta foli me siguri për qëndrimet që do të mbajë LSI-ja pas zgjedhjeve. Sipas tij, kjo forcë politike do të jetë në opozitë nëse koalicioni i majtë i humbjet zgjedhjet. “Koalicioni paraelektoral që kemi bërë me PS-në, do të thotë që është një koalicion edhe paszgjedhor. Nuk del kurrë 70-70, por do të dalë 80-60. Në respekt të demokracisë, të jeni të sigurt se nëse ndodh ajo që nuk mund të ndodhë, Lëvizja Socialiste për Integrim këtë koalicion e ka afatgjatë, e ka strategjik. Edhe pas 23 qershorit, edhe në rast se nuk do të fitonte ky koalicion, gjë që nuk mund të ndodhë, do ta vazhdonte këtë koalicion qoftë edhe në opozitë me Partinë Socialiste”, deklaroi kreu i LSI-së. I pyetur mbi tezën e kryesocialistit Rama se Berisha duhet të largohet pasi ka moshën e një gjyshi dhe duhet t’u përkushtohet nipërve të tij, Meta tha se Berisha ka bërë më të mirën e tij, por tani është kthyer në pengesë për vendin. “Kjo është çështje e stilit të të shprehurit dhe të gjetjeve. E rëndësishme është që PD-ja nuk përfaqëson një shumicë në Shqipëri. Ka qenë këto tetë vite për shkak të problemeve që ka pasur e majta. Bashkimi PS-LSI është automatikisht bashkim i shumicës së shqiptarëve. Berisha ka bërë më të mirën që mund të bënte sipas vlerësimit tim, por tani është bërë një pengesë për vendin, sepse është shkëputur nga realiteti. Ka përqendruar edhe shumë pushtete”, tha më tej kreu i LSI. Ndërsa për propozimin e Ramës për shfuqizimin e planit urbanistik të Tiranës, Meta deklaroi se “Së pari kemi një problem tjetër që duhet të normalizojmë Bashkinë e Tiranës. I lutemi kryetarit të Bashkisë që t’i marrë çelësat zotit Kosovrasti dhe t’ia dorëzojë kryetarit legjitim të Këshillit Bashkiak. Më pas, çdo gjë duhet vlerësuar në mënyrë konkrete në bazë të mendimeve më të mira të specialistëve, larg qëllimeve politike të cilitdo”.
Programi
Lëvizja Socialiste për Integrim premton hapjen e 175 mijë vendeve të reja të punës. Gjatë prezantimit të programit në emisionin “Opinion”, LSI premtoi rritje të prodhimit vendas duke nisur nga agrobiznesi. Sa i takon tatimit mbi të ardhurat, LSI premtoi se pagat deri në 35 mijë lekë nuk do të tatohen, ndërsa ato nga 35 mijë deri në 50 mijë lekë do të tatohen vetëm me 10% të diferencës së pagës që merr punëtori me shumën 50 mijë lekë. LSI premtoi gjithashtu katërfishimin e fondit për bujqësinë.
Taksa e sheshtë
I pyetur nëse mbështet propozimin e PS-së për heqjen e TVSH-së për disa produkte, Meta tha se “Ne jemi për rritjen e prodhimit vendës. Ne kemi një program shumë të qartë, edhe në fushën e bujqësisë, edhe në të gjitha fushat e tjera. Ne jemi për të gjetur zgjidhjet më të mira, të cilat ndihmojnë shtresat më të varfra të shoqërisë për të përballuar jetesën përmes garantimit të një bonusi jetik, por njëkohësisht edhe për të inkurajuar dhe për të rritur prodhimin vendës. Kemi disa fusha, disa sektorë, ku synohet rritja ekonomike, po mund t’ju them këtë gjë, që shpeshherë prodhuesit tanë, fermerët tanë, ankohen sepse i kanë mbytur si të thuash mallrat nga Maqedonia”.