Kryeministri i një zone operative

Aug 12, 2022 | 9:45
SHPËRNDAJE

Romeo-Gurakuqi1

ROMEO GURAKUQI

Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, nuk pranon vërejtje, as sugjerime dhe komunikime, aq më pak kritika të qytetarëve në faqen e tij, e cila është e vetmja mundësi që publiku ka për t’iu adresuar autoriteteve si Ai.

Zoti Rama, njëlloj si çdo drejtues i vendeve jo të lira, fshin, injoron, ba me iu tek, kur hana i ndryshon orbitë, edhe të bllokon. Të bllokon jo thjesht në rrjet (dhe kjo s’ka ndonjë rëndësi thelbësore), por sistemi që ai ka krijuar gjithandej është klientelist, përjashtues, bllokues, për këdo që nuk është sipas linjës së tij politike dhe të interesave të klanit personal: në punë, në profesion, në aksesin e barabartë ndaj mundësive që ofron shoqëria jonë për konkurrim, në administratë, në të drejtat e punësimit, le të themi, në universitete; në fondet e kërkimit shkencor; në bordet shkencore dhe ato të trashëgimisë kulturore etj…

Kjo është sjellja e KM të vendit që sapo hapi negociatat me EU, në përgjithësi ndaj kujtdo që nuk bën pjesë në grupin e tij politiko- krahinor, posaçërisht ndaj kritikëve, veçanërisht ndaj atij rrethi kulturor, që nuk e ka pranuar konvertimin e tij të rreme europianist.

Këto ditë i shkrova drejtpërdrejt për gjendjen e rrugëve drejt Shkodrës dhe nga Shkodra; i shkroi për nivelin profesional të administratës së varun prej tij në anët tona; për shkatërrimin e përfaqësimit tradicional në Këshillin Bashkiak Shkodër prej të deleguarve të tij diletantë partiakë; për damtimin që ai, me administrimin e tij korruptiv, klientelist, i ka sjellë shpresës së rinisë për të ardhmen; për depresionin që ai dhe sivëllezërit e tij të klasës politike ngatërrestare me turbulencën permanente, i kanë sjellë shoqërisë në tërësi.

Kaq do të mjaftonte që censori të shfaqte gjithë atë që mbante fshehur në nënvetëdijen e tij.

Sot, mundësitë e informimit të publikut janë të shumta, ndaj edhe unë dua t’ia bëj publike adresimin:

“Zotëri i nderuar

Ndërtimi i bypass-it të Vlorës është një punë shumë e mirë, e shkëlqyeshme për turizmin dhe jetën e përditshme për bregun dhe Sarandën, njëlloj sikurse ndërlidhja e Delvinës i hap një mundësi të madhe komunikimi banorëve të këtyre aneve. Ngjan qartazi se jeta në një pjesë të Shqipërisë sërish ka ndryshuar për të mirë. Megjithatë, ju jeni Kryeministri i një qeverie nacionale dhe jeni i titulluar të mendoni për të gjithë qytetarët njëlloj. Për fat të keq, kjo sjellje prej 9 vitesh ën drejtimin tuaj nuk ndodh. Ju bëni sikur harroni që nëpër Veriun e Shqipërisë, respektivisht nga dy daljet e Shqipërisë në Shkodër, kalojnë të vetmet rrugë lidhëse tokësore të Shqipërisë me të gjitha vendet e Europës (d.m.th., jo me një vend të vetëm). Të gjitha hyrjet e Shqipërisë me Evropën kalojnë mes përmes qytetit të Shkodrës. Edhe tangencialja e gabuar, që ju me kokëfortësi e përfunduat pa një dalje, serish përfundon brenda Shkodrës. Qytetarët që i qeverisni mbrëmë, edhe pas orës 21:00, kanë shpenzuar 90 minuta për të kaluar nga hyrja e Shkodrës në veri deri në dalje të Lezhës dhe anasjelltas. ndërkohe ju, sot që pa gdhirë mirë, tregoni video nga Shqipëria juaj imagjinare, si për t’i injoruar mundimet e qytetarëve që në mënyrën tuaj mendoni se i qeverisni.

E gjithë Kosova, pas kalimit të Rrugës së Kombit, vjen e bllokohet në Urën e Matit në Milot, pa dit nga me ia mbajt, ndërkohë që ju kaloni pushimet në vilat qeveritare në breg, të vendosura menjëherë pas tangenciales që e nxirrni çdo ditë në faqen tuaj dhe që ngjan sikur është ndërtuar enkas për ju. Të gjithë pyesin nëse ju keni bërë një përllogaritje numerike mbi shfrytëzimin e arterieve rrugore të Shqipërisë, para se ta boshatisni buxhetin e shtetit vetëm me një qark të vendit?!

Besoj se nuk hyn në metodën tuaj të punës.

Me duhet t’ua vë në dukje, zoti Kryeministër, se me mënyrën se si punoni, nuk jeni asgjë më shumë se një shpërndarës i padrejtë i fondeve publike të qeverisë shqiptare, të cilën bëni sikur e drejtoni. Në fakt, jeni thjesht drejtues i një qeverie që nuk mblidhet në Këshill të Ministrave, i një kabineti qeverisës të papërkufizuar në numra dhe në dikastere, një strukturë imagjinare, që operon përmes komunikimeve elektronike dhe jo përmes vendimeve të protokolluara. Thënë ndryshe, ju shpërndani fonde sipas tekave tuaja, pa përcaktuar metodologjinë e investimeve në territor, prioritet zhvillimore, nevojat e qytetareve, integrimin e komuniteteve proporcionalisht në programet e zhvillimit etj… Ngjan se jeni thjesht Kryeministri i një Zone Operative, i një krahine të vetme, deputet i së cilës, ju jeni vetemëruar. Me sjelljen tuaj, diskriminimin e thellë dhe të gjithanshëm që po i bëni Shqipërisë Veriore në përgjithësi dhe asaj VeriPerëndimore në veçanti, ju po tregoni qartazi se nuk jeni praktikisht, Kryeministër i një qeverie kombëtare, kusht themelor ky për t’u pranuar në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në EU. Provojeni të udhëtoni nga Tirana ne Shkodër këto ditë; provojeni të udhëtoni për në Malësinë e Gjakovës, a do të mund të arrini përmes territorit të Republikës së Shqipërisë; provojeni të shkoni në Pukë dhe Fushe-Arrës, nëpër sa gropa do të bjerë makina juaj e blinduar; përpiquni të mbërrini brenda ditës në Kir, Ndreaj dhe Bregu i Lumit në Dukagjin, mbasi kam të qartë se Toplana, Temali, Dushmani dhe Shllaku në tanesinë e vet, as nuk janë në hartën tënde të kuptimeve mbi Shqipërinë. Janë edhe ato pjesë e Shqipërisë, që ju pretendoni se e drejtoni i nderuar! E ndër ato anë, varfëria është shtruar këmbëkryq, pamundësia e një jete normale dhe komunikimi me pjesën tjetër të Shqipërisë nën kujdestarinë tënde të dedikuar me një vektor të vetëm, një realitet i hidhur.

Si mundeni ta lini ju drejtimin e punëve qeverisëse të Shkodrës në duar dhe mendje njerëzish, që vërtet mund të jenë ekspertë për elefantët, por nuk kanë kapacitetet minimale për t’u marrë me njerëzit, as aftësitë administrative dhe gjykimin normal vendimmarrës për t’i trajtuar të gjithë qytetarët me dinjitet dhe barazi?

Si mundeni ta lini ju qytetin me 3000 vite jete, nën kontrollin ilegal të dhunës dhe injorancës?!

Si mundeni ju të shkatërroni përfaqësinë ndërkomunitare të Shkodrës në Këshillin Bashkiak, e përcaktuar me kode të qarta legale, prej kohësh që nuk mbahen mend?!

Sjellja juaj qeverisëse është anormale, kujdesi juaj për një pjesë të qytetarëve nuk ekziston, papërgjegjshmëria, mungesa e kompetencës qeverisëse është ulëritëse, harta e sjelljeve diskriminuese ndaj komuniteteve të caktuara ku jetojnë shqiptarë, që prej shekujsh nuk janë përkulur para asgjëje, një njollë turpi për ju dhe qeverinë monopartiake, që ju kinse drejtoni.

Në fund për nga rreshtimi, por që është e para për nga emergjenca, depresioni që ju keni krijuar në shoqëri:

Nuk ka 18-vjeçar shqiptar që don me ndej në Shqipërinë që ju, me papërgjegjshmëri e keni kthye, në skëterrë për njerëzit normalë, për familjet shqiptare, për klasën e mesme. Si mundet një prind, një intelektual i sferës së artit, një qytetare i këtij vendi, t’i krijojë me drejtimin e tij makut, papërgjegjshmërinë për veprimet individuale, arrogancën komunikative, një pasiguri totale rinisë shqiptare, dhe të mos tundet sadopak në thellësinë e ndërgjegjes së vet nga kjo situatë dramatike??!!

Shqipëria nuk është vetëm e juaja, e fëmijëve të tu dhe valltarëve të tjerë për kundruall teje në skenën e politikës shqiptare. Ju të tre bashkërisht keni bllokuar jetën në këtë vend dhe po mbani peng lirinë dhe përparimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.

Dhe Shqipëria është edhe e jona, e fëmijëve tanë, e qytetarëve në Veri dhe Jug të vendit, njëlloj.

Juve, kryetarëve të skenës se vallëzimit politik që po mbani sot peng Shqipërinë me frikën dhe ambicien tuaj për të mos hapur rrugë, ju dha shansi, por e përdoret për interesat tuaja personale, besimin e naltë që ju dhanë qytetarët.

Ju ma i pari keni 24 vite që talleni dhe nuk bëni asgjë, veç videot e Zonës Tënde Operacionale, si këto që po ua shfaqni tani mitantëve tuaj, të kredhur në injorancë, bindje të verbër dhe përkulje servile ndaj jush.

Jeni në fund të rrugëtimit tuaj dhe e mira është të hapni sytë, të gjeni zgjidhje të përshtatshme tranzitive me interes publik dhe të largoheni para se ndërtesa 3D që keni krijuar t’ju shembet.

Është shumë 24 vite, zoti Kryeministër! Nuk jeni vetëm ju dhe shokët tuaj në këtë vend. Shqipëria është 4 milionë. Shumë të tjerë, qytetarë të shkolluar dhe profesionistë, që e duan me të vërtetë këtë vend, mund ta bëjnë më mirë se ju punën, edhe brenda PS”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura