Kryeministri i kapur nga importuesit

Nov 20, 2015 | 10:56
SHPËRNDAJE

RediGjuziREDI GJUZI

Paketa Fiskale, ose ndryshimi i taksave nga një vit në tjetrin, i shërben qeverisë për të plotësuar nevojat e saj buxhetore, apo për të nxitur zbatimin e politikave të saj programore Dy janë arsyet pse taksat ndryshojnë: ose qeveria ka nevojë për para, ose qeveria lehtëson barrën fiskale për të nxitur ekonominë.

Çdo qeveri, në programin e saj ekonomik ka prioritetet e veta për nxitjen e sektorëve të caktuar të ekonomisë. Në finale, rrugët që ndjekin qeveri të ndryshme, me taksa të larta, apo të ulëta, për shtresa, apo sektorë të caktuar të ekonomisë, kanë një finale. Rritjen e cilësisë së jetës, pasurimin dhe mirëqenien e sa më shumë qytetarëve të vet. Qeveritë dështojnë apo kanë sukses, por, sidoqoftë, synimin final e kanë të njëjtë. Apo më saktë, duhet ta kenë të njëjtë.

Në Paketën e re Fiskale qeveria ka ndryshuar disa taksa. Këto ndryshime nuk sjellin të ardhura shtesë në buxhet. Disa taksa ulen, e disa rriten, por produkti final, pra të ardhurat shtesë nga paketa, janë të papërfillshme. Qeveria me aktin e vet tregon se nuk ka nevojë për para. Pra, po zbaton politikën e vet ekonomike, për nxitjen e disa sektorëve që ajo i shikon si prioritarë për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

TYMOSNI DUHAN

Por ndryshimet në ligjin e akcizave duket se nuk kanë lidhje as me mirëqenien e qytetarëve dhe as me pasurimin e tyre. Në të kundërtën, këto ndryshime shkojnë kundër mirëqenies së qytetarëve dhe pasurojnë pak njerëz, që duket se kanë kapur Qeverinë dhe Kryeministrin. Ky i fundit, si firmëtari final i akteve fiskale, bën thirrje të hapur për qytetarët që të tymosin më shumë duhan. Në Paketën Fiskale të vitit 2014, e para e Ramës si Kryeministër, akciza e duhanit u rrit 20 lekë për paketë.

Ligji parashikonte që edhe në vitet 2015 dhe 2016 akciza duhet të rritej me nga 10 lekë/paketë. Arsyet që dha në atë kohë kreu i Qeverisë ishin humane. Ai dhe ministrat e tij theksonin se Qeveria nuk e rriste akcizën për më shumë para në buxhet, por për uljen e konsumit të duhanit. Sipas Ramës dhe ministrave të vet, sëmundjet që shkaktohen nga duhani kanë një kosto shumë të lartë për buxhetin, dhe shtrenjtimi i tij me rritjen e akcizës do të dekurajojë tymosjen. Si rrjedhojë, më pak duhanpirës, më pak të sëmurë, më pak shpenzime.

Por, dy vite më vonë, importuesit e duhanit ia kanë dalë të bindin Ramën se duhani është i mirë… për financat. Dhe Rama i ka ndërruar qytetarët me paratë. Këtë vit, akciza e duhanit nuk do të rritet. Arsyet? Janë ankuar importuesit. Dhe kjo ankesë është arsye zyrtare për të mos rritur akcizën. Ja çfarë shkruhet në relacion për arsyet e mosrritjes së akcizës këtë vit: “Rritja e akcizës, dhe si rrjedhojë edhe e çmimit të produktit final në treg, në mënyrë të logjikshme do të shoqërohet me zvogëlimin e sasive të importuara”.

Pra, më pak importe, më pak fitime nga importuesit e cigareve. Hall i madh për qeverinë! Po u bien fitimet importuesve të duhanit. Dhe Rama parashikon jo pak, por një rritje të konsumit të duhanit, nga 2600 tonë këtë vit, në 3 mijë tonë vitin tjetër. Importuesit e kanë bindur, me mënyrat e tyre, se të ardhurat nga duhani janë më të mira, sesa ulja e shpenzimeve për shërimin e atyre që sëmuren nga duhani. Çuditërisht, importuesit janë emra të njohur për qeverinë edhe në koncesionet e shëndetit. Ndoshta më shumë fitime nga duhani, shërbejnë për më shumë fitime edhe nga sëmundjet.

Pini birrë të huaj

Në një akt tjetër, kampion të nxitjes së ekonomisë vendëse, qeveria e Ramës ul me 15 për qind akcizën e birrës së importit dhe rrit me 11 për qind akcizën e birrës së vendit. E bën se i duhen para? Jo. Nga ky ndryshim Qeveria del me humbje, 17 milionë lekë. Habitshëm, emrat e importuesve të duhanit lidhen edhe me birrën. Në Shqipëri ka kompani gjigante që importojnë duhan, shesin birrë importi dhe shërojnë njerëz. Të gjitha i bëjnë në bashkëpunim me politikat fiskale të Ramës.

Ky i fundit, gjen kurajën të propozojë dhe të dërgojë në Kuvend një ligj që rrit taksën për birrën vendëse dhe e ul për atë të importit, në mënyrë që buxheti i shtetit të marrë më pak para. Pra penalizon të gjitha fabrikat e prodhimit vendës, dhe favorizon ata që sjellin birrë nga jashtë. Rrezikon mijëra shqiptarë që ushqejnë familjet duke punuar në këto fabrika, që disa importues, më pak sesa gishtat e dorës, të fitojnë miliona euro. Se kush përfiton nga ky veprim është e qartë.

Rama i di me emra e mbiemra kush fiton e kush penalizohet. Por ka zgjedhur të vendoset në krah të milionave të importit, dhe të penalizojë ata që punësojnë shqiptarë. Arsyet besoj se janë të qarta për atë vetë, pasi buxheti, siç thotë ai në relacion, do të marrë më pak para.

BUJQËSIA

Për ta bërë sa më qesharake Paketën e vet të masave fiskale, Kryeministri doli dje në një fshat të Tiranës, duke bërë thirrje që investitorët të hedhin paratë e tyre në bujqësi. Guxim i madh. I njëjti Kryeministër që rrit taksat për prodhimin vendës, bën thirrje të rritet prodhimi bujqësor, që sigurisht në masën më të madhe i shërben agroindustrisë. Investitorët duhet t’i besojnë Ramës.

Paçka se ky i fundit, një ditë të bukur, mund të vendosë që të rrisë taksat për produktet vendëse dhe t’i ulë për ato të importit. E ka një plan, që përkon fiks me bujqësinë. Akcizën e verës. Ka parashikuar ta rrisë me 73 për qind për prodhuesit vendës dhe ta ulë me 47% për importuesit. Vlen fiks për rritjen e investimeve në bujqësi. Mos t’ju duket çudi të bëjë thirrje të investoni në vreshta…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura