Kryeministri bojkotoi takimin me ambasadorët, BE: Shqetësime serioze për amnistinë fiskale

Sep 30, 2022 | 7:56
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI / Përmes një deklarate të shkurtër, zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë vuri në dukje se “ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnistinë fiskale dhe se do të vijohet me konsultimet me strukturat përkatëse të Qeverisë për rishikimin e legjislacionit”.

rama amabasadoret

Dje u zhvillua edhe takimi i radhës konsultativ, ku të pranishëm veç ambasadores së Bashkimit Evropian ishte edhe ambasadorja e SHBA-së si dhe ambasadorë të Suedisë, Gjermanisë, Hollandës, Italisë e Britanisë në vilën qeveritare nr.30. Por tryezës nuk iu bashkua kreu i qeverisë. Kryeministri Rama zgjodhi të mos ishte prezentë në takimin e zhvilluar me ambasadorët, një ditë pas deklaratës së bërë prej tij: “Amnistia do të bëhet, mos qani hallin sa do të mërzitet BE-ja apo Amerika”.

SHQETËSIMET

Çka është parë me shqetësim nga Komisioni Evropian është legalizimi i pasurive jashtë territorit të vendit. Pikëpyetjet qëndrojnë në mënyrën sesi do të bëhet riatdhesimi i kapitaleve, ndërsa ka jo pak hije dyshimi edhe mbi faktin që pjesë e kësaj amnistie mund të jenë edhe shtetasit e huaj, mjafton të kenë aktivitet biznesi në vendin tonë. Kjo, në gjykimin e ekspertëve, rrezikon ta kthejnë vendin në “lavatriçe” të pastrimit të parave të pista. Jo më pak kritik ka qenë edhe qëndrimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, sipas së cilës nisma nuk ofron garanci se përmes saj nuk do të vërshojnë para që burimin e kanë nga aktivitetet kriminale. Vënia në zbatim e amnistisë do të sjellë konkurrencë të pandershme në treg duke favorizuar individë me aktivitete të shkuara të paligjshme. Por hije dyshimi nuk ka vetëm për faktin që Amnistia fiskale favorizon ata të cilët nuk kanë deklaruar në këto 3 dekada pasurinë, por edhe mbi mënyrën sesi do të bëhet kjo. I gjithë procesi synohet të mbyllet vetëm në 5 ditë nga një njësi që do të funksionojë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Për ekspertët, mënyra e zbatimit është tejet e rëndësishme për të mos lejuar në rastin më të mirë dështimin e kësaj nisme dhe në rastin më të keq kthimin e saj në “minë me sahat”, duke i hapur rrugën legalizimit të pasurive që vijnë nga bota e krimit dhe trafikut.

MONEYVAL

Prej gati dy vitesh Shqipëria është pjesë e listës gri, apo e vendeve me rrezik të lartë për pastrimin e parave. Në raportin e fundit, Maneyval (strukturë pranë Këshillit të Evropës) vuri në dukje se nuk është bërë asnjë përmirësim dhe se nuk janë marrë në konsideratë rekomandimet e dhëna. Ndaj zbatimi i kësaj amnistie në këto momente, sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë do të sillte një stuhi të ekonomisë informale, për këtë ka rekomanduar tërheqjen e nismës. Në takimin konsultativ të zhvilluar disa javë më parë, Qeveria tentoi të bindte shoqatat e biznesit por edhe ndërkombëtarët mbi rolin e amnistisë fiskale por pa i dhënë përgjigjeve shqetësimeve se përmes saj do të legalizohen para që e kanë burimin në aktivitete kriminale. Këto pasiguri burojnë nga hapësirat që projektligji krijon, por edhe në faktin se kushtet në të cilat ndodhemi nuk japin garanci për zbatimin brenda kornizave ligjore. Mungesa e konsensusit politik është konsideruar po ashtu me rrezik, pasi nxit bizneset drejt informalitetit me bindjen se do të ketë amnisti të tjera.

AMNISTIA

Por pavarësisht kundërshtive të shprehura nga BE, opozita, biznesi, ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore apo edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar të cilat e kanë parë si kërcenim për evazion fiskal, dëmtimin e konkurrencës në treg, por edhe si shteg për pastrimin e parave të pista, qeveria duket e vendosur për ta çuar para nismën me “pretekstin” se e ka kërkuar 60 për qind e shqiptarëve. Draftligji parashikon deklarimin vullnetar të pasurisë deri në 2 milionë euro. Ky është tavani që qeveria ka vendosur. Nëse deklarimi bëhet brenda 4 muajve të parë nga hyrja në fuqi e ligjit, tatimi që do të paguhet do të jetë 7 për qind, ndërsa nëse bëhet pas këtij harku kohor, atëherë tatimi do të jetë 10 për qind.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura