kryeMINIstër

Nov 11, 2018 | 12:05
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA/ edmond-tupjaSipas një gojëdhëne të vjetër, që para disa dekadash e kam dëgjuar nga një historian i vjetër, kur e pyetën Ali Pasha Tepelenën se ç’ishte për të veziri, ai na qenka përgjigjur në mënyrë të figurshme: “Një vezir është dikush që rri ulur këmbëkryq duke pirë duhan mbi një fuçi baruti”. Kë quanin vezir asokohe? Mund të pyesë me të drejtë ndonjë lexuese e re apo lexues i ri – kureshtar/e, por ende e/i painformuar mirë – e/i kësaj rubrike të përjavshme. “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) na mëson se veziri ka qenë, në Perandorinë Osmane dhe në disa vende të Lindjes së Afërt, ai i cili mbante gradën më të lartë qeveritare, çka i bie të ketë qenë ai që ne sot quajmë Kryeministër. Nënteksti i përgjigjes së Ali Pashait tonë kombëtar është fort i qartë: Me gjithë pushtetin gati të pafund që gëzonte e ushtronte (mbi krye ai kishte vetëm sulltanin), në ato kohë të vrazhda intrigash e komplotesh të pafund në luftën për pushtet, mjaftonte një shkëndijë e vogël nga llulla e tij, pra, pakujdesia më e vogël dhe veziri hidhej në erë!

Sigurisht, nuk është rastësi që të dhënat e mësipërme sapo ia parashtrova publikut, sepse, për analogji, mund të pohojmë, pa u gabuar, që, pavarësisht shekujve, të cilët na ndajnë nga koha e Ali Pasha Tepelenës, zoti Rama, Kryeministri ynë, rri ulur këmbëkryq, por pa pirë duhan, jo mbi një fuçi baruti, por mbi një… minë. Një minë? Do të habitet shumëkush. Po, po, mbi një minë dhe këtë e dëshmon më së miri vetë fjala “kryeministër”, e cila në zemër të saj ka pikërisht fjalën “min(ë)”, siç e kam nxjerr në pah që në titullin e këtij shkrimi.

Zoti Rama mbi një minë! E tmerrshme! E pabesueshme! Por e vërtetë! Veçse një minë me sahat! Po, po, me sahat! Që kurdiset çdo katër vjet. Atë e kurdis ose e çkurdis sovrani popull me votën e tij. Ky e ka çkurdisur dy herë, por mund ta çkurdisë edhe njëherë tjetër dhe, kësisoj, Zoti Rama mund të rri ulur mbin minën e tij edhe një mandat të tretë. Po, po, kjo nuk është hiç e pamundur, sepse, siç thuhet proverbialisht në shqipe “E treta, e vërteta”, në frëngjishte “Jamais deux sans trois”, në italishte “Non c’è due seza tre” dhe, me gjasë, e njëjta gjë në ndonjë gjuhë tjetër.

Mirëpo, kjo çështje sikur ngatërrohet disi po t’i referohemi fjalorit “Le Petit Robert”, (Paris, 2004), sipas versionit elektronik të të cilit veziri ishte ministër, kurse Veziri i Madh ishte Kryeministër në Divanin e sulltanit. Oh, iu lutem menjëherë lexueseve dhe lexuesve të mi të mos më keqkuptojnë lidhur me fjalën “divan”: Divan në Perandorinë Otomane quhej salla e shtruar me shilte ku mblidhej qeveria ekskluzivisht mashkullore e Sulltanit, pra, nuk bëhej fjalë për ndonjë shtrat as për ndonjë dhomë haremi apo dëfrimesh të shthurura. Gjithsesi, përkufizimet e gjetura në fjalorin “Le Petit Robert” nuk më pengojnë t’i referohem, për analogji sërish, realitetit qeveritar në Republikën e Shqipërisë, kësaj treve ballkanike dikur të quajtur Arnautistan në kuadrin e Perandorisë Osmane. Në Divanin e zotit Rama, ndryshe nga ai i sulltanëve, kemi barazi gjinore, por e veçanta është se çdo Ministre apo Ministër rri ulur mbi minën e vet, përkohësisht personale, e cila, kur “shpërthen”, flak tutje vetëm ngarkesën e saj njerëzore, si në rastin e Tahirit dhe të Xhafajt kohët e fundit, pra, pa vënë në rrezik karrierën karizmatike apo karakteristike të vezireve apo vezirëve të tjerë vezullues. Këtë karrierë e vë në rrezik vetëm shpërthimi i minës, mbi të cilën rri ulur Veziri ynë i Madh, Madhështor e i Madhërishëm, i cili, me shkëlqimin e tij shkalafitës, shpartallues e shpërbërës, rrezikon pa dashur të ndezë ndonjë shkëndijë që të shkaktojë shpërthimin e minës së tij të mahnitshme, çka do t’i bënte pashmangësisht të shpërthenim tërë minat ministrore me gjithë minushet e minushët e tyre të përkohshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura