Tonin Fizi: Luaja loto kur më akuzuan për ngjarjen në Lezhë

Jun 21, 2015 | 7:11
SHPËRNDAJE

Tonin Fizi, i riu që u denoncua nga LSI, deklaron se mbrëmjen e së premtes ai ka qenë duke luajtur loto. Banori i fshatit Rrilë, në komunë Shënkoll, u akuzua publikisht se kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së Kryemadhit, pak kohë pas daljes së saj nga një takim në zonë.

Tonin Fizi

 Vetë Fizi thotë se është ndier i befasuar kur ka parë emrin e tij në televizion, ndërsa në ato momente po luante në një pikë lotosh në qytetin e Lezhës.

“Unë kam qenë duke luajtur loto në qendër të qytetit të Lezhës dhe kam mbi 20 dëshmitarë dhe kamerat e sigurisë që mund ta vërtetojnë lehtësisht që unë s’kam asnjë lloj lidhjeje me këtë çështje. Kur më thanë shokët që të ka dalë emri në televizor, unë mendova se ata po talleshin me mua, por një gjë e tillë ishte e vërtetë. E pashë vetë me sytë e mi dhe u shokova”, tha Fizi. Ai tregon se me shpejtësi ka marrë në telefon shefin e SHKB-së në Lezhë, duke i treguar se çfarë i kishte ndodhur.

“Ai më tha të shkoja në polici. Shkova në polici dhe u kam thënë se unë jam ai personi që u akuzua se ka qëlluar me armë drejt makinës së deputetes së LSI. Unë u dërgova të gjitha provat bashkë me filmimet e kamerave ku unë isha duke luajtur. Nuk e kuptoj një gjë të tillë, si paskam gjuajtur unë si fantazmë dhe jam kthyer sërish te lojërat. Ky është një mashtrim”, akuzon Fizi. Banori i zonës thotë se as nuk njihet me deputetin Aldo Bumçi e jo më të ketë qenë në makinën e tij. “Policia pse nuk bën ekspertizë nëse unë kam gjuajtur me armë? Policia pse hesht përballë këtij mashtrimi? U bëj thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin me urgjencë këtë ngjarje dhe këtë veprim të shëmtuar të deputetes”, thekson Tonin Fizi.

Nga ana tjetër, rreth 16 orë pasi Shtabi Elektoral i kandidatit të ASHE-së në Lezhë denoncoi se një person me precedentë penalë ka qëlluar me armë në ajër pranë automjetit të deputetes Monika Kryemadhi, policia ka dalë me qëndrimin zyrtar.

Policia e Lezhës sqaron se janë shoqëruar dhe pyetur disa persona pas njoftimit në sallën operative rreth orës 21:45 të datës 19 qershor se në Rrilë ishte qëlluar me armë zjarri gjatë lëvizjes në këtë zonë të deputetes së LSI, Monika Kryemadhi.

“Sipas njoftimit, Kryemadhi po lëvizte së bashku me vajzën e saj dhe anëtarët e tjerë të shtabit elektoral të kandidatit të ASHE për kryetar të Bashkisë Lezhë. Menjëherë Policia ka shkuar në vendngjarje ku ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, si dhe ka kryer veprimet e para hetimore për të cilat ka vënë në dijeni Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë. Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave, motiveve, si dhe identifikimin e autorëve”, deklaron Policia. ELVIS HILA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura