Kryebashkiaku i Gramshit tradhëton PS-në, kandidon me komunistët e Marko Dajtit: Nuk më joshën me post drejtori

Apr 26, 2015 | 13:48
SHPËRNDAJE

Kryetari i Bashkisë së Gramshit, Dritan Bici, do të jetë kandidat i Frontit të Majtë, partisë komuniste të drejtuar nga Marko Dajti. Bici, i cili është në mandatin e dytë në këtë bashki, nuk u rikandidua nga Partia Socialiste, në vend të tij është vendosur Luljeta Dollani, drejtoresha e arsimit në këtë qytet. 

Rama dhe Dritan Bici në Gramsh

Përmes një statusi në faqen e tij në Facebook, Bici njofton regjistrimin në KZAZ nr. 51 i propozuar nga Fronti i Majtë, që është jashtë koalicionit të PS, ndërsa akuzon ish-deputetin e zonës, aktualisht ministër i Energjetikës, Damian Gjiknuri, se ka ndikuar në përzgjedhjen e kandidates së PS-së për këtë bashki.

“Ju njoftoj se sapo zyrtarizova kandidimin tim në garën për kryetar bashkie të Gramshit. Kandidoj si përfaqësues i Frontit të Majtë Shqiptar. Dëshira ime do të ishte të kandidoja nga PS-ja, por kjo u bë e pamundur nga këmbëngulja e ministrit të Energjetikës (i cili nuk është më deputet) i Gramshit, sepse dorëzoi mandatin dhe u bë ministër. Pra klani i Tapë Bodurit dhe i lojërave të fatit ndërhynë fuqishëm që unë të mos jem kandidat i PS për zgjedhjet e 21 qershorit”, shkruan Bici.

Sipas tij, në përzgjedhjen e kandidates nuk është zbatuar asnjë pikë e statutit të PS-së.

“Moskandidimi im erdhi për të vetmen arsye se nuk më komandonin dot siç donin ata. Dua t’u bëj me dije socialistëve të rrethit të Gramshit se nuk u respektua asnjë pikë e statutit të PS për përzgjedhjen e kandidaturave. As nuk u mor mendim nga asambletë e komunave, as u mblodh Asambleja Socialiste e rrethit për të diskutuar”, shkruan Bici.

Kryetari aktual i Bashkisë së Gramshit shprehet se në të gjitha sondazhet e organizuara ka dalë më i votuari.

“Në realizimin e këtij objektivi, z. Gjëkundi (Damian Gjiknuri) nuk arriti të bindë askënd për Zylyfin dhe në shenjë hakmarrjeje deshi të bindte Partinë sipër, që Dritani është konsumuar, realizoi një testim me një kompani private nga ku rezultoi që Dritan Bici ishte 90% fitues. Pastaj bëri një testim në Facebook që i doli mbi 90% dhe ishte përsëri fitues emri im”, shkruan Bici.

Ai shprehet gjithashtu se pasi nuk është rikandiduar për kreun e Bashkisë, i është ofruar një vend drejtori rajonal në Elbasan, por nuk e ka pranuar.

“Mua nuk më joshën dot duke më dhënë detyrë drejtori në Elbasan. Personalisht, për të mirën time, duhej të zgjidhja Elbasanin, por nuk mund të tradhtoj 23 vite të jetës sime si socialist. Kush është i kënaqur nga Damiani dhe nga Luljeta të votojnë për Luljetën. Kush është i pakënaqur nga Damjani dhe nga këto dy vite mashtrime, të votojë për mua, për dinjitetin e vet, për dinjitetin e Gramshit dhe gramshiotëve. Jam i bindur se Gramshi këtë radhë do të godasë fort. Do të rebelohet ndaj kaq viteve nëpërkëmbje. Ka ardhur koha që bijtë e Gramshit të marrin në dorë fatin e Gramshit”, përfundon statusin e tij në Facebook Dritan Bici.

Shkrimi u publikua në numrin e sotëm të Gazeta Panorama print

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura