Kryebashkiakët me dosje, Rama me drejtuesit e Veriut. Pranon dorëheqjen e katër drejtorëve, kërkoi që…

Sep 21, 2019 | 9:15
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi dje në Velipojë këshillin e Rajonit të Veriut, ku në qendër të takimit ka qenë dhe situata e krijuar pas denoncimeve të fundit edhe për kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani, nga PD, se ka fshehur dënimet e tij penale.

1

Pjesë e mbledhjes ishin ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili është njëkohësisht edhe koordinator politik i PSsë për Qarkun e Lezhës, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, dhe deputetët Paulin Sterkaj, Luan Harusha dhe Tom Doshi, i cili edhe pse është deputet i PSD-së, merr pjesë rregullisht në takimet partiake të socialistëve. Në mbledhje mori pjesë edhe kryebashiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani.

Pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryebashkiakut në Shkodër dhe reagimit të fortë të Këshillit Bashkiak Socialist, Kryeministri Rama ka nisur pastrimet në drejtimin e institucioneve në këtë qark dhe riorganizimin e thellë të Partisë Socialiste.

Ish-drejtuesi politik i këtij qarku, Ditmir Bushati, i cili ishte kritik me shkarkimet masive të drejtorëve në Shkodër, duke thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me rastin ‘Pjetri’, ndërsa shprehu shqetësim për rikthimin në PS të atyre personave që më parë ishin përjashtuar prej saj dhe për këtë fakt ishin përshëndetur dhe nga SHBA.

DORËHEQJET

Mësohet se kreu i qeverisë është shprehur se 80% e drejtorëve të institucioneve të Qarkut të Shkodrës do të largohen. Kryeministri Rama ka pranuar dorëheqjen e katër drejtorëve: Myzafer Bushit, drejtor i Drejtorisë së Thesarit; drejtor i Hetimit Tatimor, Agim Shima; drejtori i ARRSH, Shkëlqim Sterkaj, dhe drejtorit të ENT-it të banesave, Brian Murriqi, ndërsa dy javë më parë kishte kërkuar dorëheqjen e të gjithë drejtorëve burra. Ai është shprehur se të gjithë drejtorët kanë dhënë dorëheqjen, por do bëhet vlerësimi i performancës, për të bërë seleksionim pasi e rëndësishme është që bashkia të përfaqësohet me profesionalizëm.

Gjatë mbledhjes, theksi për këtë reformë është vënë te Qarku i Shkodrës, por nuk janë përjashtuar bashkitë e tjera si ajo e Kukësit. Socialistët ende nuk kanë një zgjidhje për kreun e Bashkisë së Shkodrës. Kjo bashki do vijojë të koordinohet nga dy komisionet e përkohshme të ngritura për emërimin e drejtorëve të rinj. Pas mbledhjes së drejtuesve të rajonit të Veriut, në një prononcim për mediat, sekretari organizativ i PS, Arben Pëllumbi, u shpreh se nuk është vendosur asgjë e re lidhur me Qarkun e Shkodrës.

“Në këtë mbledhje nuk është diskutuar as ngërçi dhe as problematika në lidhje me kryetarin e Bashkisë Shkodër. Bëhet fjalë për disa qarqe si Lezha, Kukësi, Dibra, të cilët diskutojnë disa problematika. U diskutua edhe elementi i dytë, që është elementi i organizmit të PS, që të jemi sa më pranë komuniteteve, që të zgjerojmë partinë me persona që duan të aderojnë në parti”, tha deputetja e Shkodrës, Senida Mesi, e cila tha se për largimet e drejtorëve do të shihet performanca e tyre.

“U diskutuan problematikat dhe vendimmarrjet e rëndësishme, duke filluar nga kryetarët e bashkive. Vlerësimi i përformancës, vlerësimi i buxhetit, vlerësimi i shërbimeve që janë ofruar apo duhet të ofrohen në bashkitë, tashmë rishtazi të krijuar, sigurisht me përjashtimin e Bashkisë së Shkodrës”, tha Mesi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura