Kronologjia e Super Ligës/ Nga “bombë” në “flluskë”, 48 orët që tronditën futbollin. Ja si dështoi puçi ndaj UEFA-s

Apr 22, 2021 | 10:14
SHPËRNDAJE

Në harkun e 48 orëve Super Liga Europiane, e mbështetur nga banka “JP Morgan” shkoi nga plan që kërcënoi futbollin në një tullumbace që plasi vetë. “Tradhti”, “gjarpërinj”, “gënjeshtarë” ishin disa nga epitetet e përdorura nga drejtuesit për njëri-tjetrin, të cilët nga shokë u bënë armiq dhe mund t’u kushtojnë klubeve të tyre miliona humbje për shkak të humbjes së besimit në publik dhe tifozëri. Super Liga ishte një ide shumëmiliardëdollarëshe, e ideuar shumë vite më parë, përpara se të shpërthente një sherr që u përshkallëzua dhe këtë javë përfshiu njerëzit më të fortë të këtij sporti, qeveritë, por dhe tifozët, faktorin kryesor që e rrëzoi atë.

Super Liga Europiane

E ENJTE, 15 PRILL (MBRËMJE) – Shefi i Junajtidit, Ed Uduard, i telefonon presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin dhe i thotë se është i kënaqur dhe mbështet planin për të reformuar Champions-in nga 32 në 36 skuadra. Uduard, tha Ceferin, kishte firmosur në fakt një kontratë për krijimin e Super Ligës. Biseda rrëshqet nga mbështetja e planeve të UEFA-s për “Fair Play”-n Financiar, pa ndonjë shenjë pakënaqësie nga ana e Junajtidit. Në këtë pikë, Junajtidi, Liverpuli, Juve, Reali dhe Barça udhëheqin grupin që përfshin edhe Totenhemin, Arsenalin, Milanin dhe Interin.

E PREMTE, 16 PRILL (MËNGJES) – Është një ditë e madhe për UEFA-n, me takimin e Komitetit të Konkurrencës dhe Shoqatën e Klubeve Europiane (ECA) për të finalizuar planet për ndryshimin e formatit të Champions-it, të cilin kanë muaj që e diskutojnë. ECA takohet, me të 12-ta klubet e Super Ligës së ardhshme, të cilat lënë jashtë vëmendjes dallimet e tyre për ndarjen e të ardhurave, ose të paktën këtë i thanë UEFA-s. Bihet dakord që planet finale do të vulosen të hënën dhe takimet përfundojnë me UEFA-n optimiste që ka gjetur një marrëveshje. Por, ata ishin gabuar…

PASDITE – Me Super Ligën ende sekret, firma ligjore “Clifford Chance” aplikon për regjistrimin e markës “The Super League” dhe logon e tyre të re në Gjermani. Klubet bëhen gati të shpërthejnë bombën, por gjithçka mbetet një thashethem për momentin. Çelsi dhe Siti bien dakord t’i bashkohen grupit rebel dhe me ato 12 skuadra janë mjaftueshme të forta për të dalë vetëm, pavarësisht se PSG-ja dhe Bajerni nuk kanë firmosur.

E SHTUNË, 17 PRILL (PASDITE) – Presidenti i Juves, Andrea Anjeli, flet me Ceferinin. Presidenti i UEFA-s kishte dëgjuar zëra për planin e shkëputjes, i diskutuar prej vitesh, por nuk kishte avancuar kurrë dhe donte të fliste me një njeri të besuar. Ceferin është nuni i vajzës së Anjelit dhe të dy kanë punuar ngushtësisht së bashku për planet e ndryshimit të Champions-it. Por, Anjeli e siguron mikun e tij: “Mos u mërzit, asgjë nuk po ndodh. Do të të telefonoj për një orë”. Ai fik telefonin dhe nuk ka më kontakt.

E DIEL, 18 PRILL (MËNGJES) – Grupi i “WhatsApp” i shefave të ECA-s shpërthen në njoftime, ata po bëhen më të vetëdijshëm për tradhtinë e Super Ligës. Anjeli është presidenti i ECA-s, por edhe aktori kryesor që kërkon largimin nga struktura tradicionale e futbollit europian. Për këtë sjellje, më vonë Ceferin do ta quajë atë “një gjarpër”.

ORA 13:29 – Tani, zërat po qarkullojnë publikisht për krijimin e Super Ligës. “DailyMail” raporton se në mbrëmje pritet lajmi i zyrtarizimit. 12 klubet heshtin, pyetjet e gazetarëve nuk marrin përgjigje. Nis paniku. UEFA, Premier Liga dhe shumë organizata të tjera lëshojnë deklarata kërcënuese për klubet rebele me përjashtim nga kompeticionet dhe bllokimin e lojtarëve për të luajtur me kombëtaret e tyre në Europianin e verës.

Superliga

ORA 14:30 – Legjenda angleze, Geri Lineker, shkruan në “Twitter”: “Nëse kjo është e vërtetë, do të ketë përçarje të mëdha në këtë lojë. E bujshme! Futbolli nuk vlen asgjë pa tifozët. E kemi parë këtë qartë në 12 muajt e fundit. Nëse tifozët qëndrojnë bashkë kundër kësaj skeme piramidale anti-futbolli, mund të ndalet që në fillimet e saj”. Shpërthejnë kritikat. Gerni Nevil, duke komentuar ndeshjen Junajtid-Bërnlej në “Sky Sport” shpërthen në një sulm: “Premier Liga duhet t’u zbresë pikë 6 klubeve të mëdha që këtë sezon. Ta bëjnë këtë që këtë sezon është një shaka. Është absolutisht një skandal. Junajtidit dhe 5 klubeve të tjera duhet t’u vijë turp nga vetja”. Xhemi Karrager duke komentuar të njëjtën ndeshje, e quan një turp ish-klubin e tij, Liverpulit. Roi Kin thotë se kjo ka ardhur për shkak të lakmisë së parave. Por, nuk është vetëm një debat futbolli. Përfshihet edhe politika dhe ndërhyjnë edhe kryeministrat e vendeve më të mëdha nga Makron te Xhonson që e quajnë shumë dëmtuese.

ORA 23:29 – Dy orë më vonë, klubet lëshojnë deklaratën e përbashkët që lexon: “12 klubet drejtuese të Europës janë bërë bashkë sot për të njoftuar se kanë rënë dakord për të krijuar një kompeticion të ri mesjave, Super Ligën, e cila do të drejtohet nga klubet e veta themeluese”. Pavarësisht kërcënimeve me përjashtim nga kampionatet e tyre, klubet thonë se duan të vazhdojnë të jenë pjesë e kompeticioneve vendëse. Në total do ketë 20 skuadra, me 2 të tjera që pritet t’u bashkohen themelueseve dhe 5 do të kualifikohen në bazë merite çdo sezon. Florentino Perez i Realit është presidenti, Anjeli zv/president bashkë me pronarin e Junajtidit, Xhoel Glejzër. Çuditërisht Junajtid nuk poston në “Twitter” përfshirjen e tij. Reagimi i tifozëve “online” është shumë negativ.

PANORAMASPORT.AL

LAJMIN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura