Kronika satirike e verës/ Gjekmarkaj rrëfen bisedën me Ramën për ministrat dhe Damjanin. Urra-të që dëgjova për Bozdon, Bumçin, Pampurin e Luçianon

Aug 7, 2020 | 18:20
SHPËRNDAJE

gjekmarkaj1

NGA AGRON GJEKMARKAJ

Nuk e di ç’patën, por disa personazhe të kronikes verore u larguan prej saj si djalli nga temjani ! Nuk duam të hargaliset mileti me ne thanë dhe në fytyrën e xhindosur u lexohej tersëllima dhe kërcënimi ! U mundova të merrem vesh me ta, ti lus me kafe, ujë a bozë, të ftohtë po s’qe e thënë, zienin si bletët në koshere. “E gjetëm veten si meze tek  akçihanja  jote do përfundosh ti i denoncuar tek policia që duam” lanë myzhdenë dhe mbyllen derën me rropamë! Iknin me vrap si dreqërit në mesnatë.

I pashë nga dritarja tek largoheshin dhe mbi supe mbanin  pluhurin e qosheve ku u rehatuan verave me zheg, por edhe diçka nga lavdia e kohës që ndamë bashke merrnin me vete. Por miqtë e mirë në ditë te vështire njihen. Me telefonoi vetë Kryeministri, merr ke të duash nga të mitë aty ka lëndë të parë boll dhe njerëzia kënaqet me ta, vetëm ca mi kurse sidomos ata që kujdesin ja kanë falur kërpudhës dhe reformave, Musain që po sjell pleh të freskët lopët ( bajga në gjuhen popullore) nga Drishti i Shkodres dhe Ulsiun me fatin prej Kromuelli mbi shpatullat e të cilit ka rënë reformimi i shtetit! Nuk kisha si të mos emocionohesha nga kjo zemërgjerësi !

Po me Ditmirin ç’të bëj e pyeta? Atë e ke merak vete tha se ju malësoret e Malësisë së Madhe keni shkuar mire me Bushatlinjt mjafton të rilexosh “Fratin e Pashallarëve Bushatlli” të At Zef Pllumit  paçka se ata qerratenj kur bënin pakte me Sulltanin ju harronin dhe me ju ndanin vetëm Kryengritjet dhe iluzionet për Atmen  por jo pushtetin e pasurinë tek ktheheshin në gjiun e Padishahut si evlatër bukëshkalë!

Ndihmoje të shkruajë atë letë siç duhet krejt si Mehmet Pashë Plaku Portes se lartë me ngucjen e At Erazmo Balneut, se thonë se ky i vogli i ngjan! Kështu të kuptojnë të tjerët se cilat gabime nuk duhen bërë kurrë në jetë dhe të jap fjalën se do të mendohem dhe nuk do e çoj në satër ! Eh ç’më gjeti, kërkova vetulla po nxjerr dhe sytë, tani edhe lutja e Dritos me duhej ! Por do e shkruaj së shpejti një variant dhe do e bëj publik.

Gjithsesi para se të ma nisë theksoi jepjani pak Elisës prej së cilës mund të merrni sugjerime të dobishme në gjetje titujsh, në theksim distancash hierarkike e sidomos në zulmën e të shprehurit besnikëri. Po Ferhatit, Shalesit, Felajt, Fates, Denajt, Klosit  sugjerova me naivitet? Kush janë këta u dëgjua një përçartje nga ana tjetër!? I kisha harruar fare, ç’mi kujtove ?!  Më mirë jo se janë gjëra të thella këto e turbullohen. Nuk paguhen për të menduar ata. Po Damianit se janë miq? Damo mik , babë e nënë vetëm mua ka sidomos tani që SPAK-u po i vërtitet dosjes së Dibrës vikati. E ke parë që se ka pe gjë të behet qesharak në Këshillin Politik? E kam parë pohova. E pra së është në siklet.

Mos duhet ta shoh edhe Sandrushi faqekuqi mërmërita ? Një joooo e zgjatur desh me çau timpanin, lerë atë tha se ti ma propozove i pari për ministër nuk të ka hije, pastaj ai është nën stres se do ti zërë vendin  Lindita Nikolles më çdo kusht, ndaj e sulmoi  edhe publikisht jam në hall me beso , me tre kryetaret e Bashkive shkon keq, drejtoret i mbledh si ushtarë, u thotë me shkruani mbi letër çfarë keni bërë mirë, çfarë keni bërë keq, dhe sa vende pune bosh keni aktualisht, ndaj xhan të kam mo e nga ! Pastaj në vitin 2050 ai do e çojë në zero numrin e aksidenteve. ! Mblodha fuqitë dhe një qoftë e bërë më doli nga kraharori si krusmë. Në fund ashtu befas më bërë një pyetje. Do bëjë përshtypje  Erjon Braçe me maskë , po të vendosë edhe një tek sytë a nuk duket si Antonio Banderas tek luan Zorron ?

Me këso grimca ngarkuar mora udhën për në Shëngjin, te freskohem në det, mejtova. Ndenja ca ditë u poqa në diell si simiti në furrë. Atje koronavirusi nuk ekzistonte. Në Lezhë po aq.  Po të mbaje maske të shikonin si ufo. T’ju flisje për pandeminë të shikonin me mëshire. Të mos u jepje dorën i çmerisje, dhe në ballë u vegonte mendimi se ky paska lojtur nga fiqiri.

U ktheva perseri në Tiranë. Një ditë pashë miken Kumbaro afër stadiumit Dinamo, ndjeva mall, desha ta ngjatetoja se 8 vjet larg, s’kishte njeri rrotull, por ajo përshëndeste here makinat,  herë pemët dhe kur u jepte dorën atyre refreni ishte i njëjtë me Edi Ramën gjithçka është e mundur dhe bio. Mbeta pa fjalë.

Habia më e madhe qe me inxhinjerin e PD-së, Bernard Banushin. Kohë më parë kur e pata takuar për të fundit here ika nga sytë këmbët se shikimin e kishte mynxyrë dhe vringellinte një dygrykëshe sërmi për këdo që kritikonte Lulzim Bashen. Bëra sikur nuk e pashë por më thirri, nga t’ja mbaja! U ktheva por leqet ama me dridheshin. C’të shihje, veshur me një kostum linoje, kollare të lëmuar dhe një borsalino mbi kokë filloi të me fliste butë e shtruar  për filozofinë, doktrinën, misionin, programin, qytetarinë dhe etiken e Bashës! Barrë e rëndë na pret tha po do ja dalim. Një e madhe metamorfozë kishte ndodhur Sauli ishte bërë Pal. Pushteti po troket në derë të Opozitës mendova. Ai i bekuar i ëmbëlson mendimet.

Verë me surpriza s’ke ç’thua ! Një pasdite në lagjen time dëgjova ca brohorima ! Rroftë Enno Bozdo thërriste njëri, aferim Aldo Bumçit ja kthente tjetri, një Urraaa për Tritan Shehun, një përshëndetje për Orjola Pampurin gjëmonin dy të tjerë, selam Luçiano Boçit një grumbull, rroftë Gert Bogdani  dhe Mond Spaho ca të tjerë ,  s’po kuptoja gjë dhe pyeta një burrë, ç’po ndodh? Populli opozitar po propozon kandidatet për kandidat për deputet dhe me kqyri drejt e në sy. Të njoh ty tha je yni. Do të bëhet Shqipëria me pyeti, ëhë do të bëhet ja ktheva gjithë entuziazem ?! I duam, i duam, i duam me ndiqte nga pas jehu i thirrjes qytetare!

Lajmet s’kanë të pushuar. Me titra shoh se PD ka krijuar një komision me burra e gra zamani për të seleksionuar deputetet . Një zjarrmi  e madhe ndihet kudo për tu bërë At i Kombit. Bujar Nishani, Besnik Mustafaj, Mark Marku, Genc Ruli dhe zonja Enriketa Papa do kenë punë të vështire. Më në fund një gjë e re dhe e  mire e madje  serioze mes shumë shakashë të politikes. Nuk duken persona qe nëse i bën prift ju rruan edhe mjekrën.

Në Bejrut nami i zi . Shperrtheu një xhepehane e dogji gjysmën e qytetit me njerëz e katandi. Në Skrapar gjithashtu u dogj një fabrikë dhe tymi u zgjat deri në Grykë të Mezhgoranit ! Thonë që LSI aty ka Mekën e vet ndaj ka dërguar vetë  Braimllarin babaxhan  dhe tre ish deputete rioshe emri i të cilëve nuk kujtohet lehtë se kanë një vit që skanë dalë në tv dhe janë harruar. Se libra nuk shkruajë që të mbeten në kujtesë të uruarit.

Tek po bëhesha gati ta mbyllja këtë rrëfenje që filloi qejfprishur kur ja behu Bradhyl Londo po pse kështu mor bir tha? Unë:  ç’të kam bërë ? E çdo më bëje më shumë se kaq?! Dikur i filloje kronikat me mua tani mu desh të vija vetë këtu. U ndjeva në faj ! Po ja u justifikova  kronika është kështu deledash pa gjini, jo serioze, personazhet me ikën , mirë që nuk me futen ndonjë shpullë ! Po ç’thua foli vëngër. Kjo është gjëja me serioze që bën ndaj mo guxo ta hapesh kroniken  më pa mua se shpullën e ke nga unë dhe kam dorë të rëndë ta dish. Ndjeva lehtësim por edhe trandje tek përfytyroja dackën e Poetit që dua  e cila  vranullohej lart në ajër sipër kokës.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura