“Kronika”, në hall me qortimet e rënda të Mirela Kumbaros ndaj Milena Haritos

Jul 27, 2021 | 10:16
SHPËRNDAJE

Agron-Gjekmarkaj

AGRON GJEKMARKAJ

E nisëm përtueshëm “Kronikën e verës”, sikur na ishin mpirë mendimet e sosur gazi. Frika se do na shtohen hasmit mbetet ngaqë nuk u bëjmë derman të gjithëve për t’ua gjetur një qoshe në të. Kryeministri sa një bina, zë Odanë e madhe me bëmat, gjestet dhe parabolat e veta. Së fundmi për të s’ka fakte, po vetëm dëshmi. Dikush thotë u pa mbi një mal duke këqyrur qiellin, një tjetër në det duke përkëdhelur valët.

Në grup bëjnë be se është shfaqur në një fshat duke mjekuar të sëmurët ndoca në pallat mbretëror duke qortuar farisenjtë, disa për qiell e dhe thonë se fryu bulçinjët dhe hapi tunelin e Llogorasë me një firome, një bari betohet se aty u ndodh kur thau kënetën me gazra për të bërë aeroportin e Vlorës.

Turistë të huaj pretendojnë se në lumin e Vjosës paskësh pagëzuar një rilindës të asaj ane për ta rritur si pasardhës. Mes këso hallesh, sigurisht pak vend mbetet për gjëra të zakonshme e të vogla si ato që trajtuam herën e shkuar, por të mjaftueshme që partia tënë të na marrë zët!

Në këtë hulli, vëmendjen na e tërhoqi qortimi i rëndë që shoqja Mirela Kumbaro i bëri shoqes Milena Harito, e cila ardhi nga Parisi e na lëshoi gjëmën mbi të gjitha shoqet e qeverisë dhe të grupit parlamentar rilindës me deklaratën e saj të pamend se vetëm dy herë paskësh qarë nga emocionit e tensionit që ka shkaktuar lideri. Ne të “Kronikës” po e menaxhojmë këtë ngjarje me seriozitetin që na dallon. Po mundohemi ta risjellim siç e dëgjuam.

Kjo qenkësh një fyerje e madhe për lumin rreke të lotëve që janë derdhur nga viti 2013 e këtej e mbase edhe më përpara!! Si guxuaka Milena të thotë qava vetëm dy herë kur unë kam gjithë jetën që e qara nuk më ndahet! Qava ditë për ditë nga ankthi për ta njohur, qava nga gëzimi kur e njoha, qava kur më besoi të bëhesha ministre, qava pas çdo suksesi prej lavdërimeve të tij, qava pas çdo dështimi kur kritika më hoq, qava kur më shkarkoi si ministre, qava kur me kandidoi përsëri si deputete, qava bashkë me Tërmetin kur të skalitur në mur e pashë portretin e tij, qava pasi me të eca sokakëve të Gjirokastrës! Qaj kur e kam afër nga gëzimi dhe larg nga malli.

Qaj kur një thinjë i shtohet në mjekër dhe një rrudhë në atë ballë si rrëpirë mali aq sa faqet e mia duken si ujëvara!! Qaj kur ai gëzohet ende më tepër kur e fisnikëron marazi.

Në një lotore të praruar i mbledh gjithë këta lot, në një dhomë të vetmuar i ruaj mbyllur me shtatëqind çelësa. Vetëm kënga “Ç’ka të ka syni që të loton” ma qeton xhanë e bërë tallaz nga admirimi e vojtja! Kjo do jetë edhe motoja e mandatit të tretë!!

Por këta janë vetëm lotët e mi! E di ti, shoqja Milena, sa lot ka derdhur Etilda e sa ende do t’i vërshojnë nga ato syçka? Po askund nuk t’u lagën këmbët nga krojet që me lot mbushi Olgerta gjatë luftës me virusin. Ti në Kryeministri e pate zyrën afër shoqes Elisë dhe s’e kuptove pse myk e kërpudha u shfaqen në mure nga qashtërsia e lotëve të saj e sa është gati të derdhë për t’u bërë Kryetare Parlamenti për të gëzuar Shqipërinë? Po puset me lot që mbushi Mimi ndër dekada, a nuk ta bëjnë zemrën varr?!

Po Anila Denaj që iku nga mbledhja e qeverisë me ngashërime s’ta këputi shpirtin e sa qau më pas për të marrë faljen? Po lotët e Besës, moj e pabesë, asgjë s’të duken ty? Psherëtima e Nikos të pazhurma, gjithsesi të dhembshura, nuk t’i plagosin emocionet? Po ngashërimet e Ditmirit, kur e kuptoi gabimin e madh e zemrën i bëri lëngatë, duke i përbuzur makinën e sidomos tani që po shkon në kurbet?? Eh, moj Milena, s’e paske vlerësuar kurrë fatin e madh që t’u dha, buzëqeshjen e lumturisë!

Ti mbase qan çdo ditë ndanë Senës apo poshtë Harkut të Triumfit dhe nuk e thua për të treguar forcën, por ta dish kjo forcë është dobësi dhe mosmirënjohje, sot dobësia jonë është forca e liderit! Kjo e qarë duhet dëshmuar faqe shoqërisë, e cila duhet ndjellë në këtë rrugë në këtë eliksir!

Po sa ka qarë atij Parisi Ornela Vorpsi kur qyteti mahnitej nga piktori bohem me tas makaronash në pëqi e kapuç mbi krye, e sa qan ende kur tani kur ai nën hije mani, larg syve mëkatarë, po i përkthen veprën??!!! Po burrave sa piskama e vaje me të këput shpirtin në zyrat e pushtetit ua kanë stolisur pozicionin në histori?? E ke parë ti mjekrën e Arben Ahmetajt të dridhet si purtek apo e kecit në të ftohtë, dhe lotët tek i fshin me një shami “Burberry”? Po hingëllimat e Damian Gjiknurit dhe lotët tek i binin mbi gjunjë pas çdo tenderi gati për t’u mbytur në to?

Po vikamat e Erjon Braçes pas doli beter në Divjakë, lidhur pas këmbëve të liderit që të mbetet zv.kryeministër, nuk ta bëjnë mishin kokërr? Sa ka qarë Saimir Tahiri para tij, more aman, aq sa Çuçi, edhe pse përpiqet, është ende pas! Sa na dëshpërove, moj Milena! Mirënjohja vjetërsohet e para, thotë Aristoteli, po ti s’e paske pasur kurrë atë! Por je e krishterë, lyp falje se falja të dëlir! Katër vjet ministre dhe vetëm dy herë paske qarëharam i paç! Zift të daltë nga sytë teksa ne lotët qelibar na marrin rrugën e zemrës e na qullin sytë!

Ne e kemi gjetur rrugën e virtytit, ti e humbe atë!! Tani, ashtu si ne po qajnë të gjithë, oligarkët, biznesmenët, mediat, Akademia e Gjinushit, me përjashtim të të paudhit Artan Fuga që ende qesh, ndonjë Lubonjë a Bushat, universitetet, qytetarët, fshatarët, gazetarët, mbarë shoqëria! Janë lot gëzimi që ti ua ke harruar shijen dhe s’ke parë gjë akoma sa do të qaj unë së bashku me shoqni, sa do të qajë gjithë ky milet! Lideri tani do të bëjë konkursin e lotit më të qashtër, më të vërtetë, më të ëmbël, të vetë smeraldit! Ne do dorëzojmë lotoret tona dhe ngashërimet me video, të cilat do të analizohen në laboratorin që shqoi zërin e Babales, që mbetqejfje pat! Loti i ndershëm e i sinqertë të bën ministre!

Loti i dashur, zëvendësministre! Loti i rrjedhshëm sekretar të përgjithshëm e kështu me radhë! Aty do zbulohen edhe lotët e krokodilit, ata që qajnë kinse, të cilët i pret dëbimi e përjashtimi!

Mbi lotin dhe kriteret e tij do bëhet qeveria e tretë! Gëzim për mua është loti dhe ankth gjithë koha nga loti në lot!

Eja, eja dhe qaj disa ditë rresht e ai me siguri do të falë dhe ky gëzim do jetë kujtimi më i madh i jetës, ç’them kështu, vetë jeta dhe nostalgji e tij lot të meritur do të japë sa dhe të kuptuarit e gjëmës që lëshove.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura