Kronika e verës rikthehet mendueshëm

Jul 24, 2021 | 10:37
SHPËRNDAJE

Agron-Gjekmarkaj

AGRON GJEKMARKAJ

Eh, “dreqi ta marrë”, eh, “dreqi ta hajë”, “ç’të bëjmë”, ishte rënkimi i Gridës, por edhe pyetja që rëndonte mes nesh: ta vazhdojmë kronikën apo ta lëmë, të flasim siç llafosen baballarët e kombit apo duke u tallur me veten dhe të tjerët? Mes këso dertesh qull në djersë, ardhur nga Saharaja e zhegut, ia behu Bardhyl Londo. Na pa vëngër …

I uruam mirëseardhjen – por na e preu shkurt: “Lërini gjepurat, po më mbushni një kupë!”. E piu ashtu ëmbël teksa djersët u thanë me shikimin përtej reve. “Pse jeni vonuar kaq shumë, -tha,- ky popull raja ka vuajtur shumë, zgjedhjet u vodhën, lekë s’ka, ndaj mos u kurseni në qyfyre se nga kryqi vijmë dhe në kryq do lidheni, jua kam shkruar te ‘Prilli i hidhur’ dhe iku siç erdhi pa temena e me tërsëllima?!

Të fshehur nën pishat e Qerretit mëtojmë pas Kongresit të Partisë. Mark Marku, ky “revolucionar” e “bolshevik katolik” nga Mirdita që trazoi të madh e të vogël, na paska hedhur hi syve se gjasme paska fituar në Lezhë dhe me opozitën e fortë ndaj qeverisë që ka bërë ndër vite, por rri mendueshëm dhe lexon e rilexon si vetëqortim fjalimin e Tritan Shehut, këtij burri që për 30 vjet sakrifikon pushtet për të bërë shtet me një presh si skeptër papal në dorë. Po kaq me kërshëri edhe intervistat e këtyre ditëve që dha me jaranllëk. Të dy i themi njëri-tjetrit ç’paskemi humbur këto 30 vjet që nuk kemi ndjekur këshillat e Tritos. Pasi dliret nga mërzia nën këtë mriz, i ndrin nuri e duket sikur thotë me të tillë lastarë të mendimit, shqiptarizmës e oksidentalizmësi, Tritani do bënet PD o përsoset dhe Shqipëria zonjë e shkuar zonjës!

Kongresi qe një ditë plot hare e muzikë, demokratët u mblodhën nga anë e anës!

Albana, ajo që ka ymrin mbi gratë demokrate, mjekësinë, çështjet sociale, arsimin, kulturën dhe mediat, mbajti një fjalim të mrekullueshëm alla Danton plot falënderime, u gëzua i madh e i vogël se regjimi u trondit. Aldua foli shkurt si profet, ashtu si Shën Pali martirëve të përndjekur. Një si dritë përshkoi sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve. Salianji nuk komunikoi me fjalë, por me gjeste teksa si më i bukuri shejtan këqyrte tinëz gjithë dynjanë. Bernard Banushi sillej si re e zezë sa në një cep po aq te një tjetër dhe vigjilonte mbi kryetarin Basha se mos dikush e shihte vëngër apo me dyshime, një nagant nga ata të Zenel Gjolekës i dukej nën këmishën e purpurt. Kryetari foli një orë duke na bërë gjithë sy e veshë mbi misteret që mbeten pa zbuluar. Barrë të rëndë ka mbi supe! Nuk e kthente kokën pas, se mos katolikët e veriut po organizonin një komplot që nuk e zhbëka dot as filozofi Vehap, që çdo argument e bën zapt!

Foli Edi, Mondi, Flamuri, Bujari, Gazmenti, Belindi dhe humbja dukej larg e fitorja afër! Ditët e mira paskëtaj do të vijnë! Pasi doli lista e Këshillit Kombëtar, të gjithë iu turren Gazment Bardhit, të hatërmbetur, gazetarë, të porositur me parimin bjeri derës të dëgjojë kush është brenda. Po nuk ju ka faj Gazi, more të uruar, si ka falur gjë njeri atij vetë është ngjitur.

Festë e madhe në Qerret, u tha se erdhi Elisa! Një furgon Policie vriste mizat e mushkonjat që të mos cimbisnin ministrushen pa portofol, e cila kësaj here e do një me patjetër e kur ta marrë do këllasë nga gëzimi. Muzhaqi, e cila do t’i zërë vendin Evis Kushit, tha se në qeverinë Rama nuk bëjnë më derman arkat me peshk, duhet shumë më tepër! Sa elokuente kjo vajzë! Do jetë gëzim për botën akademike!

Kryeministri është bërë i heshtur. Dje lau kokën si rosak në një përroskë, lemerisi ç’qe nën e mbi ujë dhe na qerasi me një video nga Labovë e Kryqit. Tani ai flet me imazhe dhe parabola. Për të rrëfejnë dishepujt sa i gëzon e sa lot u shkakton. Kohë biblike janë këto. Ja erdhi Haritua nga Avrupi e lëçiti siç i ka hije “veç dy herë më bëri të qaj, he ja marrsha të keqen”, tha.

Korridoret e qeverisë janë bërë si lëndinë e lotëve, qajnë gratë si burra e burrat si gra. Beketi në mes të Romës vuri një pankartë: “Fitova”, shkruante. E çfarë janë 140 milionë euro për qejfin e Edi Ramës, i paguajmë ore dhe me gëzim. Kumbaro është gati të lërë rrogën e saj, ndonëse Ditmir Bushati s’e le pensionin. Shqipëria po hyn në udhën e sherbetit e marifetit në mandatin e tretë të naltëgjatësisë se tij. Ay do jetë i drejtë, i ndershëm, si fjalë Perëndie, ndaj institucionet nuk na duhen më, as gjykatat e në fund të fundit as zgjedhjet, ndaj i prishi e zor se do bëjmë më. Olgerta është nën stres se druan mos një Olgertë tjetër i zë vendin. Etilda nuk e vesh më fustanin me pika dhe kjo është shenjë e keqe. Klotilda do vendin e Oltës. Ditmiri po niset drejt kurbetit dhe në torbë ka “Kurbanin” ta lexojë me nge anës lumenjve e sy këmisha kujtim që ia pat falur vetë!

Ahmetaj e Gjiknuri rrinë me dorë në zemër mos u vjen ndonjë mandat kah se presin e kursejnë paratë e pakta për ditë të këqija. Taulanti si Taulanti qerrata e shkuar qerratait duket se i ka kapë të gjithë për zhelesh dhe po bënte kryetar në vend të babamit Gramoz, që tani e tutje si rrije me veteranët!! Blerina është mërzitur qamet duke pritur, duhet një gjë! Fatmiri mëton të përsëri të bënet ministër, po Rama në këtë fazë të epërme të inteligjencës politike ka nevojë për gjak të ri. Niko ka filluar prapë të shoqërohet natën me Bushatin para ikjes druan se nuk e rikonfirmon më në krye të Ushtrisë këtë burrë trim, që as Isa Boletini nuk i avitet.

Musanë e gjorë nuk e bëri deputet as shishja me ujë të bekuar e Markut! Ai tani kokulur ecën kodrave për të mbajtur mendjen të mbledhur e trupin në formë. Po mbërrin shtatori, Edi Rama përgatit ligjëratën e jetës për t’u libruar nga pisllëqet e vatanit, atë të Shqipërisë pa banalitet, pa propagandë, pa korrupsion, pa kriminele, të një populli të integruar në Europë, vetë portretin e Moisiut që po e shpie këtë milet drejt tokës së premtuar!! E meritojmë, ta gëzojmë, deshëm selametin, selamenë gjetmë! Ai, siç di vetëm ai, po e qorton rëndë Europën që nuk po ngrihet në nivelin e Shqipërisë së tij. Nuk është çudi qe Europa të kërkojë të hyjë në Shqipëri, meqenëse ne nuk po hyjmë në Europë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura