Kronika e së enjtes dhe rrëfimi për Babon

Jun 24, 2022 | 8:09
SHPËRNDAJE

Agron Gjekmarkaj-Kuvend1AGRON GJEKMARKAJ

Babo ç’të të rrëfej?! Unë u ktheva nga Kalabria, mikja Mimi di Puccini m’i hoqi spaletat e zv.kryetarit të Kuvendit sapo zbrita në Bari. “Ç’të duhen,- tha, badihava i more, badihava m’i nduku dhe sus se të piu e zeza. U bone ti!!!”.

Madje, edhe kolegu i shumë viteve neper studio, Arjan Vasjari, tanimë konsull afër thembrës së çizmes, bëri sikur më njohu veç pak e mori Miminë në makinë e u bë def nga sytë qerratai, që aq shumë përzhitej për hallet e vatanit e dinjitetin e zyrtarit nëpër studio. Ofiqi im iu duk xhingël-mingël para profumit të pushtetit që Mimi s’e ka. Babo, halli e përkul njeriun e gjorë e bën purtekë. Nevoja është e pamëshirë gati sa egoja.

Udhëtuam nëpër Arbërinë e Italisë nën hyqmin e Mimisë se e kishte qejf shumë protagonizmin, të dukurit dhe resmet. Nuk ia theva zemrën në respekt të atij firaun Puçin, se ai e ajo një janë.

Babo, punuam atje, bëmë namin patëm shumë produkt, proshutë e vënë, sa desh na dolën tëmthat. U ngjall edhe Skënderbeu (jo ti, tjetri) e na përqafoi, jeni evlatër të besës tha e jo llafe. Kam lënë stërnipër e jo edepsëzër, lëshoi i kënaqur kumtin.

Zymtësi e përtesë sot në Kuvend, Babo. Ne pritem ty që të t’i heqim një nga një qimet e mjekrës për investimet strategjike kur na doli Elisa. Në dyluftim labi Agron Shehaj u ndie i prerë në besë. Futi shpatën në mill e zgjidhi gjuhen, tëk e tëk, tëk e tëk.

Ndenji ajo në istikam, deklamoi me duar e mimikë, me një spile të bukur mbi jakë na foli për drejtësinë tënde që nuk ndyhet kurrë nga paudhësitë dhe u mundua të rrethojë me gaz Gazmendin tonë, i cili sot sokëlliu si Rrapo Hekali, aq sa u tund mali.

Meqë ra fjala, sot më pagoi edhe një tjetër “Red bull”, i cili më rrëshqiti pak si rëndë në stomak se tepër i ftohtë. Duket e futi dorën në xhep me bezdi. U mësua keq ky, mendoi.

Elisa dhe Dashi ynë ishin veshur më bukur nga të gjithë. Eleganca Babo po shëtit atyre korridoreve e pafre.

Edhe Tigrushi që shquhet për shejtanllëqe sot bëri vetëm dy-tri selfie, ku i buzëqeshi kamerës së telefonit e mbajti një fjalim të mërzitshëm me parulla e iku. Ritmi i Tigrushit ngjan me rrotën e mullirit, Babo.

Çuçi e duartrokiti, se mos ke merak e mendon që ndenji indiferent. Edhe Niko i përplasi doçkat, por jo shumë gati si angari. Po më mirë ai që ende ka mundësi të duartrokasë se Ditmiri që zukat se ç’duhet të bëjë Europa.

Në fund, mbenë Margeriti me syze (dhe ne u mërzitem se thamë e pat dhe ai shikim i kthjellët e kristal mbi kulturën) e Tezja plot derte kozmogonike me dy karrige bosh në mes dhe heshtjen flori që i bashkonte.

Në krahun tjetër Ikonomi me durim njerëzish esnafë e në bankën sipër kush thua ti? Edona me një kompjuter jepte e merrte gjëra me rëndësi të madhe siç ka portofolin që zor të t’i thotë edhe ty. Bora mungonte duke krijuar ngërç në tabloid.

Në qoshen e anës, në pikëllim të plotë, pa dritë e gaz, pa fjalë e urti popullore, vetë Ulsiu tanimë i braktisur nga ministrushet lozonjare që benzinë i hedhin muhabetit, rrinte i ngurosur. Ato lozonjarë ia tërbojnë fantazinë Ulsiut të ngratë. Sot ndenji si burrë katerqindësh. Mbroje njeriun e mirë Ulsi nga xhindrit që fusin burrin në shishe.

Foli Doktori nja dy herë dhe ti Babo e di që ai trazon ujëra. Vetë Shalsi u detyrua të ndërhynte pa thënë asgjë. Por mjaft krenar dukej nga ajo që nuk tha. Tao nuk ishte aq në formë dhe shikonte Braçen që me mëngë të shkurtra e plot hire mjaullinte nga mesi i sallës. Disa deputetë nga të tutë lexonin rrëfimet e Batonit mbi udhëtimin në Ukrainë, për bëmat e heroizmat që do të bënit e falë perëndisë nuk i bëtë, ndonjë qante nga emfaza e rrëfimit, të tjerë qeshnin me kokrramë për Behxhetin, sipas Haxhiut, që Putinin paskësh bërë të parë të Rusisë. Mos u bërtit për kaq se nuk mbahej e zgërdhira.

Linditës iu prish gjaku, po fal ajo se katolike, kur Doktori nga mëria jote dy a tri herë nuk ia kurseu shkulmat. Për lavdinë e Babos durohet kaq e gjë. Edhe unë që jam nursëz do ta duroja, jo më njerëzit shpirt njeriu. Sot erdhi edhe Luli dhe bota i dukej jallane, e dashur për çfarë i dha e mizore për çfarë i hoq.

Po në sallë Babo, do thuash ti çfarë ndodhi? Ai ish-Kryeministri Pandi Majko, që duke deli e shkuar deliut, qenkësh qerrata e shkuar qerratait se duket edhe goxha babaxhan! Naaa sot buza gaz e hareja hare nën vështrimin kurioz e plot nur të Etildës. Rrëfente plot pathos e birinxhillëk. I dola borxhit, i thashë në rrethin e shtatë të kronikës do ta gjesh veten po më sfidoi kam përballuar eksodin e luftën e Kosovës unë tha e jo gjepura sehirxhinjsh. Ç’t’i thosha Babo?! Po në kronikë e futa ama!

Socialisti Petro, Babo, e sheh botën me qetësi dhe njerzillëk, po kaq edhe Klotilda! Unë mendoj që duhet t’i promovosh, nuk prishin qejf e janë shpirt njeriu! Kur të heqësh tezen, vë Petron edhe socialistët e vjetër gëzohen, po edhe ti nuk mërzitesh.

Babo, ti je në Bruksel i zënë me integrimin e s’i di ca gjëra. Po meqenëse m’u kujtua ç’pate me bullgarët e gjorë që i stigmatizove sikur je në mejhane e i krahasove me Putinin? E dhjeve, Babo, edhe ti që e ke llafin qelibar e karar.

Avash, mor Babo, se nuk u bë deti kos! Këtu këput dokrra sa të duash se na u regj lëkura, po andej me ngadalë, mbaje frerin se të marrin zët e të thonë sikter. Ku të mbytemi ne me Babon e degdisur?

Babo, ti je kureshtar i madh e do të dish çfarë ndodh me ne të opozitës?! Sot ua bëme tetë me dy, u nxorëm edhe gjuhën. Foli Agroni i Vlorës, Doktori i Shqipërisë, udhëheqësja jonë e dashur, Joridë, të cilën e shohim rrallë se e muar Avrupi, së cilës iu luta të marrë me vete Saimir Korreshin e t’i bëjë rrugës xhan xhan, xhan xhan, Gazmendi i Partisë, ndërsa Helidon Bushati, si të gjithë shkodranët që bëjnë kryq në ballin e tyre, iku me vrap sa i thashë që kronika e kërkon si personazh. Nuk arrita të votoj si duhet Babo! I kërkova Taos një stilolaps, desh m’u tha dora. E kishte helmatisur që të sabotojë opozitën.

Pastaj Babo kafja gumëzhinte si në dasmë! Kosta i Gramozit dhe i Linditës vinte herë pas here e na shikonte me dhembshuri si për të na thënë, “salla bosh, mor dreqer, ç’bëni kështu, ejani se gjynah”! Po tundeshim ne? Fareee! Erdhi Grida pa dy a tri herë anash pa e mbërthyer shikimin në gozhdët që prisnin. Viranes sot bota i dukej e tepërt dhe e panevojshme si ardhja e Bashës në sallë. Saliani sot i kishte mërzi fjalët e tepërta dhe më la kuk në tavolinë për të takuar Sorina Kotin. Ik, o i uruar, ik, i thashë, gjerat e parëndësishme presin. Miku im Muli tundte gishtin në një rrëfim të ndezur politik. Nuk durova, shkova aty dhe e pyeta kë imitonte, Doktorin apo Tritanin? Nuk më zhgënjeu – “Tritanin”, tha. Ish-kryetari i ish-komisionit të ish-rithemelimit më rri ftohtë e larg, megjithëse e kam trajtuar si evlat! I pata thënë u vonove, historia nuk i fal vonesat, po për keq ma mori. Kjo ishte dita Babo, siç ti e di vetë, një ditë pa ty është ditë pa alegri!!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura