“Krom” i Alimanit, premiera nesër në Karlovy Vary

Jul 7, 2015 | 14:04
SHPËRNDAJE

pjese nga filmi

E ka quajtur “Krom” dhe është përmbledhja e gjithë vuajtjes dhe dramës familjare në vitet e vështira të tranzicionit. Një film që përfaqëson Shqipërinë në festivalin e filmit në Karlovy Vary Film Festival, ku do të ketë nesër edhe premierën e tij ndërkombëtare. “Krom”, i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, prodhuar nga shtëpia filmike “90 Production”, në bashkëpunim me “Gegnia Film Fantasia Auido- Visual Elsani Film”, garon në kategorinë East of the West – Competition.

FILMI

Një nënë memece, që pas dy humbjeve të bashkëshortëve i duhet të vazhdojë të rrisë fëmijët e të jetojë edhe ajo vetë jetën e prerë përgjysmë. Djali i saj pesëmbëdhjetë vjeç, që përpiqet të njohë vetveten në një adoleshencë të vështirë mes shkollës dhe minierës së kromit. Një mashkull që hyn mes djalit e nënës, sepse nuk ka asnjë tjetër veç saj dhe një mësueseje “rock”, që i vjen në ndihmë djalit si një engjëll në rrugën e tij. “Gjashtë muaj pasi kisha shkruar versionin fillestar të skenarit, kuptova që dy personazhet kryesore merrnin jetë nga dy vëllezër që njihja kur isha fëmijë. Tani më kujtohet që vëllezërit rrinin gjithmonë të veçuar e ishin të mbyllur në vetvete. Gjithë lagjja, përfshi mua, talleshim me gjysmëvëllezërit, sikur të ishte faji i tyre që kishin baballarë të ndryshëm. Ndoshta KROM ishte një formë ndjese që kam dashur t’u kërkoj gjithmonë atyre fëmijëve”, u shpreh në konferencën për shtyp, mbajtur dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës, regjisori Bujar Alimani.



Krom” është filmi i dytë me metrazh të gjatë i Alimanit, i cili është fokusuar bindshëm në temat me karakter social. Përpjekja e përditshme e familjeve shqiptare për të mbijetuar janë në qendër të subjekteve të tij, ndërthurur me linja më të buta, siç është ajo e dashurisë, që gjithsesi në këto raste është sërish nevojë për mbijetesë. Sipas producentëve të filmit, “Krom” i lë pas të gjithë të mëparshmit. “Aty Bujari ka shkuar më larg, është përballur me veten, ka lënë frymëzimin ta mundë egon, duke krijuar kështu diçka të vërtetë dhe të përbotshme”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura