Kroaci: E djathta e re bëhet më ekstreme

Oct 26, 2020 | 8:30
SHPËRNDAJE

ZORAN ARBUTINA

ZORAN ARBUTINA

Kamerat e përgjimit i kanë regjistruar të gjitha: Më 12 tetor 2020, rreth orës 8:00, një i ri me hap të vendosur ecën drejt sheshit ‘Markus’ në Zagreb, në këtë orë gati bosh. Synimi i tij: Pallati Banus, selia e qeverisë kroate. Në trup ai mban të lidhur ngushtë një kallashnikov AK-74. Para hyrjes, ai qëllon policin e rojës, dhe vazhdon. Vetëm kur polici i dytë hap zjarrin, i riu largohet. Më vonë sulmuesi shkruan në “Facebook”: “Mjaft më me gënjeshtra dhe shkeljen e paskrupullt të vlerave njerëzore pa përgjegjësi”. Një gjysmë ore më vonë, Daniel Bezuk, 22 vjeç, u gjend i vdekur.

SULM NDAJ KRYEMINISTRIT?

Tani, në opinionin kroat është ndezur debati se cilat ishin motivet e të riut dhe çfarë donte të arrinte ai. A ka një atmosferë të tillë në shoqërinë kroate, që e nxiti këtë akt? Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviæ, nga Partia Nacional-Konservatore, “Bashkësia Demokratike Kroate”, HDZ është i bindur se sulmuesi synonte të hynte në selinë e qeverisë për të vrarë atë, Kryeministrin. “Ky ishte terrorizëm”, thotë Plenkoviæ. Žarko Puhovski, ekspert, ish-profesor për filozofinë politike në Universitetin e Zagrebit, është i një mendimi tjetër: “Terrori kërkon të krijojë frikë”, thotë ai për Deutsche Wellen, “por në mediat sociale në Kroaci pati disa qindra mesazhe, që e përshëndetën këtë veprim dhe që e falënderuan sulmuesin. Kjo nuk ka të bëjë me frikën”. Për Puhovskin sulmi tregon se sa prezent është në opinionin kroat himnizimi i dhunës. “Gjithnjë theksohet se vlera më e lartë e patriotizmit kroat është dinjiteti i së ashtuquajturës lufta për atdheun dhe lufta do të thotë gjithmonë dhunë”, thotë Puhovski. Në shumë reagime lexoje se dikush vendosi të veprojë, që ‘atyre atje lart’, që ‘na sundojnë, t’u tregojë njëherë vendin’. Të veprosh për ta do të thotë dhunë”, mendon Puhovski.

VEND PLOT ARMË

Gatishmëria për dhunë mbështetet edhe nga fakti që në Kroaci ka shumë armë të paregjistruara. Pas luftës për pavarësi nga Jugosllavia, (1991-1995) shumë qytetare e qytetarë i mbajtën armët. Igor Tabak, një analist për çështjet ushtarake, thotë se “ka hulumtime që tregojnë, se në Kroaci ka nga një armë ilegale për person”. Në kuadër të aksionit “Më pak armë, më pak tragjedi”, u dorëzuan tek autoritetet 343.000 pistoleta dhe automatikë, e disa tonë lëndë shpërthyese, më shumë se 5. milionë copë municion. Sipas Tabak, kjo është një pjesë e vogël e arsenalit ilegal, pasi njerëzit dorëzojnë armët e vjetra dhe të papërdorshme e mbajnë të mirat.

EKSTREMIZMI KROAT

Më e rrezikshme se armët është një atmosferë që mbështet përdorimin e tyre. Kryeministri Plenkoviæ pas sulmit tha se “kemi një problem serioz shoqëror me radikalizmin dhe ekstremizmin, që nuk vjen nga jashtë, por nga brenda. Ky është një produkt kroat, me të cilin ne duhet të merremi”. Për sulmuesin e ri nuk tregojnë mirëkuptim vetëm përdoruesit e mediave sociale, por edhe politikanë të skajit të djathtë, si “Lëvizja për Atdheun e Miroslav Škoros”. “T’ia ngarkosh të gjitha këtij të riu dhe në të njëjtën kohë të harrosh mëkatet e 30 viteve të fundit, do të ishte e gabuar”, thotë kryetari i bashkisë së qytetit lindor kroat, Vukovar, Ivan Penava. Atentatori e ka parë “si ne të gjithë” padrejtësinë në Kroaci dhe tregoi protestën e tij. Prej vitesh sundon një klimë e intolerancës në shoqërinë kroate, që drejtohet kundër pakicës serbe në vend. Ikonografia e ekstremistëve të djathtë është pjesë e përditshmërisë kroate. Retorika e ashpër nacionaliste, gjuha e urrejtjes dhe simbolet e qarta neofashiste i sheh kudo në publik, megjithëse nuk ka një dhunë të drejtpërdrejtë në rrugë. Në shumë mure sheh parulla si “vritini serbët”, apo “varini serbët në pemë”. I ri tani është fenomeni që partia qeverisëse, HDZ, po sulmohet nga spektri ekstrem i djathtë, kur vetë kjo parti ka qenë për një kohë të gjatë përfaqësuese e pozicione të djathta deri në ekstremisht të djathta. Vetëm me ardhjen e Plenkoviæ para katër vitesh në krye të partisë, krahu i djathtë i HDZ-së filloi të dobësohej. Profesori Žarko Puhovski është i mendimit se “Plenkoviæ shihet nga të djathtët si tradhtar, që ua ka marrë partinë më të rëndësishme, dhe po e çon atë nga e majta”. Mëkati tjetër është se Kryeministri ka bërë koalicion me një parti të pakicës serbe. Megjithatë, Puhovski thekson se “do të ishte e gabuar të mendoje, se shoqëria kroate është ekstremiste e djathtë”. “Ajo është një pakicë si në shumë qytete të tjera europiane”. Puhovski është i mendimit se kjo pakicë, ku ka shumë të rinj, nuk e ka përjetuar luftën në vitin 1995 dhe ndjek një trend ndërkombëtar. “E Djathta e Re lufton praktikat që i shikon si ‘jonormale’ dhe sidomos lufton kundër homoseksualitetit, ateistëve, kundër të gjithë atyre që nuk e respektojnë traditën kombëtare, por kanë synime internacionaliste, ata ngrihen kundër elitave”. Deri më tani qeveria e Plenkoviæit nuk ka gjetur ndonjë përgjigje për këtë sfidë të re./DW

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura