Kriza/ Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Yee shkon në Shkup

Apr 30, 2017 | 21:11
SHPËRNDAJE

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee ndodhet në Shkup, ku po takohet me drejtuesit e partive shqiptare, ndërsa nesër do të bisedojë me ata të partive maqedonase dhe autoritetet tjera shtetërore.

E312490B-68D0-43F0-94CE-FC2468AA2B76_w1023_r1_sZyrtari amerikan të dielën zhvilloi takime me drejtuesit e partive shqiptare, Ali Ahmeti – BDI, Bilall Kasami – Lëvizja Besa, Vesel Memetin në vend të Ziadin Selës, të Aleancës për Shqiptarët, i cili vazhdon të trajtohet në spital nga lëndimet e sulmeve të së enjtes në parlament dhe me Menduh Thaçin e PDSH-së. Të hënën ai do të takohet me Nikolla Gruevskin – VMRO-DPMNE dhe Zoran Zaev – LSDM si dhe me presidentin maqedonas, Gjorgje Ivanov dhe me kryetarin e ri të parlamentit, Talat Xhaferin. Po ashtu, takime me pjesëtarë të shoqërisë civile dhe me diplomatë perëndimorë janë në axhendën e z. Hoyt Yee.

Takimet pritet t’i kushtohen çështjes së formimit të qeverisë, realizimit të reformave dhe marrëdhënieve të dyanshme në mes SHBA dhe Maqedonisë, siç njofton Ambasada amerikane.

Drejtuesit politikë shqiptarë e kanë informuar zotin Yee rreth angazhimeve të tyre në drejtim të zgjidhjes së krizës politike në vend.

Zyrtari i lartë amerikan udhëtoi në Shkup në një situatë krize që mbahet mend, mbase vetëm gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001. Ai pritet të bëjë komente gjatë ditës së hënë, pasi të ketë përfunduar të gjitha takimet.

Vizita e Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee në Shkup shikohet si angazhim i një diplomati me peshë për të ulur tensionet e krijuara gjatë sulmeve të dhunshme në parlament më 27 prill.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha pas takimit se “nuk ka kthim prapa” dhe se “nëse nuk vetëdijësohemi, do të ketë pasoja për qytetarët e Maqedonisë”. Ai tha se zgjedhja e kryetarit të ri të parlamentit është një realitet i ri dhe se kjo duhet të pranohet, sepse është bërë në rrugë ligjore dhe legjitime. Zoti Ahmeti nuk shpjegoi hollësi nga takimi me zotin Hoyt Yee, ndërsa drejtuesit e tjerë politikë shqiptarë nuk u prononcuan për median.

Nga ana tjetër, partia VMRO-DPMNE vazhdon të mos e njohë Talat Xhaferin si kreun e parlamentit, ta vërë në dyshim legjitimitetin e tij dhe mënyrën e shpalljes së tij si krye-parlamentar.

Por, Brukseli dhe Uashingtoni kanë lënë të kuptohet se do të bashkëpunojnë me kreun e ri të parlamentit të Maqedonisë për të mbështetur demokracinë dhe për të çuar përpara interesat e këtij vendi.

Ndërkaq, në kuadër të hetimeve mbi zhvillimet e dhunshme në parlament, Prokuroria Publike maqedonase ka njoftuar për ngritjen e aktakuzave ndaj 15 personave të dyshuar për sulmet në institucionin më të lartë ligjvënës. Një pjesë e mjeteve të informimit, në bazë të njoftimeve të pakonfirmuara zyrtarisht, thotë se në mesin e të arrestuarve është dhe një shef i Shërbimit ë kundërzbulimit. Autoritetet e rendit as nuk e kanë përgënjeshtruar e as konfirmuar lajmin.

Lidhja Social Demokrate shprehet e habitur për numrin e vogël të të ndaluarve dhe për rikualifikimin e akuzës fillestare nga “përpjekje për vrasje” në “pjesëmarrje në turmë”. Partia ka identifikuar me emra disa prej sulmuesve, për të cilët thotë se janë persona të inkrimunar, me dosje për vepra të rënda kriminale dhe të lidhur ngushtë me strukturat e partisë VMRO-DPMNE.

Dhuna është regjistruar nga kamerat televizive dhe kamerat e sigurisë së parlamentit dhe aty duken qartë fytyrat e shumë prej sulmuesve që përgjakën dhe lënduan ligjvënësit, ndër ta dy kryetarë partish, ndërsa lëndime kanë marrë edhe punonjës të tjerë të parlamentit dhe disa pjesëtarë të medias.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura