Kriza te biznesi, kreditë e këqija, 22.7%

Nov 7, 2012 | 12:26
SHPËRNDAJE

Kreditë e këqija, muaj pas muaji, po njohin vetëm rritje, dhe në fund të 9-mujorit të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se niveli i tyre arriti 22.7 për qind. Të ndara në kategori, huat nënstandarde kanë shënuar nivelin 10.3 për qind të totalit, ato të dyshimta 5.38 për qind dhe ato të humbura 7.02 për qind. Rritja e huave me probleme është një tregues i fortë i vështirësisë në të cilën gjendet biznesi dhe një situatë e tillë u theksua edhe nga koordinatorja rajonale e Bankës Botërore, Jane Armitage. Sipas saj, është qeveria ajo që mund të ketë një pjesë të përgjegjësisë për rritjen e kredive të këqija, pasi është “borxhlie” ndaj një sërë biznesesh për punët e kryera, por të pashlyera financiarisht. E ndërsa qeveria nuk mund të bëjë gjë për situatën, as Banka e Shqipërisë duket se nuk mundet, pasi pavarësisht uljes së normës së interesit për të nxitur kreditimin, nuk ka pasur rezultat. Duke mos pasur një rritje në numër të kredive të dhëna, numri i kredive me probleme gjithmonë në rritje “prodhon” shifra të frikshme për sektorin bankar, i cili ngurron të kreditojë. E, në këto kushte, ajo çka mund të bëhet është rritja e provigjoneve, të cilat në fund të 9-mujorit arritën të mbulojnë 13.1 për qind të kredive të këqija. Edhe provigjonet nga tremujori i dytë janë rritur me plot 1 për qind.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura