Kriza ngadalëson ekonominë, në tre-mujorin e dytë rritja me vetëm 2.23%

Oct 1, 2022 | 7:26
SHPËRNDAJE

Ekonomia ka shfaqur shenjat e para të goditjes nga kriza. Të dhënat e publikuara një ditë më parë nga Instat tregtojnë se në 3-mujorin e dytë rritja ekonomike ishte vetëm 2.23 për qind. Negativisht ndikuan ndërtimi, industria, energjia dhe uji”. Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të vitit 2022 vlerësohet me rritje prej 2,23%, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2021.

Qytetaret-termeti-Tirana-7

Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +1,68 pikë përqindje, aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,65 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,33 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me +0,31 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,26 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,06 pikë përqindje.

Negativisht kontribuuan aktivitetet: Ndërtimi me -0,49 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me -0,46 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me -0,32 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me -0,09 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me +0,29 pikë përqindje”, thuhet në raportin e Instat. Për tremujorin e parë të këtij viti, rritja ekonomike ishte 5.9 për qind.

Rritja e çmimeve ndikoi pozitivisht për periudhën janar-shkurt-mars, duke sjellë edhe mbushje të arkës së shtetit. Por prej majit rritja e mëtejshme e çmimeve është shoqëruar me rënien e konsumit apo të fuqisë blerëse. Në raport me tre muajt e parë të vitit, aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit u shfaq me një rritje prej 0,28%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit shënoi rritje prej 6,74%.

Aktiviteti i Ndërtimit shënoi një rënie me 5,99%. Aktiviteti Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor shënoi një rritje prej 2,34 %. Aktiviteti Informacioni dhe Komunikacioni pati një rënie me 3,38%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit pati një rritje prej 2,25%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme shënoi një rritje me 2,31%.

Grupi Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative shfaqi një rritje prej 0,09%.

Aktiviteti i Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me një rritje prej 0,54%. Aktiviteti i Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi u shfaq me një rënie prej 0,16%.

Taksat Neto mbi produktet patën një rënie me 0,24%. Sakaq, edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 3,85%, ndërsa aktiviteti i Ndërtimit pati një rënie me 5,26% ndërsa grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 11,42%.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura