Kriza nga rritja e ndjeshme e çmimeve po frenon konsumin e shqiptarëve, ja çfarë tregojnë shifrat për muajin tetor

Nov 17, 2022 | 10:08
SHPËRNDAJE

Ritmi i rritjes së të ardhurave buxhetore shënoi ngadalësim të ndjeshëm në tetor, në krahasim me muajt e mëparshëm, teksa rritja e ndjeshme e çmimeve duket se po frenon konsumin.

te-ardhurat-graf

Sipas statistikave paraprake të Ministrisë së Financave, në tetor u arkëtuan gjithsej 49 miliardë lekë. Në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, rritja është vetëm 4.6%.

Duke e indeksuar me inflacionin, i cili ishte 8.3% në tetor, -niveli më i lartë që nga viti 1996- rritja reale e të ardhurave rezulton që të jetë negative, pasi buxheti ka arritur të arkëtojë më pak sesa shtesa e çmimeve, ndërkohë që dhe rritja ekonomike ishte pozitive (rreth 4.3 për 6 mujorin, kur janë të dhënat e fundit të disponueshme nga INSTAT).

Në total, për 10 mujorin, të ardhurat ishin 475 miliardë lekë, me një rritje prej 14.7%, ose 60.2 miliardë lekë (512 milionë euro) më shumë.

Ritmet e rritjes së të ardhurave ishin më të lartat në tre muajt e parë të vitit, të ndikuara si nga baza më e ulët e një viti më parë, kur ekonomia po vuante ende nga pasojat e pandemisë, ashtu dhe nga rritja e fortë e çmimeve, që bëri që financat të arkëtonin më shumë nga TVSH-ja, që është një taksë që aplikohet mbi çmimin final dhe sjell gati një të tretën e të ardhurave në buxhet.

Të ardhurat totale për 10 – mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 101 % të planit të 10 – mujorit.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 10 – mujore të vitit 2022, arritën në rreth 465 miliard LEK me një realizim në masën 90.5% të planit të periudhës ndërkohë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë ka rezultuar rreth 3.1 % më i lartë ose rreth 14 miliard LEK më shumë.

Niveli i suficitit për periudhën 10 – mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 10 miliard LEK nga rreth 42 milion lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 36 miliard LEK.

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 10-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 475 miliardë Lekë ose 101 % të planit të 10-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me +60.6 miliard lekë ose +14.6% më shumë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 423.3 miliardë lekë, 62.6 miliardë lekë ose 17.4% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 4.5 miliardë ose 1.1% më shumë se plani 10-mujor për vitin 2022.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 183.1 miliardë lekë, 29.3 miliardë lekë ose 19.1% më shumë se 10 mujori 2021, si dhe 2 miliard lekë ose 1.1 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 10 mujorin e vitit 2022.

Të ardhurat nga TVSH në import për 10 mujorin rezultojnë 128.9 miliardë lekë, 25.4 miliardë lekë ose 24.6 % më shumë se një vit më parë, si dhe 3.4 miliardë lekë ose 2.7% më shumë se plani për 10 mujorin 2022.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 43.9 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 3.6% më shumë se viti 2021, si dhe 1 miliardë lekë ose 2.3% më pak se plani i akcizës për 10 mujorin 2022.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 3.5 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 75.8% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 92.7 % kundrejt planit për 10 mujorin 2022.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 7 miliardë lekë, 905 milionë lekë ose 15% më shumë se 10 mujori 2021, si dhe realizim në masën 100%  kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 10 mujorin 2022 u realizuan në masën 240,1 miliardë lekë, 33.3 miliardë lekë ose 16.1% më shumë se 10 mujori i vitit të kaluar, si dhe 2.5 miliardë lekë, ose 1% më shumë se plani i 10 mujorit 2022.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 32.2 miliardë lekë, 8.1 miliardë  lekë ose 33.5% më shumë se 10 mujori 2021, si dhe 2.4 miliardë lekë ose 7.9% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 10 mujorin 2022. Rimbursimet për periudhën 10 mujore 2022 janë 14.8 miliardë lekë, 6.5 miliardë lekë ose 30.7% më pak se 10 mujori 2021, si dhe 514 milionë lekë ose 3.4% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së për 10 mujorin 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 36.7 miliardë lekë,  9.4 miliardë lekë, ose 34.3% më shumë se 10 mujori 2021, si dhe 1 milionë lekë ose 100% realizim i planit të vitit 2022 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 37.7 miliardë lekë, 4.5 miliardë lekë ose 13.6% më shumë se 10 mujori 2021, si dhe 1.1 miliard lekë ose 2.9 % më pak se plani i 10 mujorit 2022.

Taksat nacionale, për periudhën 10 mujore 2022 u realizuan në masën 34.9 miliardë lekë, 1.8 miliardë lekë ose 5.5% më shumë se 10 mujori 2021, si dhe 1.7 miliardë lekë ose 4.7 % më pak se plani i përcaktuar për 10 mujorin 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 98.6 miliardë lekë, 9.5 miliardë lekë ose 10.7% më shumë se 10 mujori 2021, si dhe realizim 103.1 % të planit për 10 mujorin 2022.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 10 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 465 miliard LEK me një realizim në masën 90.5 përqind të planit të periudhës ndërkohë që, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 3.1 % më i lartë ose rreth 14.1 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 10 mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 72.9 % të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 70.4 %  të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr.12, datë 29.07.2022 (AN nr.12).

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 10 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 95.2 % dhe 71.5%  të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në: 76 % dhe 46.7 % të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 76.3 % dhe 49.6%  të planit vjetor sipas AN nr.12.

Shpenzimet korente për periudhën 10 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 385.4 miliard LEK, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 4.2 % më i lartë ose rreth 15.5 miliard LEK më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 10 mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën rreth 55.7 miliard LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë rezulton 30.6 % më i ulët ose rreth 24.6 miliard LEK më pak.

Niveli i suficitit për periudhën 10 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 10.36 miliard LEK nga rreth 42.7 miliard lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 36.2 miliard LEK, për periudhën 10 mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.

Burimi: MONITOR

© Panorama.al

Te lidhura