Kriza në Itali: Mbi të gjitha ekonomike

Jan 22, 2021 | 10:15
SHPËRNDAJE

VALBONA ZENELI

valbona zeneli

Një krizë e re politike, josurprizuese, po ndodh në Itali. Dy ministra te Viva Italia, një parti e vogël me më pak se 3% të elektoratit, u tërhoqën nga pozicionet e tyre në qeveri. Kjo nuk është aspak ajo që italianëve u duhej në mes të një pandemie.

2020 ka qenë një vit dramatik për Italinë. Në të vërtetë, ka qenë një vit dramatik për gjithë botën. Pandemia e COVID-19, me të gjitha pasojat e saj shëndetësore, ekonomike, strategjike dhe politike, është kriza më e rëndë në Europë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Italia, ekonomia e tretë më e madhe në Europë, po përballet me një goditje ekonomike me pasoja katastrofike. Ky është recesioni më i thellë në historinë e saj. Pasojat që shohim sot nuk janë vetëm ndikim i recesionit të trefishtë (2008-2009, 2012- 2013 dhe 2020-2021). Më shumë se kurrë më parë, kriza aktuale po nxjerr në dritë performancën e ulët ekonomike te dekada të tëra dhe problemet strukturore të rrënjosura thellë në ekonominë italiane.

Italianët janë sot më të varfër se 20 vjet më parë. Në vitin 2019, të ardhurat reale për frymë në Itali, të matura me mënyrën e barazisë së fuqisë blerëse (purchasing power parity, ishin ekzaktësisht të njëjta me vitin 2000 (rreth 43,000 dollarë).

Në vitin 2020, si rezultat i krizës, ato janë 13% më të ulëta se 20 vjet më parë – me vetëm 37,900 dollarë. Nga ana tjetër, të ardhurat mesatare reale për frymë të qytetarëve të vendeve të BE-së janë rritur të paktën me 25% – edhe pse shumë vende do të pësojnë rënie si pasojë e vitit pandemik 2020.

Gjatë vitit të shkuar, ekonomia italiane u tkurr me gati 11% – dy herë më shumë sesa gjatë krizës së Eurozonës. Shkalla e papunësisë ka shkuar në 10%, ndërsa papunësia e të rinjve qëndron në 31%.

Por këto shifra mund të jenë tepër “të bukura” apo “gënjyese”, për shkak të masave afatshkurtra të marra nga qeveria italiane për të pezulluar pushimet nga puna gjatë kësaj periudhe, por edhe sepse ne përgjithësi papunësia është një indikator me efekte të vonuara në çdo recesion.

Në Itali, “Recesioni i Madh” i viteve 2008-2009 ka qenë më i butë sesa rënia ekonomike e shkaktuar nga pandemia, por rezultoi në norma papunësie te të rinjtë deri në 43% disa vite më pas, por edhe rritje të lartë të indikatorëve të varfërisë absolute. Kjo shkakton shqetësime të mëdha për efektet përfundimtare ekonomike dhe sociale të krizës aktuale.

SI ARRITËM NË KËTË SITUATË?

Përpara hyrjes së euros, modeli ekonomik italian ishte i bazuar kryesisht në eksporte. Kompanitë eksportuese përfitonin me inteligjencë nga kualiteti i lartë i markave italiane dhe çmimet konkurruese (përmes zhvlerësimeve seriale të lirës).

Të papërgatitur për euron – dhe pa rritjen e nevojshme të produktivitetit që do të ndante konkurrencën nga lëvizjet e kursit të këmbimit – ndërmarrjet italiane u përpoqën të përshtateshin duke u bazuar kryesisht në uljet e kostove te prodhimit. Kompanitë italiane u përpoqën të ulnin kostot duke u fokusuar kryesisht në importet e produkteve gjysmë të gatshme, falë një euroje të fortë që e bënte të mundur këtë, dhe duke transferuar industritë (offshoring) në vende me kosto të lirë të punës.

Si rezultat i këtyre ndryshimeve, baza industriale italiane ndryshoi, duke ekspozuar në rrezik sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, bazën e zhvillimit ekonomik. Dëshmitarë të një deindustrializimi vullnetar (për të ulur kostot), me transferimin e prodhimit industrial në ekonomitë në zhvillim, aftësitë dhe kapacitetet e akumuluara ndër vite filluan të zbehen.

Transferimi i kompanive italiane drejt vendeve në zhvillim, jo ndryshe nga ajo që ndodhi me vendet e tjera perëndimore, por ndoshta në një mënyrë më të theksuar në Itali, jo vetëm që shkaktoi rritje të papunësisë në vend, por më e rëndësishmja uli fuqinë blerëse të punëtorëve italianë. Kjo gradualisht pati një ndikim të theksuar në varfërimin e klasës së mesme, si edhe zgjeroi pabarazitë.

Gjithashtu, ashtu si në shumë vende të tjera, një faktor tjetër i rëndësishëm ka qenë liberalizimi i pastrukturuar i tregut të punës, i cili nisi në fillim të viteve 2000 me “Pakti për Italinë-Kontrata e Punës” dhe vazhdoi pas krizës së Eurozonës në vitin 2012 me “Aktin e Punësimit”, duke përfunduar një proces derregullimi, i cili shkaktoi si konsekuencë fragmentime të marrëdhënieve të punës.

Imigracioni (sidomos ai informal) gjithashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm, pasi Italia renditet si vendi i tretë në Europë për numrin e emigrantëve. Duke marrë parasysh që ekonomia informale në Itali përbën të paktën 12% të PBB-së, puna e padeklaruar si edhe punësimi nën kualifikim i emigrantëve ka gjeneruar efekte shtesë negative për uljen e përgjithshme të pagave. Çdo ekonomi me një sektor të madh informal në vetvete vuan nga dobësi strukturore që bëjnë që pjesë të ekonomisë të lëvizin jashtë asaj që deklarohet zyrtare.

Këto probleme, prej disa dekadash, dolën në pah me adoptimin e Euros, për arsye se kursi i këmbimit të vendit nuk mund të zbuste më problemet strukturore. Si rezultat, niveli mesatar i rritjes ekonomike në Itali ka qenë 0.15% negativ që nga viti 2000, me normën më të lartë të rritjes pozitive në vitin 2000 (3.78%, dhe normat më të ulëta në 2009(-5.28%), 2012 (-2.98% ) dhe 2020 (- 10.6%). Ndërkohë që borxhi sovran i Italisë është rritur nga 109% të PBB-së në 2000 në 162% në 2020.

Mungesa e rritjes së produktivitetit Shumica e italianëve mund të fajësojnë euron dhe Bashkimin Europian për krizën aktuale ekonomike. Megjithatë, adoptimi i euros nuk është shkaku i problemeve strukturore afatgjata dhe rritjes së dobët të produktivitetit të ekonomisë italiane. Euro është vetëm shkas për të tërhequr vëmendjen drejt këtyre problemeve.

Rritja e ngadaltë e shkallës së produktivitetit (kryesisht produktiviteti i punës) shpjegon performancën zhgënjyese të ekonomisë italiane që nga mesi i viteve 1990. Që nga viti 2000, shkalla mesatare e produktivitetit mezi është rritur me më pak 0.2% në vit, shumë poshtë mesatares europiane. Në vitin 2017, shkalla e rritjes së produktivitetit të punës në Itali ishte vetëm 0.6% krahasuar me 1.5% të vendeve OECD dhe 1.7% të Gjermanisë. Kjo është arsyeja kryesore pse të ardhurat reale kanë ngecur.

Pothuajse 50% e italianëve do të mbështesnin largimin nga BE (dhe Eurozona), por kjo nuk është asnjë zgjidhje premtuese afatgjatë. Bota do të bëhet vetëm më konkurruese në të ardhmen, jo më pak. Çdo lëshim në tundimin e kthimit në të kaluarën e zhvlerësimeve konkurruese do të hidhte hije të errëta mbi të ardhmen e Italisë. Çështjet strukturore që ndikojnë në konkurrencën e mjedisit të biznesit italian mbeten të njëjtat siç kanë qenë për një kohë të gjatë. Ato variojnë nga procedurat e tepërta burokratike, proceset e ngadalta dhe të vonuara gjyqësore, nivelet e larta të taksimit, evazioni fiskal, ekonomia informale si edhe pabarazitë e konsiderueshme rajonale (pavarësisht se shumë fonde të BEsë janë vënë në dispozicion për të kapërcyer këto boshllëqe).

PLANI I RI I RIMËKËMBJES

Nëse problemet janë të njohura mirë, po kështu janë edhe zgjidhjet e nevojshme: Më shumë reforma ekonomike, një sektor publik me transparent e i dixhitalizuar, një sistem arsimor më i mirë. Së bashku me stimuj të synuar për të rritur inovacionin dhe dinamikën e biznesit, të gjitha këto janë të nevojshme për të rritjen e produktivitetit.

Dallimi midis së djeshmes dhe së sotmes është se tani paratë nuk janë problem. Detyrat përpara mund të financohen – edhe në kushtet e borxheve të larta të sektorit publik, me kusht që fondet publike të përdoren në mënyrë më efikase. Veçanërisht, Italia pret të marrë pjesën më të madhe të fondeve të BE-së, me 28% të totalit të fondit të shpëtimit prej 750 miliardë eurosh. Plani Italian i Rimëkëmbjes (Piano Nazionale di Ripresa e Resilienza) – që arrin në 209 miliardë euro dhe financohet nga BE – mbështetet nga Kryeministri Conte dhe, në disa aspekte, kundërshtohet nga Matteo Renzi – ish-Kryeministri dhe udhëheqësi i Viva Italia.

Për sa i përket përdorimit të burimeve, plani përqendrohet në Marrëveshjen e Gjelbër (Green Deal) (37% të fondeve) dhe dixhitalizimin (20%). Duke ndjekur një vizion të qartë, ky mund të jetë momenti i kthesës për një ekonomi të re në Itali: Moderne, dixhitale, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Kjo është edhe koha për të lënë mënjanë interesat e vogla e meskine politike për të arritur një kompromis që është në interesin më të mirë të Italisë dhe, më e rëndësishmja, të popullit të saj

PËRSHTATSHMËRI POLITIKE APO POLITIKËBËRJE E NDJESHME?

Përgjegjësia për ngërçin aktual nuk i përket krejtësisht Matteo Renzit, pasi pavarësisht nga qëllimet e vanitetit të tij personal, në substancë dy ministrat e larguar po bënin presion për reforma më të ndjeshme. Pesë Yjet janë gjithashtu po aq një faktor i paaftë, sa edhe zgjedhjet e tyre politike, të cilat, në shumë mënyra, nuk drejtohen nga zgjedhje racionale, por irracionale. Sado që spektri i një qeverie italiane që drejtohet nga parti të djathta nacionaliste duhet të shmanget, kjo kërkon kompromise në të gjitha anët e koalicionit aktual qeveritar. Mosrespektimi i këtyre marrëdhënieve do të bënte që marrëdhëniet midis Italisë dhe BE-së të tensionoheshin në të ardhmen. Dhe ashtu si gjerat qëndrojnë, durimi për t’i hedhur Italisë edhe një tjetër litar shpëtimi ekonomik po zvogëlohet. Kriza aktuale nuk duhet të shkojë dëm. Kjo është koha për të ecur përpara.

Dr. Valbona Zeneli është drejtore e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë, George C. Marshall. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Marshall Center, dhe të qeverive të SHBA-së dhe Gjermanisë. botuar te “The Globalist”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura