“Kriza energjitike” më herët nga sa e lajmëroi kryeministri/ “Open Data”: Çmimi për blerjen e energjisë, më i lartë se ai që u shit! Vit jo i mirë për…

Oct 6, 2021 | 10:18
SHPËRNDAJE

energjiaelektrike

“Open Data Albania” ka hulumtuar mbi çmimin, sasinë dhe vlerën e shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike në Shqipëri përgjatë pesë viteve të fundit, 2015-2020. Për 2020-ën janë prodhuar në total 5 314 811 MËh energji elektrike, apo 2% më shumë krahasuar me vitin 2019. Sipas llojit, prodhimi më i madh i energjisë elektrike vjen si rezultat i burimeve hidrike rreth 99% dhe vetëm 1% e energjisë elektrike prodhohet nga burime të tjera të rinovueshme.

Pavarësisht rritjes së kapaciteteve prodhuese, viti 2020 konsiderohet si vit jo i mirë hidrologjik, pasi prodhimi total i këtij viti rezulton rreth 15% më pak se prodhimi mesatar i energjisë elektrike në periudhën 2015-2020. Kjo situatë ndikon importin dhe eksportin e energjisë elektrike.

Gjatë vitit 2020 janë eksportuar rreth 25% më shumë sasi bruto GËh energji elektrike nga Shqipëria në vende të tjera krahasuar me vitin 2019. Njëkohësisht importi bruto (energji në marrje) shënoi vlerën 3.239 GËh apo 2% më shumë krahasuar me vitin 2019. Si rezultat, shkëmbimi i energjisë elektrike që jepet si diferencë mes eksportit dhe importit bruto të energjisë ka pësuar rritje me 5.4% krahasuar me vitin 2019, megjithatë ende rezultati i bilancit tregtar të energjisë elektrike mbetet në vlera negative apo situatë deficiti për vitin 2020.

Për vitin 2020 eksporti i energjisë elektrike shënoi vlerën 13 776 000 euro, ndërsa importi i energjisë elektrike arrit vlerën 69 146 000 euro. Me këto të dhëna zyrtare të publikuara nga INSTAT, ERE, Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë, po të vlerësojmë çmimin në blerje dhe çmimin në shitje të energjisë elektrike, rezulton se Shqipëria ka shitur energji elektrike me çmimin mesatar 14.3 euro/MWh dhe ka blerë energji me çmimin mesatar 21.35 euro/MWh. Pra për vitin 2020 çmimi i blerjes së energjisë elektrike ka qenë më i lartë se çmimi i shitjes së energjisë elektrike për MWh.

Po t’i referohemi grafikut të mëposhtëm, për periudhën 2015-2020, çmimi mesatar në eksport i energjisë elektrike ka qenë jo i qëndrueshëm dhe në vitin 2020 ka pësuar rënie. Ndërsa çmimi mesatar në import të energjisë elektrike në vitet e fundit ka pësuar luhatje të vogla, megjithatë për vitin 2020 ka pasur rritje dhe ka qenë më i lartë se çmimi i eksportit.

Sipas destinacionit, vihet re se vendet në të cilat Shqipëria ka eksportuar energji elektrike janë Serbia, Sllovenia dhe Greqia. Për vitin 2020 Serbia zë një përqindje prej 64% të vlerës totale të eksporteve, apo rreth 8.9 milionë euro, ndjekur më pas nga Sllovenia me një përqindje prej 22.2%, apo rreth 3 milionë euro, dhe Greqia me vlerë totale prej 1.9 milionë eurosh, apo 13.7% të vlerës totale të eksporteve. Ndërsa sa i përket importit të energjisë elektrike, vendet prej të cilave Shqipëria ka marrë energji janë Serbia, Greqia, Sllovenia dhe Republika Çeke.

Edhe në rastin e marrjes së energjisë elektrike, partneri kryesor i Shqipërisë mbetet Serbia me rreth 56.5 milionë euro, apo 82% të totalit të vlerës së importeve, ndjekur më pas nga Greqia me 5.9 milionë euro, apo 9% e totalit të importeve në vlerë; Sllovenia me 4.6 milionë euro (pra 7% e totalit) dhe në fund Republika Çeke me vlerë importesh 2.15 milionë euro, apo rreth 3% e totalit. Një diferencë e theksuar vihet re edhe në tarifën e energjisë elektrike që paguajnë klientët familjarë dhe klientët jofamiljarë.

Te klientët familjarë përfshihen ata konsumatorë që kanë një konsum vjetor të energjisë mes 2500- 5000 kËh. Ndërsa klientë jofamiljarë konsiderohen konsumatorët që konsumojnë mes 500-2000 MËh. Në një grafik, “Open data” paraqet çmimet e energjisë elektrike para taksimit (TVSH-së) për klientët familjarë për vitin 2020 në vendet e rajonit. Çmimi mesatar i energjisë elektrike për klientët familjarë për vendet e rajonit është 10.36 lekë/kËh, ndërsa çmimi mesatar i energjisë elektrike për klientët familjarë për vendet e Bashkimit Europian është 15.49 lekë/kWh.

Vihet re se Shqipëria ka çmimin mesatar vjetor të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë më të lartë se vendet e rajonit, me rreth 11.96 lekë/kËh, ndjekur nga Mali i Zi me 9.88 lekë/kWh; Maqedonia e Veriut 8.40 lekë/kËh; Serbi me 6.83 lekë/kWh dhe Kosova me 6.86 lekë/kWh. Ndërsa në një tjetër paraqet çmimet e energjisë elektrike para taksimit (TVSH-së) për klientët jofamiljarë për vitin 2020 në vendet e rajonit.

Çmimi mesatar i energjisë elektrike për klientët familjarë për vendet e Bashkimit Europian është 10 lekë/kËh, ndërsa çmimi mesatar i energjisë elektrike për klientët jofamiljarë biznese dhe institucione, për vendet e rajonit është 9.58 lekë/kËh. Shqipëria ka çmimin mesatar vjetor të energjisë elektrike për konsumatorët jofamiljarë më të lartë se vendet e rajonit, me rreth 12.82 lekë/kWh, ndjekur më pas nga Maqedonia e Veriut me 9.27 lekë/kËh; Serbia me 8.91 lekë/kWh; Mali i Zi dhe Kosova me 7.81 lekë/kWh. Sistemi elektro-energjetik në Shqipëri përbëhet nga prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike me qëllim furnizimin e klientëve të energjisë elektrike.

Prodhimi i energjisë realizohet nga shoqëritë “KESH sh.a” dhe “HEC Lanabregas sh.a” me 100% të aksioneve shtetërore, si dhe nga subjekte private dhe me koncesione të licencuara. Ndërkohë, transmetimi i energjisë elektrike realizohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit sh.a (OST), ndërsa shpërndarja e energjisë elektrike kryhet nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes sh.a. Në databazën “Open Corporates Albania”, rubrika për shoqëri koncesionare janë pasaporta për shoqëri prodhuese të mesme apo të vogla të energjisë përmes veprave hidrike. Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga INSTAT, ERE, International Trade Center, UN COMTRADE, EUROSTAT. Ky artikull hulumtues po publikohet në kuadër të projektit “Open Data, Açess and Transparency over sectors to Risk of Corruption”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura