Kriza energjitike/ Maqedonia e Veriut mund të reduktojë furnizimin me rrymë gjatë dimrit nëse nuk plotësohet…

Sep 20, 2022 | 17:50
SHPËRNDAJE

Maqedonia e Veriut mund të vendosë të reduktojë furnizimin me energji elektrike gjatë sezonit të dimrit, kjo nëse autoritetet nuk do të arrijnë të sigurojnë 1/3 e nevojave të konsumit ditor nga importi me shtetet fqinje.

energji krize

Sipas mediave maqedonase, operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike në vend, “MEPSO” thotë se në bazë të potencialit prodhues sigurohet 65-70% e energjisë nga burimet vendore ndërsa 30-35% e energjisë importohet.

Drejtori i MEPSO-s Orhan Murtezani, tha se reduktime nuk do të ketë vetëm nëse sigurohet energjia nga Greqia, Bullgaria, Shqipëria dhe Serbia.

“Ky trend i njëjtë është në disa vitet e fundit dhe nëse kemi parasysh planin e paraqitur të ELEM për prodhimin e energjisë gjatë dimrit që vjen por edhe tentativat e qeverisë për të siguruar energji elektrike nga shtetet fqinje, nëse gjitha këto hapa përmbyllen me sukses, atëherë besoj që ky dimër do të duhet të kaloj pa devijime ose probleme të theksueshme”, tha Orhan Murtezani.

Nga Komisioni Rregullator i Energjetikës thonë se me ligjet e fizikës është normale të humbet energjia deri në 15% e prodhimit të përgjithshëm, por nga kompania shpërndarëse EVN thonë se KRRE nuk e pranon humbjen e denoncuar prej 14%, por ka legjitimuar në treg vetëm 12% humbjes së rrymës.

Por, a paguajnë qytetarët humbjet në rrjet? Sipas EVN në vetë faturat e energjisë elektrike, në mënyrë transparente dhe të detajuar është pasqyruar se për çfarë paguajnë konsumatorët, dhe ajo është: Kompensim për energjinë elektrike të konsumuar, Kompensim për transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike (MEPSO dhe Elektrodistribuimi), TVSH 5% dhe Taksa komunale për ndriçim publik.

Nga ana tjetër, humbje ka edhe nga vjedhjet. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 300 mijë MW/h energji elektrike vidhen çdo vit në vend, shumë e cila është afër 10% e konsumit të përgjithshëm të rrymës për amvisëritë në Maqedoninë e Veriut. Nga autoritetet thonë se nga kyçjet ilegale në rrjet dëmi kalon mbi 100 milion euro në vit dhe shumica e hajnave atë e përdorin për gërmim të kriptovalutave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura