Kriza Energjitike/ Gent Sejko: Sfidë e re, përballja me rritjen e çmimeve. Kostoja për bizneset dhe familjet…

Oct 9, 2021 | 8:18
SHPËRNDAJE

Masat e ndërmarra në mbështetje të ekonomisë së goditur nga pandemia ndihmuan në zbutjen e efekteve negative, si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje më të shpejtë të ekonomisë post-pandemi.

gentsejko

“U aplikuan një sërë instrumentesh operacionale për të minimizuar pasojat e pandemisë në ekonomi dhe në sistemin financiar në veçanti. Masat e marra kanë dhënë rezultatin e tyre, duke garantuar ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit dhe lehtësimin e kostove të krizës për bizneset dhe familjet shqiptare”, tha Sejko.

Në leksionin virtual të organizuar nga Shkolla Ekonomike dhe e Shkencave Politike të Londrës (LSE) me temë: “Planningfor the Post-COVID world: central bankpolicies in emergingeconomies”, Guvernatori Sejko vuri në dukje po ashtu se një rol të rëndësishëm në përballimin me sukses të kësaj situate luajtën edhe reformat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare me impakt të drejtpërdrejtë në ruajtjen e stabilitetit financiar, por dhe koordinimi i vazhdueshëm në kohë me institucionet ndërkombëtare.

Por me tejkalimin e krizës së krijuar nga pandemia, vëmendja e institucioneve është përqendruar drejt sfidave të reja që paraqiten në panoramën ekonomike si përballja me goditjen e fundit të çmimeve globale, normalizimi i politikave të ndryshme dhe vlerësimi i ndikimeve të mundshme strukturore në ekonomi.

Më herët, Guvernatori ka vënë në dukje se banka është duke monitoruar situatën dhe institucioni që ai drejton është gati të ndërhyjë në çdo kohë me politikat e nevojshme për të mbajtur në objektiv inflacionin. Nga ana tjetër, masat e ndërmarra për menaxhimin e krizës pandemike u vlerësuan edhe nga profesorët e Shkollës Ekonomike dhe Shkencave Politike të Londrës, Ricardo Reis, Piroska NagyMohácsi dhe Vassilis Monastiriotis.

Ata theksuan se Shqipëria përballë kësaj krize globale, në një situatë me shumë të panjohura dhe me ndryshime të thella ekonomike, politike e shoqërore, falë reagimit të shpejtë dhe koordinimit të politikave ekonomike arriti të dalë nga kjo situatë dhe të nisë rimëkëmbjen ekonomike.

Në menaxhimin e kësaj krize, profesorët veçuan eficiencën e stimulit fiskal me bashkërendimin e politikës monetare, si edhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë, të cilat plotësuan mjaft mirë politikën fiskale dhe shtuan se falë këtij koordinimi, përkeqësimi i situatës ekonomike mbeti i përkohshëm dhe tashmë Shqipëria ka marrë rrugën drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura