Kriza energjitike, administratori i OSHEE-së flet për çmimet: Deri më 1 janar nuk do preken tarifat!

Oct 25, 2021 | 14:05
SHPËRNDAJE

“Nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike deri më datë 1 janar 2022”. Këtë e ka bërë të ditur administratori i OSHEE-së, Ardian Çela gjatë Komisionit për Politikën e Jashtme këtë të hënë.

Ai sqaroi se pas kësaj date, OSHEE do të bëjë një aplikim tek enti rregullator e cila më pas aprovon tarifat.

“Deri më datë 1 janar nuk do të ketë asnjë prekje të tarifës. Me datë 1 janar OSHEE ka bërë aplikimin pranë entit rregullator që është institucioni që aprovon tarfiat. Dhe nuk ka aplikuar asnjë rritje tarife. Pjesa tjetër është pjesë e një reforme tjetër ku përfshihet liberalizimi i tregut që ka filluar shumë vite më parë.  Më 1 janar pjesa tjetër që janë të lidhur me tension të mesëm do dalin në treg të lire si pjesë e një projekti që ka nisur me Bankën Botërore që është implementuar përmes OST.

Theksoj se ka përfunduar platforma mes OST dhe OSHEE. Shtoj edhe njëherë se rritje tarifash për 1 milion abonentë që furnizohen nga OSHEE nuk do ketë. Ne krahasimet i kemi bërë me veten. Shqiptarët e kanë harruar atë periudhë kur iknin dritat. Ka ende për t’u bërë por përmirësimet janë të dukshme. Përkeqësimi i situatës dhe rritja e tarifave nuk do ndodhë”, tha Çela, ndërsa shtoi se ka ende shumë punë për të bërë në përmirësimin e rrjetit energjetik.

Më herët, Çela tregon se OSHEE gjatë dy viteve të fundit ka ndjerë impaktin që ka lënë pas koronavirusi duke u shprehur se është ulur niveli i arkëtimeve dhe se në vitin 2020, operatori energjitik e mbylli me 2.4 mld lekë të reja humbje.

“Janë disa pyetje që unë do përpiqem t’i përgjigjem në grup. Përsa i përket punonjësve, pagat e punonjësve të OSHEE-së caktohen me VKM dhe deri në atë kohë nuk ishin caktuar. Është marrë VKM në gusht të 2016, që bëri sistemimin e pagave të punonjësve. Asnjë nivel drejtues në të gjithë Shqipërinë të OSHEE-së nuk pësuan rritje page. U rritën pagat e elektriçistëve që kishin një pagë minimale. Rritja ka këtë lloj efekti. E dyta, thuhet që u bë rritje e punonjësve.

Po u bë pasi ÇEZ-i e kishte lënë kompaninë me mbi 10 mijë fatura afrofe, pra nuk kishte lexues që të lexonin këto fatura, nuk kishte elektriçistë që të reagonin në kohë. Nga 45 sportele që kishte për ankesa dhe shërbime, janë 98. Një sportel i shërben 600 banorëve. I kemi kursyer kohë qytetarëve. Kemi 500 mijë matësa elektronikë. Investimet smart i përmendi ministrja. Sa i përket merakut për keqfaturimet, shifrat janë të tilla.

Në vitin 2017 numri i ankesave për keqfaturim ishte 63 mijë, në vitin 2020 ishte 41 mijë, dhe në 8 mujorin e parë të 2021 është 25.700, të regjistruara në sistem dhe nuk janë shënuar me dorë. OSHEE është prekur nga COVID-i. Në vitin 2020, OSHEE e mbylli me 2.4 mld lekë të reja humbje, sepse niveli i arkëtimeve nga 97.5% që ishte në vitin 2019 ka rënë në 93.4% në 2020. Arsyet po të doni i shtjellojmë por të gjithë i kemi përjetuar situatën e koronavirusit” – tha Çela.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura