Kriza ekonomike dhe dalja prej saj

| 9:15
SHPËRNDAJE

DR. KLODIAN MUÇO Klodian Muco

Modeli i zhvillimit ekonomik shqiptar ka arritur në një pikë kritike, efektet negative në shëndetësi dhe në mirëqenien e pjesës dërmuese të qytetarëve janë më se evidente. Në Shqipëri kemi një model zhvillimi që premton rritje ekonomike dhe mirëqenie, por, në të vërtetë, prodhon varfëri dhe emigracion. Politikat publike janë në funksion të pak individëve e nëse vazhdohet në këtë rrugë duke mos ndaluar së shpërdoruari paratë publike, me shumë gjasa do të kemi fatin e Greqisë apo më keq, do të bëhemi si shumë vende afrikane ku çdo pasuri publike kontrollohet nga pak persona dhe e vetmja shpresë e njerëzve në ato vende është emigracioni.

Shqipëria ka nivelin më të ulët të produktivitetit në Europë. Burimet ekonomike publike janë të ulëta dhe nuk është më koha t’i shpërdorojmë. Tashmë, borxhi publik është rritur aq shumë sa është pothuajse e pamundur të hartohen politika ekonomike duke u mbështetur te borxhi, qoftë edhe nëse këto para do të shpenzohen për rritjen e punësimit apo të produktivitetit.

Nga ana tjetër, nuk është e thjeshtë të hartohen politika pa borxh e duke pasur në të njëjtën kohë konsensusin e një populli që është mësuar ndër vite ta valutojë suksesin e një politike ekonomike kombëtare nga rrugët e ndërtuara me anë të borxhit publik.

Sot, rruga e vetme që mund të ndiqet është përmirësimi i financave publike, prishja e kontratave koncesionare joeficiente apo në pamundësi të prishjes, reduktimi i financimit të tyre dhe stimulimi i investimeve private dhe të huaja duke përmirësuar mirëqeverisjen dhe duke reduktuar presionin fiskal. Në vitin e fundit, qeveria ka rritur ndjeshëm borxhin publik me mbi 1 miliard euro dhe me anë të tij kërkon të rrisë ndjeshëm investimet në infrastrukturën publike, duke zëvendësuar investimet private me ato publike. Ndërkohë, që edhe pse jemi në një krizë sanitare, rritja e fondeve publike për shëndetësinë është pothuajse e papërfillshme.

Rritja e investimeve publike me anë të borxhit rrit raportin borxh publik/GDP, po ashtu këtë raport e përkeqëson edhe rënia e GDP-së nga kriza e COVID.

Fondi për t’i bërë ballë krizës në fjalë ishte sa 0.86% e GDP-së dhe jo sa shpenzuan vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm. Ky fond kaq i ulët do të bëjë që edhe rimëkëmbja ekonomike e vendit tonë do të jetë më e ngadaltë se ajo e vendeve të tjera. Sigurisht, që për të ndryshuar këtë kurs, ka disa rrugë që mund edhe të ndiqeshin nga politika miope dhe pseudo-populiste si

-stimulimi punësimit, i rritjes së të ardhurave reale apo kthimi i pritshmërive pozitive për të ardhmen me anë të kalimit të likuiditetit direkt te biznesi. Pra, politika pro biznes dhe jo investime në infrastrukturë që nuk kanë impakt të lartë në punësim.

-Implementimi i politikave që stimulojnë reduktimin e kostos së punës apo rritjee e produktivitetit, duke pasur si pikësynim bazë sektorin agroushqimor dhe turizmin, të cilët mund të stimulojnë ndjeshëm punësimin, zhvillimin ekonomik e mund të përmirësojnë balancën tregtare, pra, avantazhi që na ofron klima duhet të shfrytëzohet. Të stimulosh ndërtimin e një fabrike përpunimi produktesh bujqësore ka një impakt shumë më të lartë sesa të ndërtosh një rrugë apo tunel.

– Të përcaktohen zonat periferike të Shqipërisë si zona të lira ekonomike me qëllim stimulimin e investimeve të huaja, është më mirë të mos përfitosh taksa direkte në ca zona sesa t’i lësh ato në mëshirë të fatit dhe të braktisen njëherë e përgjithmonë nga popullsia e saj.

-Të rriten ndjeshëm investimet në arsim, sidomos në gjimnaze dhe universitete, pasi kapitali human nga viti në vit përkeqësohet në Shqipëri. Të rinjtë brilantë emigrojnë (rreth 140 mijë të rinj shqiptarë kanë emigruar në 10 vitet e fundit) dhe në vend po bëhet gjithmonë e më e vështirë të gjenden burime njerëzore të afta për tregun e punës.

– Të vihet me ligj që kush shpërdoron fondet publike, të dënohet me burg dhe të dëmshpërblejë shtetin e të mos ketë më mundësi të punojë në administratën publike. Pra, të dënohet korrupsioni dhe papërgjegjshmëria (si ka mundësi që çdo person që ka punuar në administratën publike jeton në luks e kanë shumë prona ndërkohë që njerëzit e thjeshtë e kanë të vështirë të sigurojnë edhe bukën e gojës?!).

-Të përcaktohet si kusht mesatarja e notave dhe testi i intelektit për të gjithë ata që kërkojnë të punojnë në administratën publike, si dhe të vendosen kritere të forta për ata që marrin pozicione drejtuese, pra, të evitohen militantët e rëndomtë nga pozicionet drejtuese në administratën publike.

– Nevojitet, po ashtu, që çmimet e produkteve dhe shërbimeve të rishikohen/kontrollohen, pasi paguajmë po aq shtrenjtë ilaçet ashtu si në vendet e zhvilluara, por cilësia është si ajo e vendeve afrikane, është paradoksale që karburantet në Shqipëri paguhen më shtrenjtë se në shumicën e vendeve të tjera të Europës, ndërkohë që cilësia e tyre është ndër më të ulëtat në Europë.

Është paradoksale që paguajmë çmime shumë të larta për ushqimet dhe perimet, por standardi i tyre lë për të dëshiruar e jo pak herë dëmtojnë shëndetin e njerëzve. 3.4% e pagës shkon për sigurimin shëndetësor, por, nga ana tjetër, spitalet lënë për të dëshiruar

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.