Kriza e rrefugjatëve, Bushati i paqartë: As nuk i hapim dhe as nuk i mbyllim kufijtë

Feb 28, 2016 | 8:30
SHPËRNDAJE

Në një kohë që Kryeministri Rama tha se nuk do të hapen kufijtë për refugjatët nga Lindja e Mesme, ndërsa ministrja e Integrimit Gjosha kishte deklaruar se do t’i hapim kufijtë, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjen një rrugë të mesme.

Bushati-SotGjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, Bushati tha se Shqipëria as do t’i hapë, por as do t’i mbyllë kufijtë në rastin e një vërshimi refugjatësh nga Lindja e Mesme. Pyetjes së gazetarit të “Zërit të Amerikës”: “Si do ta interpretonit ju atë që la të kuptohet Kryeministri Rama, i cili tha që Shqipëria nuk ka ndërmend të hapë kufijtë?”, Bushati i dha këtë përgjigje:” Pikërisht, në këtë që sapo thashë, që Shqipëria as nuk do t’i hapë kufijtë, as nuk do t’i mbyllë kufijtë.

Shqipëria do t’u qëndrojë besnike vlerave europiane, angazhimeve të ndërmarra në këtë kuadër, që në tetorin e vitit të kaluar”.

Ai ka vijuar komentin e tij “tepër sqarues” duke thënë se: “Asnjë vend i Bashkimit Europian, siç duket nuk i ka burimet e duhura njerëzore, financiare apo kapacitetet për të akomoduar një numër të paprecedentë të refugjatëve që vijnë kryesisht nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Por, siç e theksova, është e rëndësishme që të ketë një përgjigje të përbashkët europiane për këtë sfidë, e cila është e përbashkët.

Mbyllja e kufijve në mënyrë individuale që mund të kenë bërë vende të caktuara, ndërtimi i mureve, apo i pengesave, barrierave të ndryshme, nuk është zgjidhja e problemit, sepse krijon një reaksion zinxhir, efekt zinxhir te fqinjët e tjerë”.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Bushati pati bisedime në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe ishte i ftuar në disa diskutime, mes të tjerash në Institutin Brookings në Uashington. Ai foli për marrëdhëniet me SHBA-të, masat e Shqipërisë për të përballuar një valë të mundshme refugjatësh, ndikimin rus në Ballkan dhe çështje të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura