Kriza e autoriteteve, patologjitë e shoqërisë dhe diagnoza “Sarkozi”…

Jan 26, 2022 | 7:50
SHPËRNDAJE

gezim tushiGËZIM TUSHI

Shoqëria shqiptare tani është në fazën më intensive të kalimit të krizës së brendshme, që lidhet me natyrën e veçantë të zhvillimeve intensive të jetës postmoderne dhe shfaqjes së sinkronizuar të dukurive më komplekse dhe kontroversale të saj. Gjëra që janë të natyrshme dhe të kuptueshme, por edhe anomali që vijnë nga mungesat endemike të veprimit të strukturuar e kompakt të institucioneve të edukimit dhe formimit qytetar. Jeta e shoqërisë është vënë nën presion dhe është inonduar nga fenomene të tilla si dhuna, krimi në familje, sjelljet sociale ekscentrike, nivelet në zgjerim të anomisë dhe çrregullimeve sociale, shfaqjet e rënda të incestit dhe pedofilisë, zgjerimi i krimit minor, vjedhjet dhe korrupsioni, si dhe shumë dukuri të tjera sociale bashkëshoqëruese të tyre. Të gjitha këto janë bërë anomali sociale serioze, dinamike e shqetësuese. Përgjithësisht masive dhe me natyrë patologjike, tejet preokupante për shëndetin e shoqërisë shqiptare.

Kjo situatë mund të matet dhe të vërtetohet me shumë tregues të shfaqura në jetën empirike, por dhe strukturore, kulturore, sociale dhe individuale. Kjo krizë, sipas mendimit tim, buron nga fakte, që duke qenë në kapërcyellin akoma të tranzicionit socio-kulturor janë të kuptueshme, por nuk janë tërësisht të justifikueshme. As si sasi, cilësi apo tipologji. Nëse këto probleme do t’i vëzhgojmë me një optikë sociale më të zgjeruar, në mënyrë evidente ato janë të lidhura me një kompleks faktorësh historikë, kulturorë, aktualë, që lidhen me dobësimin e forcës së institucioneve të edukimit, formimit qytetar, të shtetit dhe të sigurisë morale. Dobësimi i të cilave ka sjellë situatën evidente, atë të shfaqjes së “krizës së autoritetit” në jetën e sotme shoqërore.

Janë disa institucione me natyrë sociale, shumë të rëndësishme për rregullimin e stabilitetit edukativ ekzistencial të shoqërisë, të cilat janë të tronditura deri në nivele kritike, të cilat kanë sjellë atë situatë tipike, të cilën ish-Presidenti i Francës, Nikola Sarkozy, me të drejtë e sintetizon me togfjalëshin “krizë e autoritetit” dhe e konsideron nominalisht si dukuri sociale të shfaqjes në shoqëri të situatës së “pamjaftueshmërisë flagrante autoritetit”. Një gjendje sociale shumë e përhapur dhe me pasoja në shoqëritë e sotme franceze, amerikane apo shqiptare. Pa dyshim edhe te ne, kriza endemike e “institucioneve të autoritetit” është një nga faktorët më gjeneralistë, të determinimit të anomalive intensive në jetën e sotme sociale.

Nga analiza dhe studimi i situatës në shoqërinë shqiptare, sipas mendimit tim, kriza dhe pamjaftueshmëria e kushteve për “autoritet normal”, sot është në kulmin historik të saj. Kriza e shoqërisë shqiptare ka plot faktorë historikë e materialë, kulturorë e tradicionalë. Por mendoj se duke i diagnostikuar shkaqet, është me rëndësi të evidentohet e vërteta kryesore, se shkaku themelor i kësaj krize sociale, lidhet me krizën e disa institucioneve dhe autoriteteve kryesore, të cilat duke qenë në krizën e tyre të identitetit dhe funksionalitetit, janë ndër shkaqet bazë të “tronditjes sizmike” dhe shqetësimeve individuale të njerëzve në shoqëri. Të gjithë e kuptojnë se këto autoritete që sot po përjetojnë krizën e tyre serioze, ekzistencialisht të thellë, dhe kjo është situatë që determinon dëshpërime të thella sociale dhe impakte shqetësuese e destabilizuese në situatën e përgjithshme sociale të shoqërisë shqiptare. Tri institucionet që janë në “krizë autoriteti” dhe funksionaliteti sipas Sarkozisë janë: dobësimi i rolit të familjes, tronditja e autoritetit të institucionit të shkollës dhe “zbutja” e rolit të shtetit.

Familja shqiptare në procesin e riorientimit demokratik të strukturës dhe funksioneve të saj, ndikuar nga presioni horizontal demokratizues, ka filluar të shfaqë ruptura edukative, bjerrje të autoritetit brenda strukturës së saj, mbi fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë. Në vend të përmirësimit të qëllimeve dhe funksionalitetit, autoriteti dhe “Kushtetuta” e brendshme e familjes shqiptare është dëmtuar. Për pasojë, po shfaqen “vakume” të bujshme të kalimit nga edukata tradicionaliste dhe paternaliste drejt një “boshllëku edukativ”, liberalizmi dhe mungese të përgjegjësisë prindërore dhe bashkëshortore, e shoqëruar kjo me idenë e një lloj “teknoprofecie” mbi edukimin linear, përmes ndikimeve të teknologjisë dixhitale në mënyrë spontane dhe pa nevojën e ndërhyrjeve sistemike dhe ndikimit permanent edukativ prindëror. Kjo ka cenuar autoritetin e familjes, kuotat e nevojshme të prindërimit dhe peshën e familjes si “entiteti më i fuqishëm i të gjitha entiteteve që ngrihen mbi individin”

Dobësimi i autoritetit të familjes ka cenuar atë vlerë të madhe sikurse ka qenë dhe duhet të jetë “cipa emocionale” e familjes shqiptare, marrëveshja sociale e përgjegjësisë prindërore për edukimin e fëmijëve të tyre. Padyshim, ishte e kuptueshme që në rrjedhat e transformimeve dhe tranzicionit edhe familja është kapur nga “virusi social” i familjes perëndimore, në të cilën njerëzit filluan t’i reduktojnë detyrimet, “mbingarkesat edukative” dhe përgjegjësitë ndaj familjes dhe fëmijëve, në emër të kërkesave dhe synimeve të personalizuara individuale për karrierë personale, vetëpërmbushje e kënaqësi individuale. Mungesa e autoritetit familjar ka gjithnjë rrezikun që ta shndërrojë atë në një “guaskë edukative bosh”, duke e zhveshur nga “stenografia e normave” që sigurojnë funksionin, standardet dhe rregullat edukative të familjes, duke i cenuar asaj statusin e domosdoshëm të “familjes etike” me përgjegjësi edukative, duke e katandisur situatën e një familjeje të shpërbërë, pa autoritetin e nevojshëm e të domosdoshëm.

Institucioni i dytë që po kalon nëpër dallgët e krizës së autoritetit është shkolla, e cila është duke pësuar goditjet e dallgëve të edukatës paternaliste, duke e bërë edukimin në shkollë një proces të vështirë, të ndërlikuar, problematik. Ajo është bërë një vatër konfliktesh të zgjeruara midis mësuesit dhe nxënësit, me shfaqje të sjelljeve agresive buliste, me mungesa të theksuara të komunikimit, që kanë të bëjnë me problemet që cenojnë figurën integritetin dhe autoritetin e mësuesit, por dhe disponibilitetin e dobët edukativ të nxënësve.

Procesi i diagnostikimit pedagogjik dhe intervenimi kompakt edukativ i mësuesit dhe nxënësit, është bërë tejet delikat e antinomik. Dobësimi i “pushtetit disiplinor” të shkollës, është një nga arsyet madhore të cenimit të autoritetit të këtij institucioni me shumë rëndësi për formimin dhe sigurinë morale e formimin qytetar të fëmijëve tanë. Ky komponent është determinant në shfaqjet e jetës së zbrazur, qëndrimeve vanitoze të të rinjve në shkollë dhe faktor për zgjerimin e shfaqjeve të “sëmundjeve të pasionit” te të rinjtë sikurse janë përdorimi i zgjeruar i drogës, alkoolit apo shthurjes së disiplinës së seksualitetit moshor.

Në këtë trinom të institucioneve që për autoritetin e tyre jo të plotë apo të cenuar dhe që kanë ndikime të zgjeruara në situatat e anomisë dhe çrregullimeve sociale, është pa dyshim edhe shteti, si institucion me rëndësi, me funksione ligjore, autoritet juridik, por dhe me “fuqi edukative” në të njëjtën kohë. Nuk është fjala për të risjellë mendërisht dhe fizikisht shtetin e dikurshëm. As atë totalitar, por as atë supersocial, që ka përgjegjësi sociale për shoqërinë dhe individin, duke e “shoqëruar” atë prej dore që “nga djepi deri në varr”. Jo, është fjala për shtetin që duhet të ketë autoritetin e plotë të institucioneve të tij ligjzbatuese, detyruese dhe harmonizuese. Qytetarët janë në të drejtën e tyre, kur kërkojnë një kuptim të plotë e të drejtë të rolit të shtetit në shoqëri. Sidomos kur është fjala për zbatimin pa lëkundje të autoritetit të shteti përballë krimit, korrupsionit, dhunës, shkeljeve të të drejtave të njeriut, etj.

Unë besoj se situata është e tillë, kur kërkesa e shqiptarëve për “autoritet” dhe forcimin e institucioneve të autoritetit sikurse janë familja, shkolla dhe shteti është tejet obligative, në kulmet e veta të shqetësimit social madhor. Tani janë të qarta dobësitë, ambiguitetet, të çarat në sistemin e institucioneve të autoritetit në shoqërinë tonë. Për pasojë duket se “kriza e autoritetit” është një nga tiparet e krizës që ka mbërthyer shoqërinë tonë, e cila është gjithashtu e lidhur dhe ndikuese në mungesën e besimit tek njerëzit tanë për të ardhmen e tyre. Sociologët mendojnë se kjo është situatë kur në shoqëri shfaqen shenja të sigurta të kaosit.

Mungesa e një strukturimi të qartë të këtyre institucioneve me rëndësi të shoqërisë, zgjerimi i sjelljeve kaotike e ekscentrike të njerëzve janë të lidhura me këto institucione të “autoritetit social” dhe që pengojnë krijimin konsensual të atyre vlerave themelore, me të cilat mund të ndërtojmë kulturën qytetare dhe sjelljet tona të përgjegjshme sociale. Kriza e autoritetit të familjes, shkollës, shtetit, është e lidhur në mënyrë të padiskutueshme edhe me lidershipet që drejtojnë ato, sikurse janë prindërit në familje, mësuesit në shkollë dhe politikanët profesionistë, shtetarët menaxherë të institucioneve të shtetit. Përgjithësisht, në këto tri dekada ka pasur shumë lëvizje dhe tentativa për lidershipe sa më adekuate dhe autoritare në këto institucione të disiplinës, edukimit dhe sigurisë morale, por nuk kemi arritur të prodhojmë atë tipologji lideri që i duhet drejtimit koherent dhe me kompetencë të familjes, shkollës dhe shtetit…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura