Krimi “rreh” Policinë, ajo qytetarët!

Feb 22, 2015 | 13:55
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

          Ditët e fundit jemi bërë dëshmitarë të një spektakli të shëmtuar intensiv dhune mbi qytetarët. Fatkeqësisht, protagoniste është Policia e Shtetit, bash ajo që ka detyrën parësore  t’i mbrojë ata. Në Tiranë, Kavajë dhe Korçë kemi parë të çmeritur se si policet masakrojnë në mes të rrugës persona të zënë në ndonjë kundërvajtje. Në çdo situatë në një shtet demokratik, madje edhe ndaj kriminelëve, parashikohet neutralizimi dhe jo dhunimi i tyre. Integriteti fizik dhe moral është e drejtë themelore e njeriut në qytetërimin, të cilit kërkojmë t’i bashkëngjitemi jo pa hipokrizi dhe nuk ka qenë kurrë i tillë në diktaturën prej së cilës kemi dalë. Vënia e tij në diskutim nga instrumente shtetërore është një reminishencë që na troket në kujtesë. Në një vend të lirë dënimet i jep vetëm gjykata dhe në to nuk përfshihet asnjë formë depersonalizimi nëpërmjet dhunës. Kamxhikosjet, gjymtimet, prerjet e gjymtyrëve, skenat publike të ekzekutimeve apo rrahjeve në sheshe apo stadiume, gjuajtjet me gur, fyerjet në emër të virtytit kundër vesit nuk janë cilësi e demokracive europiane. Ky qytetërim ka shpikur ligjin për të rregulluar dhe kushtëzuar marrëdhëniet ndërmjet kategorive etike dhe ky ligj nuk i lejon asnjë zyrtari të cenojë personalitetin e individit sipas vullnetit të tij, pavarësisht gjeografisë së fajit. Ndër ne jo pak herë ndodh e kundërta. Një mentalitet halldup e dumbabist, që përkund arrogancë e dhunë, rri këmbëkryq në koka pushtetarësh sipas hierarkisë, duke u materializuar në sjellje e veprime që provokojnë paqen sociale. Duket se uniforma te disa persona përjetohet si pushtet zaptijesh dhe jo si shërbim ndaj komunitetit. Pamjet tronditëse se si gjuhej me shpulla një grua në kryeqytet, si hiqej zvarrë një i ri në Kavajë tek rrihej egërsisht me shkelma e grushte dhe ende më shtazërisht fatkeqi Tomi Misha në Korçë përballë një publiku sehirxhi për një gërvishtje makine nga një grup inspektorësh të zellshëm të policisë lokale, për të përfunduar i masakruar në spitalin rajonal, të bën minimalisht të mendosh që slogani “Policia që duam” duhet zëvendësuar me një tjetër “Kjo është policia që nuk duam”. Veprimet e Didit, drejtorit të Përgjithshëm, për t’i pezulluar dhe hetuar oficerët e përfshirë në këto shëmtira, duhen mirëpritur e inkurajuar, duke theksuar pamjaftueshmërinë e tyre për t’i rikthyer besimin e publikut. Përsëritja e këtyre akteve me këtë dendësi dhe kudo shndërrohet në dëshmi e një standardi problematik njerëzor e profesional të kësaj arme themelore të sigurisë kombëtare për suksesin e së cilës jemi të gjithë të interesuar. Dështimi i saj na e bën jetën më të vështirë, duke na hedhur në mëshirën e fatit dhe jo në arsyen e kodeve penale e civile. Ndërkohë që gjendja e rendit publik është mjaft delikate nga ofensiva e malavitës së organizuar, rend i cili shfaqet me vrasje, grabitje, shpërthime tritoli dhe kërcënime të formave të ndryshme, shohim agresivitet të skajshëm ndaj kundërvajtjes, si dhe heshtje, justifikim e paaftësi ndaj krimit. Kur i gjithë opinioni shqiptar pret me dorë në zemër dhe solidaritet kundërpërgjigjen që nuk mbërrin të Policisë së Shtetit ndaj keqbërësve, atij tanimë i duhet të vetëmbrohet pikërisht prej asaj trupe që duhet t’i japë rend, siguri, qetësi dhe dinjitet. Pas videove të shfaqura në media i bie që kur të shohim një polic në rrugë, të mendojmë se kemi gjetur belanë dhe t’i ruhemi si djalli temjanit, se ai të bën gjëmën, të merr zvarrë, të thyen nofullën, shpatullën, të kërcënon e të mbyll gojën dhe për këtë mund t’i thuhet “bravo çuna”. Kjo është një metamorfozë e rrezikshme, shenjë e një degradimi më tepër se politik, simptomat e të cilit rrezikojnë të keqësohen në të ardhmen. Nga partner e garant i qytetarit, pak e nga pak disa policë po shndërrohen dy herë në problemin e tij. Reagimet ne facebook të ministrit Tahiri çdo ditë e më shumë ngjajnë me formula të rëndomta propagande të një njeriu në hall, si mbulesa të tejdukshme dështimesh të ripërsëritura. Ministri duhet t’u shpjegojë bashkëkombësve të tij pse kur krimi “rreh” policinë, ajo nuk matet me të, por rreh qytetarët për qejf të dorës si në “karadak”, sipas parimit të dovletit “kush të rreh të do”!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura