Krimi në hotel: Xhelozia, 52-vjeçari plagos studenten dhe vetëvritet

Aug 15, 2013 | 9:36
SHPËRNDAJE

Ana Sulçe, e plagosur dje nga 52-vjeçari.
(majtas lart) dhoma ku ka qendruar
çifti ne hotel
(majtas poshte) vendi ku ndodhi krimi
Tirane/ Agim Emini qëllon me pistoletë të dashurën 21-vjeçare Ana Sulçe në shkallët e hotelit. Njohja në Facebook, viktima kreu 15 vjet burg në Zvicër.

Studentja ishte e fejuar, Emini nga Tetova e qëlloi për xhelozi.

Lidhja intime mes një 52-vjeçari shqiptar nga Tetova e Maqedonisë dhe një 21-vjeçareje banuese në Tiranë, ka përfunduar dje në mënyrë tragjike. Vajza nga Çorovoda, studente e vitit të tretë në degën e Juridikut në një fakultet privat, mbeti e plagosur me armë zjarri kurse partneri i saj 31 vjet më i vjetër, vrau veten. Historia e tyre e dashurisë është mbyllur në shkallët e një hoteli në Tiranë, ku shqiptari nga Maqedonia qëndronte prej 5 ditësh. Viktima, që njëkohësisht është edhe autor i ngjarjes së rëndë, quhet Agim Emini, ndërsa vajza që ai ka plagosur me një plumb në trup është Ana Sulçe. Kjo e fundit, sipas mjekëve, e ka kaluar rrezikun për jetën. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 12:30, në hotelin “Deja”, që ndodhet në rrugën “3 Vëllezërit Kondi”, në zonën e njohur si “Vilat Gjermane”, në Tiranë. Policia është lajmëruar nga drejtuesi i një automjeti, i cili ka treguar se po shoqëronte për në Spitalin Ushtarak një vajzë të plagosur me armë zjarri. Në kohën kur shërbime të rendit i kanë liruar trafikun makinës në mënyrë që të transportonte sa më shpejt të plagosurën në spital, forca të shumta policie janë nisur në vendin ku ndodhi ngjarja, pasi ishin njoftuar edhe për një person tjetër të plagosur me armë zjarri, që ishte edhe autori. Ai është transportuar me urgjencë nga një automjet policie, por rrugës për në spital ka ndërruar jetë. 
Ngjarja

Hoteli ku ndodhi ngjarja dje në Tiranë
Rreth orës 11:30, e plagosura Ana Sulçe, e cila është e fejuar, ka shkuar për të takuar në hotelin “Deja” të dashurin e saj, Agim Emini, nga Tetova e Maqedonisë. Fillimisht ata kanë pirë kafe për rreth 10 minuta në verandën e hotelit dhe më pas janë ngjitur të dy bashkë në dhomën nr.1 të hotelit, në katin e dytë. Aty kanë qëndruar rreth 5 minuta dhe janë dëgjuar të debatojnë ashpër me zë të lartë. Në këtë kohë vajza ka dalë nga dhoma, duke përplasur derën dhe ka nisur të zbresë shkallët, por në sheshpushimin mes katit të dytë dhe të parë është ndaluar nga Emini, i cili kishte dalë nga dhoma menjëherë pas saj. Janë dëgjuar edhe disa të bërtitura dhe një e shtënë pistolete, që detyroi pastruesen e hotelit, Flora Bardhi, të afrohej aty për të parë ç’po ndodhte. Ajo ka parë që Agim Emini kishte qëlluar në bark vajzën 21-vjeçare dhe ka bërtitur duke i thënë se e kishte vrarë. Por, Emini në atë kohë ia ka drejtuar edhe asaj pistoletën, duke i thënë të pushonte, ndryshe do ta vriste. Në momentin kur ka nisur të dyshojë se vajza kishte vdekur, pasi e ka marrë fillimisht në krahë duke u nisur drejt makinës, e ka ulur prapë në vend. Pasi ka zbritur dy shkallë, 52-vjeçari ka futur tytën e pistoletës në gojë dhe e ka shkrepur, duke vrarë veten.
Motivi
Burime nga grupi hetimor, që kanë bërë këqyrjen e celularit të viktimës, por edhe pyetjen e dëshmitarëve e personave që kanë pasur dijeni për lidhjen mes të plagosurës e viktimës, thanë se motivi i ngjarjes nuk ka qenë xhelozia, por një debat i çastit. Nga mesazhet e shkëmbyera me vajzën, duket se Emini i kishte kërkuar asaj prej 5 ditësh që të shkonte në hotelin ku ndodhej ai, por vajza nuk ka pranuar. Vetëm dje para ngjarjes ajo ka shkuar për ta takuar dhe sapo është ngjitur në dhomë me të, ka nisur të debatojë. Kjo dyshohet të ketë qenë edhe arsyeja e grindjes së ashpër mes tyre, që solli më pas ngjarjen tragjike.

Emini e Sulçe qëndruan 3 muaj bashkë në Maqedoni
Çifti u njoh në Facebook, zbulohen udhëtimet intime jashtë shtetit
TIRANE – Lidhja intime mes Agim Eminit 52 vjeç nga Tetova dhe studentes 21-vjeçare, e cila ishte e fejuar me një djalë tjetër, Ana Sulçe, kishte nisur në fillim të vitit 2013. Ata mësohet se janë njohur në rrjetin social “Facebook” dhe pasi kishin komunikuar për disa ditë, Emini kishte ardhur në Tiranë për ta takuar. Në këtë mënyrë kishin nisur kontaktet e tyre më të shpeshta duke u njohur më shumë. Për pak kohë kishin nisur edhe të udhëtonin bashkë jashtë Shqipërisë, në Greqi e Maqedoni. Nga të dhënat në pikën kufitare të Qafë-Thanës, nga ku kanë kaluar bashkë Emini dhe Sulçe, rezulton që 21-vjeçarja ka qëndruar 3 muaj bashkë me të dashurin e saj në Maqedoni. Ata kanë kaluar kufirin bashkë, me makinën e Eminit, me targë TE 7725 AB, më datë 7 prill të vitit 2013, në drejtim të Maqedonisë dhe janë kthyer nga e njëjta pikë në drejtim të Shqipërisë, më 11 korrik të vitit 2013. Nga Policia janë dokumentuar edhe disa lëvizje të tjera jashtë kufijve shqiptarë, që çifti herë bashkë dhe herë të ndarë kanë kaluar për të shkuar te njëri-tjetri. Vajza e plagosur këtë vit pritej të diplomohej për Drejtësi, në një fakultet privat. Ajo është fëmija i dytë i familjes Sulçe, nga Çorovoda e Skraparit, ka dy motra dhe një vëlla të vogël. Pas një viti lidhjeje, prej 6 muajsh ajo kishte zyrtarizuar lidhjen e saj me një djalë nga Tirana, me të cilin ishte fejuar, por pa shkëmbyer ende unazat. Mjekët thanë se 21-vjeçarja e ka kaluar rrezikun për jetën. Operacioni për nxjerrjen e plumbit që ajo kishte poshtë diafragmës ka zgjatur rreth 2 orë.

Viktima beqar, jetonte me nënën
Agim Emini kreu 15 vjet burg për drogë në Zvicër

Agim Emini
TIRANE – Edhe pse ishte prezantuar në hotelin ku ndodhi ngjarja si biznesmen, Agim Emini nuk kishte asnjë biznes në emrin e tij. Ai vetëm prej dy vitesh kishte rifituar lirinë, që e kishte humbur kur ishte 35 vjeç në Zvicër. Në vitin 1996, Emini u arrestua në Zvicër për trafik lëndësh narkotike dhe u dënua me 17 vjet burg. Pasi qëndroi 15 vite në qeli, ai u la i lirë dhe në vitin 2011 u rikthye në vendin e tij të lindjes, në Tetovë të Maqedonisë, ku e priste vetëm e ëma, pasi babai i kishte vdekur, ndërsa të vëllain ia kishin arrestuar po në të njëjtin shtet dhe po për të njëjtën akuzë, si dhe atë vetë. Një burim nga Policia e Maqedonisë na tha mbrëmë se Agim Emini bënte një jetë mes Shqipërisë e Maqedonisë, pasi kishin konstatuar shumë hyrje-dalje nga kufiri i Qafë-Thanës. Ndërsa rezulton që ai nuk ishte martuar asnjëherë dhe nuk ka fëmijë. Të vetmit familjar të afërm të tij ishin nëna dhe i vëllai. Aktualisht ai jetonte vetëm me të ëmën. Ndërsa në Tetovë nuk figuron më asnjë biznes në emër të tij. Edhe një bar-restorant të cilin e ka pasur në pronësi para se ta arrestonin në vitin 1996, tashmë nuk e kishte më. Sipas të dhënave, rezulton se ai e kishte nisur lidhjen me vajzën 21-vjeçare në fillim të këtij viti.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura