Krimi në familje ka gjunjëzuar shoqërinë

Feb 28, 2020 | 10:11
SHPËRNDAJE

NDUE DEDAJ ndue-dedaj

Vjen një ditë e zhduken pasojat e tërmeteve, përmbytjeve, zjarreve, viruseve, duke dëshmuar se të gjitha ato janë të përkohshme, kalimtare. Vetëm krimi në këtë vend mbetet i përhershëm, sidomos ai në familje. Njeriu mundet t’ia dalë mbi natyrën, por jo mbi veten, dramat dhe mbrapshtitë që shkakton me dashje. Nuk është e rastit që tashmë janë bërë “familjare” krimet shkatërruese të njerëzimit: vrasjet, korrupsioni, trafiqet e paligjshme, droga, sikur nuk rrojmë dot pa to. Politikanët dhe shtetarët mund të kenë një shikim më optimist, ama shoqëria shqiptare është e tronditur nga themelet prej traumave sociale, prandaj shumë njerëz kanë si alternativën më të mirë ikjen prej këtu. Varfëria është shkaku kryesor pse shoqëria është përherë e përshkuar nga lëkundjet “sizmike” të tranzicionit, jo vetëm në rrafshin ekonomik.

Krimi në familje ka njëzet vjet që veç sa vjen e bëhet më agresiv, duke u shndërruar në një murtajë vrastare, viktima të së cilës më së shumti janë gratë, që nuk vriteshin as në mesjetë. Ligji dhe shteti nuk kanë arritur të bëjnë thuajse asgjë për ta parandaluar këtë krim makabër, që ka shkaktuar viktima sa një luftë. Në dy muajt e parë të këtij viti është vrarë një grua në dy javë, me automatik, me levë kokës, me thikë!… Krimi në familje ndodh në të gjithë republikën, në qytet dhe në fshat, në metropol dhe periferi, Tiranë, Mirditë, Durrës, Tepelenë, Korçë etj. Nuk ka pjesë të hartës së Shqipërisë që nuk është prekur nga ky krim. Bëhen gjyqe dhe jepen dënime penale për burra të dhunshëm, dalin urdhra mbrojtjeje për gratë e dhunuara, por këto të fundit, edhe pas divorcit asgjë nuk i shpëton nga një krim tjetër, nga ishbashkëshortët, të cilët nuk mund ta pranojnë “poshtërimin”, që sipas tyre iu ka ardhur nga gratë.

Sapo ndodh vrasja e radhës, njerëzit nisin e rrëfejnë “paskuintat” e krimit, çka tregon se mikromjedisi rretheqark ishte në dijeni të konfliktit të familjes që i ndodhi gjëma, por kishte bërë indiferentin, pa u “përzier”, për të mos pasur vetë probleme. Kjo ngjet dhe nga mungesa e civilizimit të njerëzve, por edhe se Policia nuk është e besueshme. Arsyetohet se përderisa ka rrjedhur informacioni për operacione policore të rëndësishme, si mund të mbahet i fshehtë emri i qytetarit që informon rreth një krimi të mundshëm? Policimi dhe komuniteti ka mbetur një slogan i bukur trajnimesh me të huajt, por jo se ka ndikuar në krijimin e një marrëdhënieje besueshmërie të ndërsjellë Polici-komunitet.

Pas krimit, pos mediave dhe vetë Policisë që informojnë publikun, ka një valë reagimesh nga politikanët, organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shoqëria në tërësi shfryn nja tri ditë në rrjetet sociale dhe këtu ndalon “ora” e të gjithëve. Pikërisht atëherë kur duhet të fillojë veprimi qytetar, pasi shoqëria vazhdon të jetë e trazuar rëndshëm nga konfliktet familjare nën “rrogoz”, që presin të shpërthejnë nga dita në ditë. Ato kërkojnë, rast pas rasti, të trajtohen në dinamikë, në radhë të parë nga Policia dhe organet ligjzbatuese, që kanë përgjegjësinë ligjore për parandalimin e krimit dhe ndëshkimin e kriminelëve. Si është e mundur që krimi është gjithnjë një hap para Policisë? Ish-i dënuari për dhunë në familje, sapo lirohet gjen armën ditën për diell, bën planin e hakmarrjes pa ia “prishur” askush terezinë, kalon qetësisht nëpër qytet i armatosur, vret dy persona dhe po lirisht largohet nga vendi i krimit? Policia me të drejtë të ndalon dhe gjobit se nuk ke vënë rripin, se je duke folur a shkruar në celular teksa drejton automjetin, por ç’të thuash kur para “hundës” së saj kalon shtetasi me armën pa leje, mundësisht automatik, dhe nuk shihet, nuk zihet, nuk… e kapin radarët!?

Për të qëndruar tek objekti i shkrimit, nëse do të shtyheshim vetëm pak më thellë në tipologjinë e të dënuarve për dhunë në familje, a ka një trajtim psiko-social të tyre në burgje, që të ulet rreziku që paraqesin nesër ndaj familjarëve të vet? Apo, kur kthehen në shtëpi pas vuajtjes së dënimit, a kujdeset ndokush shtetërisht që personat me ngarkesa emocionale negative të ndalen pa shkuar sërish te krimi, një krim më i rëndë se ai për të cilën ishin dënuar? Zor se për pyetje të tilla ka përgjigje këtu te ne.

Edhe shoqëria civile, me projektet e barazisë gjinisë dhe mbrojtjes së grave, ka mbetur në nivelin e propagandës, me anketime e plotësime formularësh me të dhëna, pa depërtuar realisht te njerëzit me probleme familjare. Krimi në familje është kompleks dhe nuk duhet parë thjesht tek akti kriminal i një burri në depresion, që pasi ka ushtruar dhunë në vazhdimësi ndaj gruas, vjen çasti fatal që rrëmben dhe armën e gjuan mbi të.

Nuk ka justifikim se këto janë çështje familjare e nuk mund të ndërhyhet, përderisa ato asnjëherë nuk mbeten të mbyllura brenda mureve të shtëpisë, por në një mënyrë apo një tjetër lajmërohen në zyrat e shtetit, përfshi dhe ato bashkiake që merren me problematikat sociale të komunitetit.

Gjendja është tejet e rënduar, ndaj është e domosdoshme një analizë serioze e shkaqeve të krimit në familje që ka gjunjëzuar shtetin dhe shoqërinë. Koha ka treguar se nuk është gjithnjë ashpërsimi i ligjit dhe burgu zgjidhja më e mirë. Këtu ndodh ndryshe nga në Francë, ku më të vërtetë një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata vlen. Më efikase mbase do të ishin strukturat ndërmjetësuese ligjore të menaxhimit të konflikteve. Gjykatat zakonisht ia lënë fëmijët në kujdestari njërit prind, por në shumë raste prindërit “pronarë” ligjorë të fëmijëve të çiftit as që duan t’ia dinë se, pavarësisht asaj që ka ndodhur mes dy bashkëshortëve, fëmijët janë të të dyve dhe duhet gjetur jo vetëm “gjuha” ligjore, por dhe ajo prindërore mes tyre. Ata i kanë dhënë fund martesës, por jo marrëdhënies së ndërsjellë për t’iu shërbyer pasardhësve, atyre që vetë i kanë sjellë në jetë! Këtë vetëdije qytetare e kanë pak çifte të ndara, që për hir të fëmijëve i mbajnë urat e komunikimit.

Përgjithësisht i bihet shkurt, gjithnjë duke besuar se bëjnë detyrën, Policia mjaftohet me ndalimin e burrit dhunues, Prokuroria me hetimin e tij, Gjykata me dënimin, shoqatat me këshillime e sensibilizime, mediat me debate rreth dhunës në familje, por askush nuk e ndjek më pas fatin e dy ish-bashkëshortëve në konflikt të pazgjidhur dhe fëmijëve të tyre që mbesin jetimë. Se cila mund të ishte struktura ligjore më e përshtatshme për këtë, mund të na e thotë përvoja e vendeve të zhvilluara. Një gjë dihet, sot ka strategji për çdo fushë, në qindra faqe, që kanë kushtuar jo pak para, por nuk ka një të tillë që të mbrojë familjen nga grushtet, levat e hekurit e plumbat.

Thellë-thellë, në këtë histori të dhimbshme nuk ka dështuar vetëm rendi publik dhe drejtësia, e as vetëm politika e shoqëria civile, por dhe sistemi i edukimit, që është baza e ndryshimit dhe e progresit të një shoqërie. Institucionet arsimore nuk po përgatisin breza të rinj tolerantë dhe të qytetëruar. Ka më shumë një fasadë demokratike, sesa një realitet demokratik edukativ.

Së fundi, është normale që strukturat përkatëse shtetërore merren me parandalimin e koronavirusit, një mënyrë e re sjelljeje në Shqipëri, por kjo duhet bërë dhe për këtë “koronavirusin” që vret përditë gra e vajza të pambrojtura e ndonjëherë dhe burra. Është po ashtu mirë, që, duke qenë vendi kryesues i radhës i OSBE-së, të përpiqemi të ndihmojmë në zgjidhjen e krizës mes Rusisë dhe Ukrainës, ama të gjithë kemi përgjegjësinë individuale dhe kolektive të vendosjes së paqes sociale në mesin e në veten tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura