Krimi i rëndë në Lezhë/ A ishte falur gjaku? Dëshmitari rrëfen momentet para vrasjes: Një djalë e ndoqi nga pas Lekën dhe pastaj dëgjova të shtënat

Jan 25, 2022 | 13:55
SHPËRNDAJE

Një adoleshent që nuk i kishte mbushur ende 18 vjeç vendosi të marrë gjakun e babait të tij që u vra kur ai ishte në moshën 4-vjeçare.

Banesa ku ndodhi ngjarja e rëndë në fshatin Manati të Lezhës, ndodhet në anë të rrugës së vjetër Lezhë-Laç, në afërsi të qendrës së fshatit.

Një dëshmitar tregon se e ka parë autorin duke hyrë në këmbë brenda rrethimit të shtëpisë e më pas ka dëgjuar të shtënat me armë zjarri, e cila pas sekuestrimit nga ana e forcave të rendit, rezultoi të ishte armë me mulli.

“Unë isha duke punuar te shtëpia ime që e kam këtu afër. Pashë Lekën që erdhi me makinë e hyri brenda rrethimit të shtëpisë së vëllait të tij. Më pas kam parë një djalë që e ndoqi nga pas dhe hyri në këmbë brenda dhe vetëm kur janë dëgjuar të shtëna.

Pas të shtënave, e pashë djalin që u largua sërish në këmbë me vrap, por nuk arrita ta njoh. Pastaj janë mbledhur fshatarë të tjerë dhe kanë shkuar për t’i ardhur në ndihmë viktimës, por kishte ndërruar jetë, thotë dëshmitari.

Nuk ka zgjatur shumë dhe Policia lokale që ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka identifikuar autorin e vrasjes së 65-vjeçarit, i cili duket se ka kryer krimin me vetëdije të plotë, duke shkuar në vendin e krimit i pamaskuar.

Adoleshenti jetonte në fshat, me vëllezërit dhe motrat e tij, atje ku e la babai dhe nëna në një moshë fare të vogël.

Ndërkohë, kryetari i misionit të pajtimit të gjaqeve në Lezhë, Pjetër Gjoka, thotë se dy familjet nga i njëjti fshat nuk janë pajtuar midis tyre.

Ai tregoi edhe një episod kur viktima Lek Lekëgjonaj i kishte shkuar në shtëpi pak ditë pasi i vëllai kreu krimin.

Gjoka shprehet se “negociatat” mes dy familjeve janë penguar për shkak se djali i viktimës në vitin 2009 ishte në moshë të mitur dhe e shoqja u vetëflijua duke pirë helm.

Sipas tij, shkak për vrasjen e sotme është edhe drejtësia e munguar, pasi autori që i mori jetën babait të 17-vjeçarit Florian Përvathi bëri vetëm 4-5 vite burg dhe më pas u largua nga Shqipëria.

“Më ka thënë si do bëj unë. I kam thënë duhet të bësh kujdes, sepse ai që ka vrarë është vëllai yt. Ai më thoshte unë nuk kam faj. Por nuk funksionojnë kështu gjërat. Kur kërkoi të dilte nga shtëpia ime, i thashë jo.

Kush të solli këtu, më solli një makinë. E ka marrë atë shokun dhe erdhi me makinë dhe e mori. E kam takuar para dy muajsh. Nuk kishin ndonjë shqetësim.

Autori i vrasjes ka mbaruar dënimin. Është dënuar 6-7 vjet. Ka bërë 4-5 vjet burg. Nga informacionet që kam unë ai ndodhet jashtë shtetit. Edhe duke qenë njerëz të përgjegjshëm të viktimës para 9 viteve, kur nuk ke me kë të merresh vesh, se ata ishin kalamaj fare, të mitur. Nuk kishte kush ta merrte përsipër. Qoftë edhe kushërinjtë e viktimës”, thotë ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura