Krimi i dyfishtë/ Pak ditë pasi i dënuan vëllanë me burgim të përjetshëm, mbyllen hetimet për Edmond Përdodën

May 14, 2022 | 8:25
SHPËRNDAJE

Dy javë pas dënimit me burgim të përjetshëm të Aleksandër Përdodes, Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet për të vëllain Edmond Përdoda edhe ky i akuzuar përfshirë në vrasjen e rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simoni, ngjarje e ndodhur në muajin prill të vitit 2020 në fshatin Lalm Lukaj të Njësisë Administrative të Kolshit.

Edhe ndaj Edmond Përdodes, Prokuroria ka ngritur akuzat “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. Dosja penale është mbyllur dhe brenda pak ditësh organi i akuzës do ta dërgojë në Gjykatë, ku do të hidhet në short për të nisur gjykimin paraprak.

Pas gati disa vitesh në arrati, Edmond Përdoda u arrestua në muajin shkurt të këtij viti në banesën e tij në fshatin Lalm i Ri të Lezhës. Për prangosjen e Përdodës, krahas policisë së Lezhës ishin dhe Forcat RENEA.

Pas arrestimit ai pranoi autorësinë e vrasjes së dyfishtë, duke treguar dhe vendin ku kishte fshehur armët e krimit, të cilat ishin groposur në mal pak metra larg vendit të ngjarjes, ndërsa mohoi përfshirjen e të vëllait Aleksander Përdoda në këtë krim të dyfishtë, duke deklaruar se kishte vepruar i vetëm.

Por nga veprimet hetimore dhe provave të grumbulluara, Prokuroria e Lezhës doli në konkluzionin se në vrasjen e rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simoni janë përfshirë të dy vëllezërit Përdoda, pavarësisht se Aleksander Përdoda, i cili u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë me burgim të përjetshëm e ka mohuar në vazhdimësi përfshirjen e tij në këtë ngjarje dhe madje vendimi është ankimuar në Gjykatën e Apelit në Shkodër.

SI NDODHI NGJARJA

Rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u gjeten të vrarë me armë zjarri më 27 prill të vitit 2020, pranë shtëpive të tyre të vjetra në fshatin Lalm Lukaj, të Njësisë Administrative të Kolshit. Ata kishin shkuar në vendlindje që prej orëve të mëngjesit të asaj dite, por u përballën me persona të armatosur në tokat e tyre.

Trupat e viktimave janë lënë në pyll për rreth 5 orë dhe janë gjetur nga djali i Kol Murranit, që kishte dalë të kërkonte babanë me të cilin kishte humbur çdo kontakt prej orësh të tëra.

Ai i ka gjetur pa shenja jete rreth orës 16:00 të datës 27 prill të vitit 2020, ndërsa ekzekutimi i tyre mendohet të jetë kryer rreth mesditës. Murrani dhe Simoni banonin në periferi të qytetit të Lezhës dhe ditën e ngjarjes, në 27 prill 2020, kishin dalë herët në mëngjes me motor, për të shkuar te shtëpitë e vjetra që kanë në fshatin Lalm i Vjetër. Pasi kanë ngarkuar një thes me jonxhë, dy burrat kanë vendosur të kthehen në Lezhë, por rrugës janë qëlluar befasisht me armë zjarri.

Për shkak të terrenit të thyer malor dhe mungesës së infrastrukturës së rrugës, Policisë i është dashur 60 minuta për të mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ndodheshin viktimat. e.h

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura