Krim prestigjoz në ‘Prestige Resort’

Dec 2, 2022 | 9:47
SHPËRNDAJE

lucianoboci-e1655122698762-500x328

NGA LUÇIANO BOÇI

Krimi shtetëror në historinë e shteteve-regjime mbetet gjithmonë krimi me brutal dhe më i pandëshkueshëm, sikurse dhe krimi më prestigjoz, me reputacion të padiskutueshëm. Ngjan si një “e drejtë” që buron nga arbitrariteti i shtetit, por që në fakt bazën e ka tek arbitrariteti i njeriut që drejton shtetin.

Krimet shtetërore janë drejtuar përgjithësisht ndaj shtresave, grupeve apo etnive të caktuara, shpesh në formën e genocideve. Eleminimi shumëformësh, përfshirë ekzekutimin fizik është dominant. Kështu veproi Hoxha me klerin, intelektualët, e kundërshtarët politikë e këdo që kategorizohej si rrezik i pushtetit të njëshit.

Në demokraci, krimi shtetëror është më tangencial, tepër i rrallë dhe për një “raison d’etat” kulmore, që lidhen me interesa kombëtare themelore.

Arsyet janë funksionimi i ligjeve e institucioneve shtetërore dhe i atyre të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Por kjo nuk ndodh në demokracitë hibride që më shumë i ngjajnë regjimeve, ku respektimi i ligjeve dhe institucioneve, qofshin dhe ato morale e shpirtërore, është afër zeros.

Akti kriminal ndaj Prestige Resort është thjesht një ndër dëshmitë e shumta të përshfaqes së krimit shtetëror. Thelbi i tij nuk është Irfani, nuk është biznesmeni. Thelbi i tij është kryeministri dhe rreziku i pushtetit të tij. Thelbi është Rama. Rama që ka targetuar “armikun” e pushtetit, median denoncuese.

Nëse në fillim të mandatit të tij, ai përdori tritol ndaj ndërtesave pa leje si akte force dhe vendosje ligji, sot po e përdor tritolin për ndërtesa me leje nga dora e tij, për të sanksionuar prestigjin e krimit shtetëror ndaj ligjit dhe demokracisë dhe për të mbyllur çdo dritare nga mund të dalë e vërteta e tmerrshme e krimeve të tij korruptive.

Do ishte tautologji e pastër të futeshim në debate taksash, hapësirash e lloj lloj shpikjesh justifikuese. Aq më keq në debate meritash, apo preferenca personale. Jo se nuk kanë vlerë, por sepse këtu ka rënë tashmë bomba dhe dëmet e shkaktuara duhet të na bëjnë të arsyeshëm.

Rradha ka nisur të shtyhet me shpejtësi. Vetë samitet e sagat ndërkombëtare ngjajnë më shumë si erëra të favorshme që shtyjnë anijen të ankorohet në brigjet e synuara, se sa si garante ëndrrash.

Pastër dhe qartë në Shqipëri, Rama po provokon pranimin në opinion, të instalimit të regjimit. Sikurse Hoxha eleminoi në rrugëtimin e tij të parët miqtë e vet të ngushtë, shkelës të ideologjisë së tij, kështu dhe Rama rrugëtimin e tij prej sulltani, e nisi dhe po e vazhdon me eleminimin e miqve të tij mediatikë që i ngritën atij me dashje apo pa dashje, piedestalin e pushtetit dhe që kanë meritën e padiskutueshme në suksesin e tij politik. Kështu ndodhi me Becchettin, me Ndroqin e po ndodh me Hysenbelliun dhe gjasat janë të vazhdojë me Top-in.

Sikurse Hoxha mbyti çdo zë e instaloi propagandën zyrtare, ashtu dhe Rama po mbyt e hedh në erë çdo medium mediatik, grup ekonomik apo çfarëdo qoftë, sikur dhe parti politike aq më mirë opozitare, që dëmton imazhin e tij dhe interesin e tij politik.

Ato që e mbajtën me bukë Hoxhën vdiqën burgjeve të zhytur në ujë deri në fyt, të uritur dhe të lidhur duar e këmbë.

Hoxha i vrau jo thjesht se i urrente për bamirësinë e tyre (pjesë e komplekseve të tij), por më shumë se kjo ishte rruga e domosdoshme që ia impononte ndërtimi i diktaturës.

Ata që i dhanë oksigjen e frymëmarrje fjale e prestigji politik Ramës në vitet e vështira të tij, kanë përfunduar e po tentohet të përfundojnë të asfiksuar nën aromën e tritolit dhe falimenteve të detyruara.

Mos nxitoni të thoni është shpagim, duke shijuar rrënimin e lirisë së fjalës. Këtu nuk është çështje e një ndërtese. Këtu bëhet fjalë për institucionin e fjalës së lirë.

Ata që heshtën për pishinat e resortit dikur nën justifikimin e lirimit të shëtitores, sot duhet të ulërasim, sepse tritoli nuk i është vënë një pengese, por i është vënë një bulevardi të fjalës.

E ekzekutimi i fjalës së lirë është dita e sanksionimit të prestigjit absolut të krimit shtetëror.

Pas kësaj, Shqipëria ecën në marshin e këtij krimi.

Ndalimi i tij duhet të kthehet në mision, përndryshe regjimi ka triumfuar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura