Krim elektoral në 25 prill? Ambasadori i OSBE flet nga Elbasani! Ja çfarë thotë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit

May 12, 2021 | 13:13
SHPËRNDAJE

 

Ambasadori i OSBE në vendin tonë, Vincenzo Del Monaco teksa foli për pretendimet e opozitës për krime elektorale u shpreh se i beson autoriteteve të drejtësisë shqiptare.

ambasadori i osbe-pjerin xhuvani-vrasje-elbasan-krim-elektoral

Gjatë një takimi në Elbasan me kryetarin e bashkisë, drejtorin e policisë dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, ai u shpreh besimplotë në hetimin sa më të shpejtë të vrasjes në Elbasan të Pjerin Xhuvanit, 4 ditë para zgjedhjeve.

“Mendoj se të gjithë e kemi lexuar raportin e ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it. Kur flasim për ankesat për procesin zgjedhor dhe ngjarjet kriminale që ndodhën gjatë procesit zgjedhor nuk më takon mua të gjykoj. Unë kam plotësisht besim tek autoritetet gjyqësore shqiptare. Siç ju kujtohet, ditën pas vrasjes në Elbasan, përpara zgjedhjeve, ne bëmë një deklaratë shumë të qartë dhe kemi besim te një hetim i shpejtë dhe se gjyqësori do të bëjë atë që duhet bërë. Kështu funksionon në demokraci”, u shpreh ambasadori Vincenzo Del Monaco.

PROCESI I INTEGRIMIT

Sa i takon ecurisë së integrimit të Shqipërisë në BE pas zgjedhjeve ambasadori tha: “Sikurse e dini, unë jam lindur e rritur në një nga vendet që ka themeluar Bashkimin Evropian, por nuk jam këtu në cilësinë e Kreut të Delegacionit të BE-së apo të ambasadorit të ndonjë shteti anëtar të BE-së. Kjo është një pyetje që duhet t’ua bëni kolegëve të mi të BE-së, jo mua. Ajo që mund t’ju them është se ne jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë. Po të lexoni mandatin që përfaqëson kushtetutën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, do të shihni se aty ka disa përparësi, duke filluar nga shteti i së drejtës, demokratizimi, proceset zgjedhore, të cilat ndihmojnë shumë në arritjen e përparësive strategjike kryesore të Shqipërisë. Ama pa ngatërruar rolet, pasi unë me shumë krenari përfaqësoj OSBE-në në këtë vend.”

RENDI DHE SIGURIA

“Unë e kuptoj interesin që mediat dhe njerëzit kanë me të drejtë në pyetjet tuaja. Por çfarë përgjigjeje prisni nga unë? Unë jam takuar disa herë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, jam takuar disa herë me hierarkinë e Policisë së Shtetit, jam takuar disa herë me oficerë policie, pasi mora pjesë në trajnimin që OSBE-ja iu ofroi në prag të zgjedhjeve për ta përgatitur më mirë Policinë e Shtetit në garantimin e sigurisë pranë ditës së zgjedhjeve dhe gjatë saj. Ne u ofruam trajnim më shumë se 6 mijë punonjësve të policisë. Mesazhi që unë jap ka të bëjë me besimin, me besimin institucional: besoni tek institucionet.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura