Krijimi i Gjykatës Kushtetuese/ Avokati i Popullit përpilon raport për shkeljet e kreut të KED: Kemi përgatitur padi! Por, pritëm….

Nov 18, 2019 | 20:37
SHPËRNDAJE

Institucioni i Avokatit të Popullit, organi kryesor që mbikëqyr veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i përfolur jo pak ditët e fundit, ka publikuar një raport të gjatë mbi veprimtarinë e këtij institucioni.

Ardian Dvorani
Ardian Dvorani

Raporti thekson se gjatë hartimit të Rregulloreve të funksionimit të këtij organi, u konstatua një përpjekje për të kufizuar kompetencat ligjore të institucionit të Avokatit të Popullit për të marrë pjesë në mbledhje, duke “parashikuar një kufizim të mëtejshëm të transparencës së Këshillit”.

Sipas raportit, KED ka miratuar një rregullore ku prezanton konceptin e dhomës së këshillimit, koncept ky sipas Avokatit të Popullit që përdoret vetëm në procedura gjyqësore dhe jo në ato administrative siç është KED.

Avokati i Popullit thotë se një parashikim i tillë është në kundërshtim me kompetencat që Kushtetuta ka dhënë, “ne kemi përgatitur padinë përkatëse për të goditur këtë akt nënligjor, por për të mos penguar procesin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi pritur për depozitimin e padisë deri në përfundimin e procesit nga ana e Këshillit për të evidentuar tërësisht problematikat që mund të përfshihen në këtë padi, por edhe për të mos dëmtuar imazhin e reformës së drejtësi”.

Raporti i publikuar në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit thotë se padia do të paraqitet shumë shpejt në Gjykatën Administrative të Apelit për të shfuqizuar disa prej neneve të dy prej rregulloreve të KED-së.

Një tjetër konstatim, siç thekson raporti, është “niveli jo i duhur i transparencës nga ana e kryetarit të KED-së”, duke publikuar procesverbalet e mbledhjeve apo ato audio, detyrë që në rastin aktual e ka kryetari, Ardian Dvorani.

“Pavarësisht kërkesave tona të përsëritura bërë në mbledhjet e këtij organi, por edhe kërkesave me shkrim drejtuar kryetarit të KED-së, ne nuk na u vunë asnjëherë në dispozicion proces-verbalet e disa mbledhjeve (qoftë edhe në version audio, që nuk kërkon punë shtesë për zbardhjen)”, thuhet në raport.

Gjithashtu, thuhet se në këtë drejtim, është konstatuar se “vendimet e arsyetuara të kandidatëve nuk u publikuan në kohën duhur në faqen zyrtare të KED-së”.

Raporti thotë se “duke qenë se procedurat e KED-së në disa raste kanë qenë atipike dhe të pakryera më parë, ka pasur jo pak çështje për të cilat ka dalë nevoja e bërjes së ndryshimeve ligjore”.

Avokati i Popullit thekson gjithashtu se procesi i vlerësimit është bërë në mungesë tërësore të transparencës dhe vetëm publikimi përfundimtar i vendimit të miratimit të listave, është përpjekur të përmbushë elementin e transparencës.

“Në datën 21 shtator 2019, mbi bazën e një njoftimi të bërë vetëm një ditë më parë, Këshilli ka zhvilluar mbledhjen e tij të fundit në lidhje me detyrën e tij, paraqitjen e renditjes për secilën nga vakancat. Në atë mbledhje ne kemi adresuar të tëra problematikat që kemi evidentuar për natyrën e vendimarrjeve dhe argumetimin ligjor të faktit që dërgimi i listave për numër të pamjaftueshëm kandidatësh po paraqiste anomali jo të vogla.

Pas asaj mbledhjeje nuk pati më asnjë njoftim nga ana e kryetarit të Këshillit në lidhje me përfundimin e procedurës, pra dërgimin e listave të organet e emërtesës dhe dërgimin e tyre në mënyrën e logjikës së ligjit, pra të mundësimit në masën me të madhe të mundshme të organeve të emërtesës për të zgjedhur midis disa kandidatëve, për të shuar çdo dyshim se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po paracaktonte anëtarët e Gjykatës së Lartë, përtej kompetencës së vet, pra po kufizonte mundësinë e përzgjedhjes midis të paktën 3 kandidatësh të listuar të parët dhe pamundësisë së bërjes së dy listave, siç kërkon ligji për rastet kur ka më shumë se një vakancë, e konkretisht një listë me kandidatë gjyqtarë, e një listë me kandidatë jo gjyqtarë.

Pavarësisht sa më sipër, nuk pati asnjë njoftim publik për dërgimin në kohë të ndryshme dhe as shkakun e këtij dërgimi të ndryshëm, si pjesë e një procedure administrative e kryetarit të Këshillit, pa vendimmarrje të Këshillit në lidhje me sa më sipër. Deri më sot, për më tepër, me gjithë kërkesën e institucionit tonë për të na treguar shkakun për të cilin ishte kryer ky veprim, i cili jo vetëm që nuk u jepte mundësi organeve të emërtesës të kishin zgjedhje me të madhe midis kandidateve, por përkundrazi më të vogël, nuk kemi pasur asnjë përgjigje”, thuhet në raport.

Duke u ndaluar tek konflikti i shpërthyer javët e fundit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese midis Presidentit dhe mazhorancës, raporti thekson se nuk pati asnjë shpjegim për mënyrën se si u vepruar duke dërguar përnjëherësh listat.

“Për të tërë pjesëmarrësit në këtë proçes, nuk ka asnjë shpjegim të asnjë lloji (as publik dhe as në mbledhje pa praninë e të tretëve), se çfarë shkaktoi dërgimin e listave përfundimtare për te organet e emërtesës gjegjësisht ditë pas datës 21.9.2019, (pra pas 15 ditësh Presidentit të Republikës dhe 21 ditësh Kuvendit të Republikës së Shqipërisë).

Për më tepër të dyja vakancat e Kuvendit, kishin më pak kandidatë në listë se ato të Presidentit të Republikës dhe secila prej kandidatëve në listat e Kuvendit ishte edhe në ato të Presidentit. Pra nuk rezulton të ketë asnjë mundësi, që të mos jenë të njëjtat materiale të listuara dhe vendime të arsyetuara, që tregon se nuk ka asnjë arsye objektive që listat Kuvendit t’i dërgoheshin me 6 ditë vonesë, në krahasim me ato të dërguara Presidentit të Republikës”.

Avokati i Popullit nënvizon se puna e madhe e bërë për hartimin e reformës në drejtësi po dobësohet pikërisht nga përplasjet institucionale të ndodhura gjatë procesit për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nga ana tjetër, as KED si organ kushtetues dhe aq më pak një anëtar i vetëm i saj nuk mund të ngushtojë mundësinë e përzgjedhjes të organeve të emërtesës, të cilat janë të sanksionuara si të tilla nga Kushtetuta. Kurrsesi renditja e KED nuk është detyruese, përveçse kur është rasti i përdorimit të mekanizmit zhbllokues”.

Duke marrë parasysh këto problematika, Avokati i Popullit kërkon të bëhen disa adresime për punën e KED në vitin 2020, si:

– Përcaktim i qartë i kompetencave të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në lidhje me anëtarët, por edhe me të tretët, në funksion të ligjit për të drejtën e informimit;

– Vendosja e afateve ligjore për publikimin e procesverbaleve;

– Ndryshimi i disa prej afateve procedurale për paraqitjen e një pjese të dokumentacionit për verifikimin e pasurisë, pasi një afat i tillë i shkurtër nuk lejon pjesëmarrjen e një numri të mjaftueshëm kandidatësh;

– Parashikimi i mënyrës së ndërveprimit midis gjetjeve të ILDKPKI dhe vendimmarrjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

/Saimir Lleshi/Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura