Kreu i “Omonia”-s, Leonidha Papa, e ka cilësuar si barbar vendimin e qeverisë për të prishur objektin e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi dy ditë më parë. Në një koment për “Panoramën”, kreu i organizatës “Omonia” sqaron tentativat e vazhdueshme që ndër shekuj janë bërë për tjetërsimin e besimit fetar në këtë zonë.
Lidhur me këtë fakt, Papa nënvizon kryesisht përpjekjet e Vatikanit në gjysmën e dytë të Perandorisë Osmane për të tërhequr pranë vetes besimtarët ortodoksë të komunitetit të Himarës. Hapat e ndërmarrë nga qeveria, kreu i “Omonia”- s i cilëson si përpjekje për të ofenduar besimin, identitetin dhe historinë e ortodoksëve në Himarë.
LEONIDHA PAPA
Kur lexova artikullin “Zhvarrimi i Nilo Katalanit, përpjekje për të fshirë historinë e Himarës” të “kryeministrit” të qarkut të Vlorës, siç e quajnë disa me ironi dhe disa të tjerë me krenari zotin Kokëdhima, e para gjë që mendova është se sa barbari mund të durojë akoma ky vend?! Që të ndihet dikush pronar i vendit ose i bashkisë ku qeveris, nuk është fenomen vetëm i yni.
Që të të prishin shtëpinë (me leje apo pa leje ndërtimi) për të të marrë truallin, me siguri që duhet të ndodhë edhe në vende të tjera të botës së tretë. Që të vendosë një deputet se kush do t’u mësojë dije fëmijëve tanë, deri edhe se kush do ta pastrojë shkollën, me siguri ndodh edhe në vende të tjera të Ballkanit. Por që të duash të formëzosh historinë e vendit tënd, sipas estetikës tënde, kjo e tejkalon akoma edhe megalomaninë e çdo pushteti dhe, me siguri, vetëm në Shqipërinë e Ramës dhe të Kokëdhimës duhet të ndodhë.
Edhe diktatori Enver Hoxha, të cilin Kokëdhima tentoi ta ringjallë me disa karikatura në fshatin Kudhës të Himarës, do ta kishte zili absolutizmin e pushtetit Kokëdhima. Regjimi totalitar u diktoi censurën shkencëtarëve, por nuk guxoi të merrte përsipër rolin e tyre. I shtoi historisë faqet e tij, por nuk i zëvendësoi me të tjera faqe që i grisi ose i fshehu. Deri para një javë, asnjeri nuk e njihte emrin e murgut unit, Nilo Katalano. Por është gjerësisht e njohur se në gjysmën e dytë të Perandorisë Osmane ka pasur një përpjekje permanente, por të pafrytshme, të Vatikanit, për të tërhequr në anën e vet ortodoksët e Himarës.
Në traditën e krahinës, madje, ka edhe këngë ku populli, ai vendës, ironizon këto përpjekje pa rezultat. Është blasfemi dhe gënjeshtër të pretendojë zoti Kokëdhima se të dy priftërinjtë nga Dhërmiu tentuan të fshehin gjurmët e varrit të murgut unit. Shën Athanasi, para se të rrafshohej nga regjimi komunist, ishte një kishë ortodokse bazilike njënefeshe dhe më 1992-shin, besimtarët e fshatit, me mjetet dhe mundësitë që kishin e rindërtuan mbi të njëjtat themele. Është e drejta e zotit Kokëdhima të besojë në çfarëdo ideologjie dhe në çfarëdo feje, është e drejta e tij të shpallet pasrendësi i Nilo Katalanos dhe të mbjellë farën e papizmit në Himarë. Por nuk ka të drejtë të ofendojë besimin, identitetin dhe historinë e ortodoksëve dhe të gjithë atyre që ndihen grekë në Himarë.
Do të dëshiroja në këtë pikë të qartësoj se nuk kam synim të hap dialog publik me qeverisësit e sotëm të Shqipërisë, por t’u drejtohem bashkëqytetarëve të mi, pavarësisht besimit fetar ose identitetit etnik, dhe t’u them se ky vend ka nevojë për të vërtetat dhe jo për fanatizmin e shpikur. Spostimi i vëmendjes së opinionit publik nga problemet kardinale të vendit, duke rrëzuar natën me forca të përforcuara policore të mbërritura nga kryeqyteti një kishës që ndërtuan besimtarët e Dhërmiut, e tejkalon akoma edhe fantazinë e sëmurë.
Nuk nevojitën as argumente politike dhe as historike për të dëshmuar qëllimin e tyre. Mjafton që dikush të shohë mllefin e zotërinjve Rama dhe Kokëdhima me përpjekjen e tyre për të vënë përballë veprimeve të tyre Greqinë, Kishën Ortodokse, “Omonia”-n, dhe persona të tjerë, që, me mediat e shumta që zotërojnë, përpiqen t’i demonizojnë si armiq të kombit shqiptar, duke kopjuar kësaj here me besnikëri regjimin totalitar për konceptin e armikut të jashtëm, në qoftë se nuk ekzistojnë, duhet të gjenden, sepse janë të domosdoshëm për mbijetesën e tyre. U drejtoj thirrje gjithë bashkëqytetarëve të vendit, të shëndoshë mendërisht, pavarësisht fesë ose kombësisë, t’i rezistojnë kësaj barbarie.
T’i rezistojmë megalomanisë që synon të kthejë të kaluarën historike dhe vendet e shenjta në altare politike. Historia është atje ku është që të mësojmë prej saj, të na maturojë dhe të na frymëzojë për të tashmen dhe për të ardhmen. Duke përfunduar, do të doja të konkludoja me thëniet e personaliteteve botërore që mbetën gjithnjë diakronikë dhe aktualë dhe që na ndihmojnë për të nxjerrë përfundime. ”Perëndia nuk i lejon asnjërit, përveç vetes së tij, të ketë ide megalomane” (-Herodoti, 480 -420 p.K). “Nuk bëhet kush qesharak me cilësitë që ka, por me cilësitë që shtiret se ka”, -François de La Rochefoucauld (1613 — 1680).
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al