Kreu i ARRSH: S’ka autostradë me 3 korsi, kemi projekt rehabilitues

Feb 23, 2018 | 10:05
SHPËRNDAJE

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro, deklaroi dje se në pranverë nis rehabilitimi i autostradës TiranëDurrës, i cili nuk përfshin projektin për zgjerimin e autostradës me 3 korsi.

“Jo, nuk parashikohet zgjerim, këto dy korsi, është me dy plus dy. Rehabilitimi konsiston në riparimin e shtresave të paketës asfaltike në sinjalistikë dhe në të gjithë elementët e tjerë. Nuk bëhet fjalë për zgjerim. Ju keni në mendje projektin që është bërë që bëni këtë pyetje. Autoriteti Rrugor, vitin e kaluar ka miratuar një projekt që aksin Tiranë-Durrës ta bëjë me 3 korsi.

afrimi-gjiknuri

Ai është një projekt, i cili është në sirtar dhe në këtë vit me buxhetin e miratuar nuk është pjesë e buxhetit, sepse kemi hartuar një projekt rehabilitues si pjesë të kontratës, i cili na jep ne garancinë për 10 vjet që kjo rrugë do të jetë në kushtet që kërkon kontrata.

Do një studim më të hollësishëm a do të jetë një investim që do ta bëjë qeveria dhe shteti shqiptar me buxhetin e vet apo mund të ketë edhe mundësi të tjera që mund të jenë me PPP ose me koncesion, kështu që në këtë moment jemi në këtë situatë”, u shpreh Qendro.

Kreu i Autoritetit Rrugor tha se rehabilitimi do të kryhet për shkak të dëmtimit që ka pësuar autostrada nga dyfishimi në vite i trafikut dhe mungesa e mirëmbajtjes.

Sipas kreut të ARRSH-së, projekti i qeverisë me bankën botërore do të përfshijë edhe rehabilitimin e disa akseve të tjera. “Realisht, kemi një gjendje jo të mirë teknike të aksit Tiranë-Durrës. Kjo vjen për disa arsye. Kemi një aks të ndërtuar disa vite më parë.

Ka qenë i ndërtuar për një numër të caktuar mjetesh që kalojnë në të. Ka qenë afërsisht diku te 23 mijë mjete. Nga matjet që kemi bërë ne në këtë aks rrugor, qarkullojnë rreth 47-50 mijë mjete në ditë. Kjo është e para. E dyta, ky është aksi më i ngarkuar në trafik, pothuajse në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Nga ana tjetër, në gjithë këto vite, që pas ndërtimit të saj, ka pasur vetëm mirëmbajtje rutinë. Aksi Tiranë-Durrës është pjesë e kontratës së mirëmbajtjes që Autoriteti Rrugor ka lidhur prej një viti me Bankën Botërore.

Ky projekt është hartuar, ka pak ditë që është në duart e supervizionit të kontratës ose konsulentit monitorues siç quhet në rastin konkret.

Jemi në procesin përfundimtar të bërjes së këtyre projekteve, të cilat nuk kalojnë në filtrat e konsulentit. Do të miratohet dhe në bashkëpunim me bankën dhe ne mendojmë që në pranverë të fillojmë me këto pjesë rehabilituese”, deklaroi Qendro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura