Kreu i AMF në Korçë: Edukimi financiar të bëhet pjesë e kurrikulave në shkolla

Apr 17, 2018 | 10:24
SHPËRNDAJE

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi një leksion të hapur me studentët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë. Gjatë aktivitetit u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Universitetit “Fan S. Noli” nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Koçi dhe Rektori i Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës, Prof. Dr. Ali Jashari. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Zv/ Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Z. Ervin Demo.

amf koci korce

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Koçi theksoi se edukimi financiar në lidhje me tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së, për të rritur njohuritë dhe ndërgjegjësimin te publiku është shndërruar në një nga prioritetet e punës së Autoritetit. Për këtë arsye, Autoriteti synon që në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të përfshijë në kurrikulat shkollore disa njohuri të përgjithshme mbi tregjet nën mbikëqyrje.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së rritja e ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar sjell një mbrojtje më të mirë të konsumatorëve. Z. Koçi theksoi se të gjitha vendimet e marra vitin e kaluar, por edhe ato gjatë këtij viti kanë qënë në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe investitorit.

Koçi i inkurajoi studentët të bëhen pjesë aktive e Konferencës së parë Kombëtare me titull: “Problemet dhe sfidat e zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje dhe rëndësia e edukimit financiar”. Ata mund të kontribuojnë me punime të ndryshme për çështje që lidhen me tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit.

Nga ana e tij, Rektori Jashari u deklarua besimplotë se marrëveshja e nënshkruar mes dy institucioneve do të jetë me përfitim reciprok. Ajo do t’i shërbejë studentëve të universitetit, duke i krijuar mundësinë e intershipeve pranë Autoritetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura