Krerët e OSBE-së mesazh politikës shqiptare: Vendosni në plan të parë përgjegjësitë e qytetarëve. Nevojë urgjente për…

Nov 19, 2019 | 18:57
SHPËRNDAJE

“Unë u bëj thirrje të gjithë aktorëve institucionalë, politikë dhe kombëtarë që të vendosin në plan të parë përgjegjësinë strategjike dhe kolektive. Jam i bindur që ky është investimi më i mirë për Shqipërinë në të ardhmen afatmesme”.

37080776275_c039ba6690_b

Mesazhi jepet nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Roberto Montella, në përfundim të takimeve të zhvilluara në Tiranë së bashku me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli.

Sipas njoftimit, Montella duke mbajtur shënim kritikat e opozitës ndaj qeverisë dhe disa organizatave ndërkombëtare që veprojnë në vend, nxiti opozitën jashtëparlamentare të japë kontributin e saj konstruktiv, “me qëllim që drejtimi i OSBE-së, në vitin 2020, të realizohet në frymën e bashkimit kombëtar dhe të përgjegjshmërisë ndaj organizatës, për trajtimin në mënyrë efektive të nevojave të qytetarëve të cilëve u shërben OSBE-ja”.

Gjatë takimeve në Tiranë, delegacioni i Asamblesë Parlamentare diskutoi me homologët shqiptarë për sfidat e brendshme të vendit, duke veçuar reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore dhe nevojën që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të vihen në jetë përmes një procesi gjithëpërfshirës.

Unë mund të konfirmoj që Asambleja Parlamentare është e vendosur të mbështesë Shqipërinë që ajo të çlirojë potencialin e saj të plotë gjatë kryesimit të OSBE-së”, tha Presidenti Tsereteli. “Nxis trajtimin e boshllëqeve në proceset e reformave sa më shpejt të jetë e mundur, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe zgjedhjeve. Shoh një nevojë urgjente për forcimin e besimit të publikut tek institucionet”.

Në kuadrin e reformave në proces dhe atyre të pritshme, u diskutua edhe vendimi i Bashkimit Evropian për shtyrjen e vendimmarrjes mbi hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Në Tiranë, Delegacioni i Asamblesë Parlamentare zhvilloi takime me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, Kryeministrin, Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, deputetë të Kuvendit dhe përfaqësues të opozitës politike.

Gjithashtu, ata patën takime edhe me përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare, përfshirë kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi sh dhe me përfaqësues të grupeve të opozitës parlamentare, përfshirë deputetët Rudina Hajdari, Nimet Musaj dhe Adriatik Alimadhi.

Diskutimet u përqendruan në përparësitë e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së, si dhe përparësitë e politikës së jashtme shqiptare dhe problemet e saj të brendshme.  Presidenti Tsereteli, gjithashtu, nxiti të gjitha forcat politike të bashkojnë përpjekjet për të kontribuar në angazhimin e vendit për të udhëhequr OSBE-në vitin e ardhshëm.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura