Krenaria e shqiptarëve në këmbët e lojtarëve

Oct 9, 2015 | 12:23
SHPËRNDAJE

markuMARK MARKU

    Besoj, në këtë moment, gjithë Shqipëria është e heshtur ashtu si shpirti im prej tifozi të humbur. E heshtur si shtëpia ime me televizor të fikur, pasi nuk e duroj më pamjen që vjen prej atij stadiumi që po braktiset pak nga pak prej tifozëve të pikëlluar. E heshtur si bulevardi “Dëshmorët e Kombit”  i përndezur deri pak momentesh nga mijëra të rinj që kishin ngarendur të festonin fitoren kundër Serbisë. Të heshtur dhe të pikëlluar, sepse ekipi ynë kombëtar u mund në një ndeshje futbolli. Deri këtu nuk ka asgjë të pandodhur më parë. Kemi humbur dhe jemi pikëlluar siç ka ndodhur me mijëra, apo miliona herë qyshse është shpikur futbolli dhe lojëra të tjera si futbolli.

Por kjo humbje është shumë më e madhe se zakonisht pikërisht për atë që ndodhi jashtë fushës së futbollit dhe kryesisht para ndeshjes. Gjatë gjithë këtyre ditëve shqiptarët kanë përjetuar një delir të jashtëzakonshëm, një frymëzim epik sa të krijohej përshtypja se prej kësaj ndeshjeje varej fati jo vetëm i kualifikimit të Shqipërisë për në finalet e kampionatit evropian, por krenaria kombëtare shqiptare, trimëria, burrëria, fati i tyre historik, e ardhmja e tyre evropiane. Ka dy javë që mediat shqiptare nuk bëjnë gjë tjetër veçse flasin për këtë ndeshje a thua se kjo do të ishte një betejë epike, një betejë ku mund të ndodhte gjithçka: të humbnim ose fitonim dinjitetin para “armiqve” tanë historikë, sllavëve, sikur prej kësaj ndeshjeje do të përcaktohej njëherë e përgjithmonë nëse ishim evropianë apo jo.

Kjo betejë frenetike përfshiu gjithçka e këdo, gazetarë, policë, tifozë, deputetë, ministra, kryeministra. “Të ftoj në Shkodër të shohësh sa evropianë jemi ne”, i pati thënë kryeministri Rama, kryeministrit Vuçiç. “Do të vij me kënaqësi dhe do të të mund”, ia pat kthyer Vuçiç dhe prej asaj dite veshi nuk ka zënë tjetër refren veç këtij. Vuçiç nuk erdhi, ndeshja nuk u bë në Shkodër dhe ne humbëm në Elbasan edhe pse e parë nga këndvështrimi i një tifozi jo shumë të kualifikuar si unë, ndeshja ashtu siç u zhvillua, duhej të përfundonte të paktën barazim. Por ja që humbëm dhe lojtarët tanë, ashtu si edhe lojtarët serbë, na kishin paralajmëruar për këtë: është vetëm një ndeshje futbolli. Dhe si e tillë përfundoi, pavarësisht se humbëm.

Humbja e ka një të mirë: i bën edhe më të dukshme marrëzitë që i paraprinë këtij takimi. Dhe marrëzia më e madhe është se të dyja palët i projektuan të gjitha frustracionet e tyre mijëravjeçare në një ndeshje futbolli që kishte si aktorë ca djem të rinj 20-30-vjeçarë që dinë të luajnë mirë futboll (madje edhe atë jo dhe aq mirë po ta krahasosh me modelet më të mira të futbollit), gjë kjo me siguri që ka ndikuar psikologjikisht për keq, sidomos te futbollistët tanë të cilët e luanin ndeshjen në shtëpinë e tyre dhe në një atmosferë tërësisht surreale. Ata duhej “të merrnin hak”, për të gjitha kacafytjet me kosa, sëpata, shpata, pushkë, topa dhe tankse që paraardhësit e tyre etnikë kishin pasur në shekuj.

Ata duhej njëherësh të mos zhgënjenin një masë të madhe të rinjsh që e kanë gjetur futbollin si të vetmen shprehje të identitetit kombëtar. Madje, ata (sidomos lojtarët tanë), duhej të luanin me frikën se mos tifozët silleshin si tifozë, domethënë shfrynin në stadium apo jashtë stadiumit, duke na bërë të dukeshim jo evropianë, marrëzi më vete kjo, a thua se evropianët shkojnë në stadium për të lexuar libra dhe medituar, a thua se nuk janë evropianë vandalët anglezë të stadiumeve që u kallnin tmerrin vite më parë gjithë qyteteve evropiane dhe që shkaktuan dhjetëra të vdekur në Zvicër, a thua se nuk janë evropianë tifozët holandezë që jo më larg se një vit më parë shkatërruan Romën, a thua se nuk janë evropianë tifozët e Romës apo Napolit, që i sulen me thika njëri-tjetrit sa herë humbin skuadrat e tyre.

Humbja është pikëlluese, por më pikëlluese është atmosfera që i parapriu humbjes: delir dhe histeri kolektive, tension dhe atmosferë lufte, tallje masive me ata mijëra tifozë që mendojnë se janë patriotë të mirë vetëm se thërrasin në kor “shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, apo “serb, o serb, ule kokën se ne shqiptarët ta q… motrën”, të mendosh se krenaria kombëtare varet nga një ndeshje futbolli, se problemet zgjidhen brenda cakut kohor mes dy fërshëllimave të një arbitri. Pikërisht këtu treguam se nuk jemi evropianë. Edhe pse nuk pati asnjë akt vandalizmi në stadium apo jashtë tij. Sepse evropianët pikërisht për këtë i kanë ndërtuar stadiumet, madje shumë më herët se stadiumet arenat e ndeshjes së gladiatorëve, komplekset e lojërave olimpike: që njerëzit të shfryjnë, të kalojnë në ekstazë, të kalojnë në trans anormaliteti që i bën ata të harrojnë “normalitetin” e jetës.

Por ama evropianët lojërat i kanë lojëra dhe betejat, beteja. Lojërat i përjetojnë si të tilla, betejat gjithashtu. Dhe fatin e kombeve të tyre e kanë përcaktuar përmes betejave dhe jo përmes lojërave. Duhet ta shfrytëzojmë këtë heshtje për të menduar pak vetveten. Ndoshta herën tjetër u kërkojmë djemve tanë të zgjidhin vetëm një gjë: fatin e ndeshjes. Fatin e kombit le ta zgjidhim gjetiu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura