Kredia e pafirmosur e FMN-së, Reinke: Qeveria kërkoi kohë për të realizuar të ardhurat

Jul 31, 2015 | 16:22
SHPËRNDAJE

Rritja ekonomike nuk do te jete ajo qe shpresonim. Përfaqësuesi i FMN në vendin tonë, Jens Reinke në një intervistë për “News 24”, e sheh situatën ekonomike ne vend jo aq optimiste sa e paraqet kryeministri. 

Përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri
Përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri

Zhgënjimi nga të ardhurat tatimore dhe doganore, është i qartë tek përfaqësuesi i FMN. Ndonëse niveli i taksave në Shqipëri është më i lartë se vendet e rajonit, ka një mospërputhje mes tyre dhe të ardhurave që grumbullohen nga këto taksa.

Pikërisht kjo është arsyeja përse misioni i FMN u largua nga Tirana pa firmosur një marrëveshje me qeverinë për këstin e radhës. Reinke bën transparente atë që nuk u bë nga qeveria, e cila ka kërkuar kohë për të për të përmirësuar mbledhjen e taksave.

“Siç e dini këtu ka patur një mision të FMN që kanë parë çështjen e mosrealizimit të të ardhurave, së bashku edhe me disa ekspertë të tjerë të FMN-­së kanë analizuar arsyet e mosrealizimit të të ardhurave. Ajo që ka ndodhur është se qeveria është e mendimit që përpara se të mendojë alternativat për të ndryshuar kuadrin e taksave do të donte kohë për të adresuar problemin e zbatimit të ligjit për pagimin e taksave ekzistuese duke marrë një sërë masash në regjistrimin e bizneseve, pagesa e TVSH, pra duan të përmirësojnë zbatimin e ligjit, përpara se të mendojnë për hapa të tjerë të ndryshimit të kuadrit të taksave.

Misioni do të vijë më vonë për të vlerësuar progresin e bërë në përmirësimin e të ardhurave duke zbatuar kuadrin ekzistues. Dua të theksoj se vendimi i FMN për të mos nënshkruar marrëveshjen me qeverinë nuk është një reflektim negativ për programin pasi të gjitha targetet e programit janë realizuar, dhe performance është pozitive.

Ka qenë vetëm koha që ka kërkuar qeveria për të realizuar ndryshime në mbledhjen e taksave duke përdorur sistemin ekzistues”, tha Reinke. Për përfaqësuesin e FMN-­së plani i të ardhurave nuk është realizuar deri tani edhe si pasojë e një paqartësie që mungon në buxhet nga zëri i të ardhurave të munguara nga përjashtimi i disa taksave të bëra nga qeveria. Ndaj edhe sipas Reinke kërkohet transparencë. Ky është edhe rekomandimi që FMN i bën ministrisë së Financave për ndryshimet në buxhet.

“Një rekomandim që ne kemi lidhet me çështjen e përjashtimit nga takat, për ti riparë ato. Sepse gjatë vitit të kaluar janë bërë disa përjashtime nga taksat që kanë shkaktuar një humbje në të ardhurat. Kjo mund të mos jetë shumë domethënëse në totalin e të ardhurave por është domethënëse në pjesën e mosrealizimit të të ardhurave.

Rekomandimi ynë është të jepet se cila është kjo masë, pra sasia e të ardhurave që humbin nga përjashtimet dhe kjo të bëhet transparente në buxhet. Për pjesën tjetër ne duam të shikojmë të dhënat, cilat janë rezultatet që do të vijnë nga qasja për të luftuar kontrabandën dhe evazionin dhe më tej të vlerësojmë se cila do të ishte masa e përshtatshme për axhiustimin”, tha Reinke.

Përsa i përket rritjes ekonomike për 2015­-ën , FMN nuk ndryshon qëndrim. Sipas Reinke rritja pritet të jetë rreth ose me pak se 3%. Por pavarësisht parashikimeve, misioni i FMN do të rikthehet në Tiranë për të analizuar performancën e qeverisë. Vlerësime këto që do të jenë përcaktuese edhe për lëvrimin e këstit të radhës së kredisë që pritet në fillim të vitit të ardhshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura