Kredia, banka i jep edhe pesë ditë afat familjes së Fiqiri Muçës

May 6, 2016 | 10:53
SHPËRNDAJE

Kredia që kishte marrë në bankë Fiqiri Muça për të kryer shpenzime në lidhjen e re dashurore me Nazime Vishën, pak kohë përpara se të vritej, rrezikon të lërë të pastrehë pesë fëmijët dhe bashkëshorten e tij, Mynyre Muça.

Mynyre Muca
Mynyre Muca

Fiqiriu kishte marrë një kredi prej 179 mijë lekësh të rinj, e cila rezulton e pashlyer deri sot. Mesditën e djeshme, në adresë të familjes Muça mbërriti paralajmërimi i fundit nga zyra përmbarimore.

Kjo e fundit u ka lënë vetëm pesë ditë afat familjarëve të paguajnë paratë, ose të lirojnë shtëpinë. Në këto kushte, bashkëshortja dhe fëmijët e Fiqiri Muçës janë përfshirë nga ethet e frikës se mund të ngelen të pastrehë, pasi zyra përmbarimore, sipas tyre, këtë radhë do të veprojë, duke sekuestruar për llogari të bankës banesën ku jeton familja e tij, në Manzë të Durrësit.

Ervis Muça, djali i madh i familjes, shprehet se nuk kanë mundësi të paguajnë paratë e kredisë që kishte marrë i ati pak kohë para se të vritej.

Djali i Fiqiri Muces
Djali i Fiqiri Muces

“Sot (dje) na ka ardhur paralajmërimi i fundit nga zyra përmbarimore. Kemi ultimatum të paguajmë paratë, ose të braktisim shtëpinë për pesë ditë. Ne nuk kemi para të hamë bukë, pasi asnjëri në familjen tonë nuk punon, përveç ndonjë pune të vogël në bujqësi. Kemi mbetur mes 4 rrugëve, por tani do të mbesim edhe të pastrehë. Kemi ultimatum, nëse nuk paguajmë paratë për pesë ditë, do të na nxjerrin nga shtëpia. Janë 1 milion e 790 mijë lekë për t’u larë, përveç kamatëvonesës”, u shpreh gjatë një prononcimi për gazetën “Panorama” djali i madh i familjes Muça.

Deri pak kohë më parë, në adresë të familjes Muça (Manëz), vinin faturat e bankës, por duke mos marrë asnjë përgjigje pozitive nga kredimarrësi, banka i është drejtuar zyrës përmbarimore.

Familja Muça është paralajmëruar disa herë nga zyra përmbarimore, ndërsa pas pesë ditësh pritet të veprojë për të sekuestruar shtëpinë, të vetmen pasuri që pesë jetimët dhe bashkëshortja e tij kanë.

Ata janë të sigurt që këtë radhë përmbarimi do të veprojë duke u sekuestruar banesën, ndaj kërkojnë ndihmë.

“Ne jemi totalisht të pafajshëm në këtë mes, pasi Fiqiriu kredinë e kishte marrë për t’i bërë dhurata të dashurës, jo për hallet e familjes. Ne nuk kemi, por edhe sikur të kishim para, nuk kemi pse ta paguajmë. U bëjmë thirrje autoriteteve të mos më lënë mes katër rrugëve me pesë jetimë. E vdekur do dal nga shtëpia, pasi nuk kemi ku të fusim kokën. Përveç pesë fëmijëve jetimë, Fiqiriu më la një mal me halle. Nuk kemi një thes miell për të bërë bukë. Jemi në mëshirë të fatit, ju lutem na ndihmoni”, apeloi Mynyre Muça, bashkëshortja e Fiqiriut, i cili u ekzekutua në gusht të vitit 2012 nga Nazime Visha.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura