Kredia 1.2 miliardë USD, ja ku do shkojnë paratë

May 27, 2015 | 14:42
SHPËRNDAJE

Energjia, menaxhimi i tokës, sektori financiar dhe përmirësimi i aksesit në shërbime për të varfrit do të jenë fokusi i Bankës Botërore në pesë vite përmes mbështetjes me 1.2 miliardë dollarë. Superfinancimi i aprovuar nga Bordi i Bankës Botërore dhe që do të kalojë përmes pjesës tregtare të këtij institucioni, IBRD, ka të ndara 15 projekte.

Cani dje gjatë konferencës për shtyp

Në Kuadrin e Partneritetit me Vendin bërë publik në faqen e Bankës Botërore jepen të detajuara se ku do të shkojnë paratë, ku 40 për qind e tyre janë mbështetje buxhetore, por kjo nëse qeveria ecën sipas parashikimeve të bëra në kuadrin afatmesëm.

“Deri në 40 për qind e huadhënies do të jetë në formën e mbështetjes buxhetore, në rast se performanca e kuadrit makro- fiskal afatmesëm, për të cilin është rënë dakord, është e kënaqshme. Viti financiar 2015 do të jetë vit piku, me angazhime të reja prej më shumë se 400 milionë dollarësh amerikanë, përfshirë dhe Garancinë për Mbështetjen e Politikave (GMP)”, thuhet në raport.

Pra, aktualisht për këtë vit, qeveria ka marrë një pjesë të financimit për projekte të tilla si përmirësimi i sistemit shëndetësor, siguria e dhe mirëmbajtja e rrugëve apo Garancia e Bazuar në Politika. Po kështu, në këtë vit përfshihet edhe projekti për rimëkëmbjen e sektorit energjetik me 150 milionë dollarë. Në total në vitin 2015, financimi nga Banka Botërore është 490 milionë dollarë.

PROJEKTET
Vitet e tjera 2016-2019 edhe pse nuk do të kenë të njëjtin ritëm financimi si viti 2015, sërish do të kenë fokus në disa projekte të rëndësishme siç është ajo e tokës, turizmit, investimeve. Kështu pritet që të këtë një “ripërsëritje” të një tjetër LAMPI që do të merret me regjistrimin e pronave dhe do të shërbejë si bazë për kadastrën fiskale.


Një tjetër projekt është që pas rimëkëmbjes të mbështetet zhvillimi i sektorit energjetik, ku mes të tjerash, komponent i tij është liberalizmi i tregut. Sektori i turizmit synon mbështetjen, sidomos për bregdetin dhe fondi për rigjenerimin e bregdetit shkon 53 milionë dollarë. Një tjetër fushë që do të mbështetet nga kredia e Bankës Botërore është ajo e zhvillimit të Partneritetit Publik Privat.

OBJEKTIVAT
Por çfarë synohet të arrihet përmes projekteve të Bankës Botërore në pesë vite. Së pari, një ulje e kredive të këqija në 20 për qind, së dyti ulje e humbjeve në sektorin e energjisë, mbajtja e arkëtimeve në nivelin 90 për qind, rritja e aksesit për ujë të pijshëm për 77 mijë konsumatorë familjarë me shtëpi të reja, regjistrimi dixhital për 20 për qind të volumit të pronave në vend. Në total objektivat e gjithë projekteve shkojnë në 16 të tilla, ku sfidë kyçe paraqet energjia dhe biznesi. NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura