Kredi të pashlyera, bllokohet legalizimi për 20 mijë familje

Jan 18, 2016 | 21:25
SHPËRNDAJE

Kreditë e prapambetura do të bëhen shkak për bllokimin e lejes së legalizimit. Nga ALUIZNI mësohet se janë mbi 20 mijë familje në të gjithë vendin, të cilat do të përballen me penalitete deri në shlyerjen e plotë të borxhit që kanë ndaj shtetit.

PAKTI Një gjë e tillë vjen në sajë të marrëveshjes së firmosur ndërmjet dy institucioneve, përkatësisht Agjencisë së Trajtimit të Kredive dhe ALUIZNI-t në muajin shtator të vitit që lamë pas. Kështu, e drejta e pronësisë mbi objektin dhe truallin do të bllokohet deri në kryerjen e pagesës, për të cilën qytetari rezulton debitor në shtet që para vitit 2000.

Legalizime_ALUIZNI_Durres_01-520x250

Nga verifikimet e bëra në harkun e më pak se 5 muajve rezulton se janë mbi 20 mijë familje që kanë kredi të pambyllura, ndaj edhe qëllimi i paktit është pikërisht mbledhja e tyre. “ALUINI, pasi verifikon listën dhe konstaton se ndonjë nga subjektet ka paraqitur kërkesë për legalizim ndërtimi pa leje, njofton Agjencinë e Trajtimit të Kredive për fazën në të cilën ndodhet procesi i legalizimit, duke përcaktuar vendndodhjen dhe detaje të tjera për çdo pasuri të paluajtshme që legalizohet përfshirë edhe informacion nëse praktika e legalizimit është dërguar për regjistrim në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive së Paluajtshme”, thuhet specifikisht në marrëveshjen dypalëshe.

Një hap i tillë pritet të lehtësojë punën e ATK-së, e cila me anë të këtij informacioni do ta ketë më të lehtë të lokalizojë qytetarin dhe pronën e tij. Për ta detyruar që të paguajë detyrimin që i ka shtetit, Agjencia e Trajtimit të Kredive do të bëjë bllokimin e dhënies së tapisë për këto familje deri në momentin e likuidimit.

NDRYSHIMET

Ky vit u shoqërua me ndryshime të tjera në ligjin e legalizimeve. Për të bërë të mundur përshpejtimin e procesit, por edhe për të lehtësuar barrën e qytetarëve gjatë regjistrimit të pronës në Hipotekë, ALUIZNI ka marrë përsipër që gjithë këtë praktikë ta kryejë vetë. Me skemën e re që ka nisur të aplikohet, qytetari do të marrë brenda 40 ditëve një kopje të lejes së legalizimit, por gjithë procedura vijuese për regjistrimin në ZRPP do të ndiqet nga ALUIZNI.

Nga ana tjetër, edhe pagesa e truallit për familjet që kanë ndërtuar në tokë shtet dhe tokë me pronarë, nuk do të jetë kusht për marrjen e lejes. Shlyerja e detyrimit financiar mund të bëhet atëherë kur qytetarët janë të interesuar për të marrë tapinë. Vendimi përcakton që deri në kryerjen e pagesës, toka të regjistrohet me hipotekë ligjore. Ndërkohë që, veç mospërfitimit të zbritjes 20 për qind që aplikohet për pagesat brenda 45 ditëve, nuk do të ketë penalitete të tjera.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura